Politika

Rama nga Gjermania: Integrim, para se të jetë vonë

Kryeministri Rama, i cili ndodhet në Gjermani, duke folur në  një takim të fondacionit “Friedrich Ebert” tha se ne e dëshirojmë Bashkimin Europian, kur euroskepticizmi është rritur në Europë sepse e shohim integrimin europian për Shqipërinë dhe Ballkanin, si instrument modernizues dhe forcë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

“Ne nuk jemi duke rendur drejt anëtarësimit, por jemi gjithmonë e më shumë të dëshiruar për të mos humbur perspektivën europiane, si i vetmi horizont në sytë e njerëzve tanë, sepse do të ishte tepër vonë, nëse forcat antieuropiane do të zinin rrënjë në rajon. Mund të pyesni, – vërtet e keni seriozisht që jeni kaq shumë pro europianë sot, kur çdokush do që të dalë, ju do doni të hyni?! Por, mendoj se, është pak më shumë e ndërlikuar dhe më pak sipërfaqësore se kaq. Për ne, Europa ka të bëjë me diçka shumë më shumë të rëndësishme, ka të bëjë me të ardhmen, paqen dhe sigurinë. Për ne do të thotë të ndërtosh të ardhmen mbi të pamundurën e të shkuarës”, tha Edi Rama.

Kryeministri tha se nuk mund te jesh pjese e Bashkimit Europian nëse nuk je në gjendje të flasësh me fqinjin e të bashkëpunosh me të. Sipas kryeministrit, Bashkimi Europian e ka fuqinë për të mbajtur fort paqen dhe të parandalojë konfliktet.

“Dialogu mes Kosovës e Serbisë vazhdon. Serbia po negocion, ndërsa Kosova është i vetmi vend në të gjithë kontinentin, njerëzit e të cilit e kanë të ndaluar të lëvizin lirisht pa liberalizimin e regjimit të vizave. Njerëzit me të drejtë pyesin: Si ishte e mundur të shkonim në Gjermani pa viza, me pasaportë jugosllave, kur ishim nën diktaturë dhe tani që jemi një vend i pavarur nuk mund të dalim jashtë kufijve tanë?!”, tha Rama.

Kryeministri foli në këtë takim edhe për reformat që ka ndërmarrë Shqipëria. Njerëzit tanë e dinë tha Rama, se nuk mund të jemi anëtarë krenarë të Bashkimit Europian nëse kemi një sistem drejtësie që nuk funksionon.

“Lufta kundër korrupsionit ka të bëjë me modernizimin e vendit, ndërtimin e institucioneve dhe të mekanizmave që e bëjnë shtetin imun nga subjektiviteti i njerëzve. Pjesa ku deri tani nuk ka pasur asnjë progres është pjesa e gjyqësorit, pandëshkueshmëria. Pra, përsa i përket kësaj pjese, ne jemi ende të dobët”.

Rama tha se vitin e kaluar sipas barometrit europian, policia ishte institucioni më i besueshëm në sytë e publikut.

“Pikërisht për këtë kemi nevojë për rrugën e integrimit europian, sepse progresi që kemi bërë ka qenë i lidhur me këtë rrugë dhe me këtë trysni. Nuk mund të imagjinoj ku do të shkonim nëse nuk do të kishim pasur rrugën e integrimit. Kemi këtë mundësi fantastike që jemi në zemër të Europës dhe që kemi këtë perspektivë dhe këtë instrument modernizimi që është procesi i integrimit”, tha ndër të tjera kryeministri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button