Rama, i ashpër me BE: Neve na tregoni përralla, Serbinë e përkëdhelni
Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer aspak deklaratat e forta dhe akuzat ndaj Serbisë si dhe Bashkimit Europian. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas mbledhjes mes dy qeverisë asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, Rama tha se Bashkimi Europian është duke përkëdhelur Serbinë, ndërsa neve na tregon përralla.
Rama kritikoi qëndrimin e BE për vizat, ndersa deklaroi “Por ne jemi gjallë, nuk kemi vdekur akoma”
“E papranueshme që shqiptarët e Kosovës mbahen peng nga BE. Qëndrimi i BE për vizat i papranueshëm. Por ne jemi gjallë, nuk kemi vdekur akoma. Do çojmë përpara projektin “shqiptarët për shqiptarët”. Dokumenti mes dy shteteve do krijojë vizionin strategjik deri në 2050. Do vazhdojmë të ecim në rrugën e bashkimit të shqiptarëve dhe e duam këtë bashkim nën ombrellën e BE dhe askush nuk do të na pengojë. Shqipëria synon partneritet me Serbinë, por nuk mund të kenë një fytyre me Shqipërinë, një fytyrë më Kosovën. Metohijen ta mbajnë për vetën, kjo është republika e Kosovës dhe kjo nuk negociohet më. Serbia të mos bëjë viktimën para Kosovës. Serbia nuk është viktimë, Kosova është viktimë. Është koha të shohim përpara. Miqtë tanë europianë të mos na tregojnë shumë përralla, ndërsa Serbinë vazhdojnë dhe e përkëdhelin në një formë të papranueshme”, tha Rama
Por pavarësisht, tha Rama, “Shqipëria dhe Kosova do ecin krah për krah, si shqiponja dykrenare”
Kryeministri njoftoi edhe disa nga marrëveshjet e arritura mes dy qeverive shqiptare.
“Zero barriera tarifore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Do të bëhet njohja e ndërsjelltë e patentave. Tarifa 100% e vendosur ndaj Serbisë nuk është veprim ekonomik, por reagim politik dhe ftesë ndaj Serbisë për të zbritur me këmbë në tokë, për të hequr dorë nga lufta pas shpine ndaj Kosovës. Përpjekja për të penguar anëtarësimin në Interpol e papranueshme.
Nga 1 janari Kosova do të ketë pikën e vet të tranzitit në Durrës. Unifikimi doganor do të ndodhë brenda 6 muajsh. Shqipëria dhe Kosova pa roming brenda 6 mujorit të vitit të ardhshëm. Do kemi një pikë fluide të kontrollit të përbashkët në kufi, sipas standardeve të BE. Do të krijohet mundësia e lëvizjes së lirë, pa vonesa në dogana”, tha Rama