Politika

Rama: Meta President, i pranueshëm edhe për PD-në, i prerë për të qenë me të gjithë dhe me asnjë”

Enigma se kush do të jetë president është zgjidhur brenda pasdites së të enjtes. Atëhere kur ishin shumë të paktë ata që besonin se Ilir Meta mund të zgjidhej president, ky u bë fakt i kryer.
Pas skadimit të 3 raundeve të para dhe pas kërkesës së socialistëve se presidenti duhet të zgjidhej deri të premten, ose përndryshe zgjidhja ishin zgjedhjet e parakohshme, forumet e Lëvizjes Socialiste për Integrim u mblodhën me urgjencë dhe u propozuan socialistëve dy kandidatura.
Të parin renditën Petrit Vasilin dhe të dytin Ilir Metën. Por përfundimi dihej. Ajo që socialistët e quajtën negociate te “Vila 30” mes palës socialiste dhe asaj të LSI-së, u finalizua me vendimin unanim të Kryesisë së Partisë Socialiste.
“Kryesia e PS, pasi u njoh me propozimet e ardhura nga strukturat drejtuese të LSI-së, vendosi në mënyrë unanime që nga këto dy kandidatura të mbështesë atë të zotit Ilir Meta”, tha Taulant Balla.
Rrethanat e marrëveshjes Rama-Meta për zgjedhjen e bashkëkryetarit të koalicionit në krye të shtetit mbeten të paqarta, sepse Ilir Meta kishte deklaruar se do ta refuzonte këtë post dhe do të drejtonte LSI-në në fushatën elektorale.
Megjithatë, Edi Rama e dha një shpejgim edhe për rrethanat.
“Jo Ilir Meta nuk ka dashur asnjëherë të jetë president. Edhe sot, Meta është kandidat për president që vjen i natyrshëm, sepse është situata e tillë që kërkon Metën president”, tha Rama në “Top Story”.

Sokol Balla: Pse u duk sikur e kërcënuat sot në orën 15 me fjalimin e zotit Ruçi?

Edi Rama: Ka pasur tension sepse Ilir Meta në çdo sekondë mendon si të zgjidhet kjo çështje. Mirëpo ka një kufi, një moment, një ditë që thuhet a u bënë të gjitha? Fjalimi i Gramozit ishte për të thënë se çdo gjë ka një kufi, PS i bëri të gjitha.

Zgjidhja e enigmës së presidentit nuk e zgjidh krizën politike, por të paktën besohet se ka qartësuar qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, tashmë jo në një koalicion me Partinë Socialiste.

“Sot unë jam shumë i qetë përpara shqiptarëve, sepse realisht president më me PD-në, por jo i PD-së, sesa Ilir Meta ne nuk mund të gjenim dot as në PD. Kështu që nga kjo pikëpamje është një president që me siguri mund të kompensojë boshllëkun e madh që kemi parë deri më tani. Është një president që realisht është i lidhur me të gjithë, ka qasje te të gjithë, flet me të gjithë, u thotë të gjithëve çfarë mendon. Këtë punë do të bëjë edhe si president. Një zgjidhje ideale edhe për PD-në, pavarësisht se mund të dalë e të thotë çfarë të dojë tani. Ilir Meta është i prerë për të qenë me të gjithë dhe me asnjë”, deklaroi Rama.

Kryeministri Edi Rama u pyet në fund të emisionit nga Sokol Balla në lidhje me lobimin në SHBA.

Rama thotë se nuk bëhet fjalë për një lobim, por një masë për të mbrojtur imazhin e vendit, që siç tha Kryeministri ka përpjekje për ta deformuar në Uashington.

“Ka patur përpjekje kolosale përmes parave dhe qarqeve të caktuara për ta deformuar rëndshëm imazhin e Shqipërisë dhe Qeverisë, deri edhe për vetë ambasadorin e SHBA këtu. Kësaj përpjekjeje ne kemi vendosur t’i përgjigjemi, një masë për të mbrojtur Shqipërinë dhe Qeverinë nga një agresion barbar, jo për gjë tjetër”, tha Rama.

Duke folur në Top Story, Kryeministri Edi Rama e përjashtoi mundësinë që të ulet në tryezë me Partinë Demokratike për të gjetur një zgjidhje politike që ajo të marrë pjesë në zgjedhje.

“Absolutisht që e përjashtoj sepse ne nuk jemi bebisiter dhe nuk ka në politikë një bebisiting për ata që humbin rrugën. Demokracia është rrugë me shumë korsi në krahasim me rrugën me një korsi të komunizmit. Nëse një makineri si PD, që del nga korsia, del në lëndina dhe më pas përfundon në humnerë për shkak të shoferit të saj, ky nuk është faji ynë”, u shpre Rama.

Rama premtoi se do të ketë zgjedhje më 18 qershor. “Asnjë nga projeksionet e apokalipsit të Lulzim Bashës që flet me veten nuk do të ndodhë”, u shpreh ai.

Protesta e opozitës, thotë Kryeministri, nuk ka lidhje me kërkesat që bëhen prej saj.

“Kjo është përpjekje e një grupi drejtues të PD që kanë frikë nga drejtësia, kanë aq shumë frikë nga drejtësia sa janë të gatshëm që ta shkatërrojnë projektin europian të Shqipërisë, t’i dalin kundër Europës dhe Shteteve të Bashkuara”, thotë ai.

Nderkohë Kryeministri Edi Rama përjashtoi mundësinë për të tjera bisedime me Partinë Demokratike që ajo të futet në zgjedhje, por nuk përjashton mundësinë e një zgjidhjeje të minutave të fundit.

“Nëse Partia Demokratike reflekton dhe na kërkon që të hapim rrugën e regjistrimit, ne jemi të gatshëm që ta bëjmë këtë duke ndërhyrë në Kodin Zgjedhor për t’i dhënë mundësi PD që të regjistrohet, por pa koalicione”, deklaroi ai i pyetur në Top Story nga Sokol Balla.

Kryeministri u shpreh i bindur se koalicioni me LSI-në do të vazhdojë edhe pas 18 qershorit, pavarësisht rezultatit, që dy partitë më të mëdha të mazhorancës aktuale do të kenë në zgjedhje, ku do të garojnë më vete.

“Do të hyjmë në garë veç, por nuk ka asnjë dilemë që ne do të kërkojmë të vazhdojmë me LSI-në në koalicion, pastaj vendimi i takon LSI-së”, thotë ai.

18 qershori, sipas Kryeministrit, nuk përcakton vetëm mazhorancën e re.

“Vettingu bëhet më 18 qershor dhe për këtë arsye shqiptarët duhet të votojnë, sepse duhet të marrin hak për 25 vjet shkatërrime, abuzime, dërrmime, sakatime të të drejtës së pronës, së jetës, të së drejtës së dhënë nga ligji dhe të mohuar nga maliqi dhe duhet të marrin hak për të përcaktuar Shqipërinë që do të kemi”, u shpreh ai.

 

Related Articles

Nje koment

  1. Mos, mos e vini President këtë qen bir qeni. Dite e enjte qe, do enjtet i tere ai popull i vuajtur. Le të vuaje se e meriton kur ve këtë maskara të korruptuar deri në gryke. Mos!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button