Politika

Rama: 21 deri në 25 shkurt, vizitë zyrtare në Japoni,  42-vjetori i marrëdhënieve diplomatike

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tokio, Japoni, në datat 21 deri në 25 shkurt, në kuadër të 42-vjetorit të vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se, gjatë vizitës zyrtare në Tokio, Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh në kuadër të forcimit dhe thellimit të bashkëpunimit, duke rikonfirmuar miqësinë mes dy vendeve, si edhe angazhimin e ndërsjellë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sferën dypalëshe dhe shumëpalëshe, në përballimin e sfidave së bashku si miq dhe aleatë që ndajnë të njëjtat vlera.

Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim bilateral me kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, si dhe do të marrë pjesë së bashku me delegacionin që e shoqëron, në darkën e shtruar prej tij.

“Dy vendet ndajnë interesa të përbashkëta lidhur me kujdesin shëndetësor dhe social, parandalimin e fatkeqësive, si dhe mbrojtjen e mjedisit. Shqipëria dhe Japonia ndajnë vullnetin për të zhvilluar më tej interesat e përbashkëta, duke rritur shkëmbimet kulturore, veçanërisht në fushën e turizmit dhe duke thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Viti 2022 shënoi 100-vjetorin e marrëdhënieve të miqësisë mes Shqipërisë dhe Japonisë. Marrëdhëniet diplomatike u vendosën në prill të vitit 1922 me njohjen e shtetit të ri të pavarur shqiptar nga Japonia. Më 20 qershor 1930 u nënshkrua Traktati i Parë Tregtar midis dy vendeve. Më 1935 Mbreteria e Shqiperise hapi Konsullatën e Nderit në Osaka. Pas Luftes se Dyte Boterore marrëdhëniet u ngrinë dhe ato u rivendosën në mars të 1981. Në dhjetor 2005 Ambasada e Republikës së Shqipërisë u hap në Tokio dhe në mars 2016 Qeveria Japoneze miratoi vendimin për hapjen e Ambasadës në Tiranë (hapja zyrtarisht në janar 2017).

Aktualisht ambasador i Republikes se Shqiperise ne Japoni eshte zoti Gjergj Teneqexhi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button