Politika

Rama: Dritë mbi të kaluarën, për të mbrojtur të ardhmen nga errësirat e të shkuarës

Në sallën e Kuvendit u zhvillua sot seanca përkujtimore “Deputetët për deputetët”, organizuar nga Autoriteti për Hapjen e Dosjeve me rastin e 70 vjetorit të ekzekutimit të grupit të deputetëve nga regjimi komunist në 1947-ën.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se, “nuk është e lehtë të përkujtosh me përulësinë dhe vetëpërmbajtjen e nevojshme një dëshmi kaq tragjike të jetës së dhënë për një zanat të vjetër sa bota, politikën. Politikën e idealeve, vlerave, parimeve, politikën e lindur për t’u dhënë njerëzve mundësinë për të bërë së bashku atë që të vetëm nuk e bëjnë dot”.

“Ata që dhanë jetën 70 vjet më parë, bënë një sfidë ndaj një regjimi që fatkeqësisht e pati jetën shumë të gjatë pas marrjes së jetës së tyre dhe që fatmirësisht u përmbys 25 vjet më parë”, tha Rama.

Rama foli për “politikën si arsye dhe si mjet që i bën njerëzit së bashku në emër të gjërave më të larta dhe që i ndan ata për llogari të interesave të ulta. Sfidë si nxitje për t’u kujtuar të gjithë së bashku se jemi këtu të gjithë si rezultat i lirisë dhe për ta përdorur lirinë dhe fjalën në funksion të atyre që na kanë sjellë këtu”.

“Shumë prej këtyre dëshmorëve të fisnikërisë së politikës ishin të përshkuar në të gjithë sistemin e bindjeve të tyre, nga social demokracia më gjithëpërfshirëse”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se ndoshta nuk do të arrijmë ta pastrojmë këtë sallë apo politikën nga ndotja e atij mekanizmi që helmon apo të asaj të shkuare që shkoi për skrap 25 vjet më parë, por mund të hedhim pak dizinfektant në këtë sallë dhe në të ardhmen muret e kësaj sale të mos jenë dëshmitarë të aq shumë gjërave të padenja që kanë përjetuar në këto 27 vjet..

“Sot jemi këtu për shkak të një ligji që ne e kaluam në këtë parlament dy vjet më parë. Një ligji që më në fund, pas 25 vjetësh e bashkoi Shqipërinë me vendet që kaluan përmes ferrit komunist dhe që vendosën të ndahen me të, jo thjesht duke ndërruar sistemin dhe kostumet, por duke guxuar të bëjnë dritë për të shkuarën. Ligji për hapjen e dosjeve që për 25 vjet u përdorën për të goditur njëri-tjetrin, por kush më shumë i përdori më pak guxoi t’i hapte. Sot jemi këtu për një ligj i cili na pajis me mjete hulumtimi në funksion të një funksioni human. Jam krenar që sot jam në krye të një qeverie dhe shumice që këtë mision e mori përsipër pasi të tjerët para nesh nuk patën kurajo apo nuk gjetën kohë që ta ndërmerrnin”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, një major dhe dy kapitenë u deshën që të shfarosej 25 % e parlamentit të kohës. “Dosja penale, apo më saktë sajesa e kobshme që u mbyll në shtator 1947, provat e së cilës janë sot të lexueshme duhet sikur vijnë nga një e shkuar, e cila tenton ta mbajë peng të ardhmen tonë përmes fantazmash, figurash që kanë ditur ta përdorin demokracinë”, theksoi Kryeministri Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button