QKR: Mbi 13 mijë biznese dorëzojnë bilancet online, gjobë për aplikimet pas afatit
Ndërsa në 2015-ën biznesi duhej të plotësonte të dhënat e pasqyrave financiare direkt në sistemin e QKR-së, duke reduktuar burokracitë dhe sidomos duke dhënë të dhënat e sakta dhe të rifreskuara në kohë reale, ka arritur në mbi 13 mijë numri i aplikimeve për dorëzimin online të pasqyrave financiare nga bizneset pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, (QKR).
Për shkak të fluksit, dorëzimi i bilanceve në QKR është mbi bazë vullnetare, ndryshe nga Tatimet, ndaj procesi vazhdon. Por pas kalimit të afatit të dorëzimit në 31 korrik, po shoqërohet me sanksione që arrijnë si gjobë në 15.000 lekë, ku gjobiten bizneset që duan të marrin një shërbim pranë kësaj qendre, por që nuk kanë dorëzuar pasqyrat financiare në kohën e duhur.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare e-albania, “Aplikimi për depozitimin e pasqyrave financiare, raporteve të auditit dhe të veprimtarisë i kryer jashtë afatit ligjor do të refuzohet, nëse subjekti nuk ka shlyer sanksionin administrativ, përkatësisht gjobën në masën 15.000 lekë të parashikuar në pikën 3, të nenit 74, të Ligjit Nr. 9723/2007″.
Sipas saj, u arrit të zbatohej i plotë procesi i dorëzimit të bilanceve online, falë funksionimit pa ndërprerje të sistemit. Kreu i QKR-së kërkon nga biznesi që të rifreskojë të gjitha të dhënat në mënyrë që të përmbushen detyrimet ligjore.
Aktualisht QKR-ja po punon për të bërë të mundur, që të gjitha vendimet e zyrave të përmbarimit dhe nga gjykatat të dorëzohen në rrugë elektronike. Që prej muajit janar 2015, QKR po i ofron publikut mundësinë e regjistrimit të biznesit nëpërmjet sportelit elektronik. Shërbimet që ofrohen në sportelin elektronik “e-albania” janë
regjistrimi fillestar i biznesit dhe ndryshimet në të dhënat e regjistrimit, depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të auditit, tërheqja e ekstrakteve të regjistrimit elektronikisht të nënshkruara.
Kështu, QKR është institucioni i parë publik që aplikon nënshkrimin elektronik të subjekteve. Me këto masa, QKR synon të lehtësojë shërbimet për biznesin duke eliminuar tërësisht prezencën e tij në sportelet e saj të shërbimit. Regjistrimi i biznesit online, projekti i parë i këtij lloji, ndikon në jetën e qytetarëve, që kanë një aktivitet tregtar dhe administratorëve të biznesit, duke iu krijuar lehtësi në procedurat e regjistrimit të biznesit si dhe po ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e klimës së biznesit në vend, pasi ofron lehtësitë në kryerjen pa pagesë dhe në më pak se 8 orë.
Ndërsa vjet u zbatua dorëzimi elektronik në sportel të bilanceve, tashmë gjithçka kryhet online.
QKR ka bërë të mundur pranimin online të bilanceve duke filluar nga viti 2011-2012 dhe për pasojë, të gjitha bizneset që kanë dorëzuar bilancet për periudhën 2011-2015, tashmë i kanë edhe në Regjistrin Tregtar.
Përvec transparencës, kjo rrugë u krijon mundësi kompanive të huaja konsulente që duan informacionet e duhura për të gjetur partnerë në Shqipëri, thonë burimet zyrtare në QKR.