Rama: Ministria e Shëndetësisë të ndahet nga infrastruktura spitalore
Kryeministri Edi Rama ka folur për një shërbim të unifikuar në shëndetësi, gjatë inaugurimit të Spitalit Amerikan 3. Rama tha se është e rëndësishme të ketë autonomi spitalore për të krijuar këtë sistem.
“E rëndësishme është të garantojmë që autonomia spitalore të krijojë një sistem ku pavarësisht nëse është spital që financohet plotësisht nga shteti apo privati, rregullat, procedurat për akreditimin, rivlerësimet periodike, këmbimi i informacioneve shëndetësore, klinik dhe individual të jenë të unifikuara, besoj se ky është modernizimi që i duhet shërbimit tonë shëndetësor”, tha Rama.
Ai u shpreh dhe për një ndarje të ministrisë së Shëndetësisë nga e gjithë infrastruktura spitalore, duke i lënë vetëm shërbimin spitalor.
“Ta ndajmë ministrinë e Shëndetësisë nga gjithë infrastruktura spitalore duke i lënë vetëm shërbimin spitalor, autonomi në administrimin e fondeve të institucionit, duke bërë që shërbimi ynë spitalor të hyjë në epokë të re dhe ministria e Shëndetësisë të hyjë në një epokë të re. Të mos jetë më pika ku grumbullohen të gjitha kërkesat, mblidhen të gjitha pratë dhe bëhen prokurimet”, vijoi më tej Rama.
Duhet të ecim më tej me transformimin e infrastrukturës spitalore u shpreh kryeministri.