Politika

Rama: Dosja 339 po përdoret për shantazh politik

Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten në mbrëmje se përgjimet e publikuara nga gazeta BILD se materialet e nxjerra nga Dosja 339 janë mbajtur në sirtar për shantazh politik.

“Një segment i caktuar në prokurori ka lidhje me politikën dhe ky është shpërdorim i detyrës përmes nxjerrjes së sekretit hetimor. Politika synoi me publikimin që bisedat të duken si një zbulim gjerman dhe nga ana tjetër i nxorri në çastin kur ne presim të marrim një dritë jeshile për negociatat. Ky është një ushqim që synon të helmojë njerëzit këtu dhe atje në Europë, kur dëgjojnë “Mafia këtu, Mafia atje!” – tha zoti Rama.

Zoti Rama i bëri këto komente gjatë një bisede në studion e programit Real Story të televizionit Vizion Plus. Ai tha se kjo është një lojë e ndyrë që synon goditjen e qeverisë dhe imazhin e vendit nga pikëpamja e integrimit.

“Kam neveri nga përgjimet dhe përdorimi i tyre, sepse ato mund të nxirren nga konteksti dhe mund të futen në një kontekst tjetër. Dako nuk është më kandidat për bashkinë e Durrësit, është një qytetar i lirë, që mund të përgjigjet vet për ngjarjet. Ka një shëmti dhe më vjen për të vjellë nga biseda të tilla, ato janë indicie dhe jo prova” – tha zoti Rama.

Kryeministri tha se tema e përgjimeve nga pikëpamja ligjore është një katastrofë, sepse është përgjegjësi e prokurorëve të ruajnë sekretin, ndërsa policia ishte nismëtare e ndjekjes së atij grupi dhe tani ata janë në burg.

“Vendimin për të mos rikandiduar e mori vet Vangjush Dako, i cili, pas 3 mandateve si bashkiak, dhe pas sulmeve të shumta publike, nuk donte më të ishte tabelë qitje për një inskenim mbi bazë bisedash, që nuk kanë të bëjnë fare me blerje votash. Përballë drejtësisë secili duhet të provojë fajësinë ose pafajsësinë e vet dhe Dako është i hetueshëm dhe i gatshëm. Shqiptarët e kanë shumë të qartë, se këtu ka një dimension që duhet zbardhur nga prokuroria” – tha zoti Rama.

Disa përgjime pjesë e dosjes hetimore për grupin e vëllezërve Avdylaj, të dyshuar për aktivitet në fushën e drogës, e të botuara gazetën gjermane Bild, kanë rikthyer dhe një herë temën e lidhjeve të zyrtarëve socialist në Durrës me elementë të krimit dhe ndkimin e këtyre të fundit në fushatën zgjedhore të vitit 2017.

Përgjimet vënë në dukje lidhjet direkte që Astrit Avdylaj, kreu i grupit, mbante me kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, me kandidatin aktual të Partisë Socialiste për Bashkinë e Shijakut Elton Arbani, si dhe angazhimin e Avdylajt për të siguruar vota për Partinë Socialiste dhe një prej kandidatëve të saj, deputetin aktual Ilir Ndraxhi.

Pas publikimit të përgjimeve të para, në mënyrë të përsëritur kryetari aktual i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka mohuar njohjen tij me drejtuesit e grupit të Avdulajve, duke deklaruar se gjatë një fushate zgedhore ai takohet me shumë njerëz. Atij i ka dalë në mbrojtje dhe kryeministri Edi Rama, duke folur gjithashtu për kontakte rastësore gjatë aktiviteteve elektorale.

Por publikimi nga gazeta gjermane Bild, i bisedave të përgjuara nga Prokuroria shqiptare, dëshmojnë se zoti Dako kishte shumë më tepër se një njohje rastësore me Astrit Avdulajn, madje dhe me një ish të dënuar për vrasje Vath Alla. Madje Avdulaj rezulton të ishte në dijeni dhe të takimeve që Dako zhvillonte me kryeministrin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button