Ekonomia

QKR: Në gusht 6-fishohen regjistrimet e bizneseve të reja, vijon regjistrimi edhe online

Javët e fundit pranë sporteleve të QKR-së ka fluks të lartë të kërkesave për të regjistruar bizneset në prag të aksionit të paralajmëruar nga qeveria kundër informalitetit dhe në muajin gusht u regjistruan për herë të parë 4.372 biznese të reja, ose 6 herë më shumë se e njëjtja periudhë e vitit 2014.

Sipas burimeve zyrtare nga QKR, në dy muajt korrik- gusht numri i regjistrimeve arriti në 6.144 ose 3.4 herë më shumë se e njëjtja periudhë e vitit 2014. Muaji gusht shënon shifra rekord regjistrimesh në QKR, dukshëm më të larta se historiku.

Pranë sporteleve të QKR-së nisur nga prania e interesit në rritje nga bizneset për t’u regjistruar, orari i punës nis herët rreth orës 07.15 në mëngjes dhe mbyllet në orët e vona, bëjnë të ditur burimet zyrtare të Qëndrës së Rregjistrimit të Biznesit.

Por gjithashtu, QKR u bën thirrje bizneseve që të regjistrohen edhe online, pasi muaji shtator nga Qeveria është shpallur si koha e nisjes së betejës kundër informalitetit dhe fluksi i regjistrimeve parashikohet të jetë shumë më i madh.

“Rregjistrimet pritet të kalojnë mesataren ditore me rreth 1.100 veprime nga individë dhe biznese, që duhet te vazhdojnë të regjistrohen, përdorimi i platformës online do të ndihmojë shumë, pasi do të kursejnë kohën dhe eleminojnë radhët e gjata. Ky shërbim ofrohet nëpërmjet plaformës qeveritare të ndërveprimit e-albania”, bëjnë të ditur burimet e QKR-së.

Regjistrimi nëpërmjet sportelit elektronik është i thjeshtë dhe mund të kryhet nga individët dhe bizneset. Individi që do të kryejë aplikimin si regjistrim fillestar/person fizik, duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti, ose pasaportë biometrike, ndërsa shërbimi ofrohet pa pagesë.

Për çdo paqartësi, QKR ka ngritur një sportel të dedikuar këtij procesi pranë zyrave qëndrore ku bizneset mund të adresojnë shqetësimet e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button