Politika

Rama-Netanjahu: Bashkëpunim në mbrojtje të vlerave dhe njerëzve tanë nga rreziku i terrorizmit

aaaaKryeministri Edi Rama dhe homolugu i tij izraelit,  Benjamin Netanjahu vlerësuan dje miqësinë midis dy popujve, e cila ka spikatur veçanërisht në periudha kyçe të historisë, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që pasoi takimin e tyre për rreth dy orë në selinë qeveritare në Tel Aviv.

Siç informon zyra për shtyp e Qeverisë shqiptare, Netanjahu i ka shprehur Kryeministrit tonë mirënjohjen ndaj popullit shqiptar për kontributin në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ne nuk i harrojmë kurrë miqtë”, u shpreh Kryeministri Netanhahu, gjatë prononcimit të përbashkët pas takimit.

“Ndaj dhe është kënaqësi e veçantë për mua që sot të zgjerojmë marrëdhëniet në shumë fusha konkrete, të cilat mbulojnë një spektër shumë të gjerë, mbulojnë tregtinë, investimet, industrinë, ujin. Ne kemi të gjithë nevojë për ujë që të jetojmë, dhe Izraeli ka eksperiencë në fushën e burimeve ujore; ato mbulojnë gjithashtu çështjen e sigurisë, e cila përfshin dhe shqetëson vendet anë e mbanë”, tha Kryeministri i Izraelit.

Kryeministri Rama u shpreh krenar për kontributin e shqiptarëve për shpëtimin e shumë izraelitëve gjatë Luftës së II-të Botërore. “Miqësia jonë  është e bazuar në një histori fantastike të shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë luftës së pushtimit nazist, dhe ne jemi krenarë që kemi qenë një vend ku asnjë hebre nuk ra në duart e nazistëve dhe ku ata gjetën strehë dhe mbështetjeje mes shqiptarëve të feve të ndryshme. Ka shumë histori të familjeve myslimane në Shqipëri të cilat morën në mbrojte familjet hebreje”.

Më tej, Rama shprehu qëndrimin e prerë të qeverisë që drejton ndaj terrorizmit dhe akteve ekstreme të dhunës.

“Së fundmi ne kemi themeluar në Shqipëri një qendër rajonale për të ndaluar ekstremizmin e dhunshëm  dhe ne jemi të vendosur të punojmë së bashku me ju, përkrah popullit izraelit për të mbrojtur vlerat tona dhe njerëzit tanë nga rreziku i terrorizmit dhe i çdo forme tjetër të ekstremizmit, në një vend i cili është krenar për harmoninë dhe bashkëjetesën fetare”.

Kjo vizitë celebron edhe 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Takimi mes dy Kryeministrave dhe delegacioneve respektive konkludoi me nënshkrimin e Deklaratës së Miqësisë mes dy vendeve, ku shprehet angazhimi i mëtejshëm mes dy vendeve për të thelluar marrëdhëniet në të gjitha fushat me interes reciprok, por sidomos në atë të sigurisë, përfshirë sigurinë energjetike, luftës kundër terrorizmit, krimit kibernetik, si dhe në energji, bujqësi, kulturë, turizëm dhe arsim. Kjo deklaratë synon të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si edhe i hap rrugën negociatave për Marrëveshjen e eliminimit të taksimit të dyfishtë.

Gjithashtu u nënshkruan edhe:

-Marrëveshja në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, ku palët angazhohen të nxisin shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit mbi tema që lidhen me shëndetësinë në fusha me interes të përbashkët;

-Memorandum Bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Yad Vashem, Autoriteti i Përkujtimit të Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit, për të bashkëpunuar në promovimin e edukimit dhe përkujtimit të Holokaustit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button