Politika

Rama për “Corriere Della Sera”: As dorëheqje, as zgjedhje. Opozita është krizë, shkatërruan vetëm një kërpudhë

Nuk po ndodh asgjë. Përveç një krize të thellë të opozitës që nuk është në gjendje të sfidojë politikisht qeverinë. Kjo pakicë është më e dobët se ajo e zgjedhjeve të vitit 2017: nëse do të shkonim të votonim sot, ajo do të merrte më pak vota, deklaron kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën italiane “Corriere Della Sera”.

Më poshtë intervista e plotë e kryeministrit Rama:

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe lider i Partisë Socialiste nuk i mohon problemet e vendit. Korrupsioni për shembull ekziston. Ashtu siç ekzistojnë edhe proceset e montuara me ryshfet. Ka pakënaqësi nga një pjesë e të rinjve. Ekziston edhe droga.

”Por, qeveria ime po bën atë që askush tjetër nuk ka pasur kurajën ta bëjë për të eliminuar këto të këqija të shoqërisë”.

Kryeministër, organizatat ndërkombëtare evidentojnë nivelin shqetësues të korrupsionit në Shqipëri.

”Që në Shqipëri ka korrupsion është jashtë çdo diskutimi. Ka qenë dhe është një problem. Por, mund të them edhe se kjo qeveri po bën maksimumin për ta çrrënjosur”.

Po, por që prej pesë vitesh e gjysmë ju jeni shefi i qeverisë.

”Më lejo t’ju them që jemi impenjuar në maksimum në reformë e drejtësisë: asnjëherë si tani nuk kemi luftuar kaq shumë korrupsionin dhe po punojmë për ta bërë administratën publike të paprekshme ndaj ryshfetit”.

Po ia dilni?

”Qartësisht që është një luftë e gjatë: rezultatet nuk mund të vijnë kaq shpejt”.

Të dhënat makroekonomike tregojnë se papunësia po ulet, edhe mes të rinjve. Po mes të rinjve pakënaqësitë gjithmonë ekzistojnë…

”Sot, Shqipëria ka të dhëna shumë pozitive, mjafton të lexosh shifrat e Bankës Botërore. Kjo nuk do të thotë që kemi zeruar papunësinë apo kemi zgjidhur problemet e të rinjve, por tregon se jemi në rrugën e duhur”.

Ekziston plaga e gjyqtarëve që japin vendime të njëanshme në këmbim të ryshfetit. Çfarë po bëni për këtë?

”Atë që askush nuk pati kurajën për ta bërë në vend dhe në Ballkan, gjë të cilën e vlerëson edhe Bashkimi Europian. Po çojmë përpara një reformë që largon nga gjykatat magjistratët e korruptuar”.

Një problem tjetër është edhe trafiku i drogës që vazhdon të jetë i përhapur në pjesë të ndryshme të vendit…

”Nuk mund ta mohoj. Por, pikërisht disa ditë më parë Guardia di Finanza paraqiti raportin për vitin 2018 mbi luftën kundër kanabisit në Shqipëri dhe rezultatet janë spektakolare për sa i përket luftës së bërë nga qeveria ime”.

Protesta e studentëve disa javë më parë ju çoi në ndryshimin e disa ministrave. A do të thotë kjo se ky manifestim kishte sens?

”Ishte një kundërshtim i sinqertë, ku studentët denonconin problemet reale. Për këtë gjë i dëgjuam dhe pranuam kritikat e tyre”.

Manifestimi i së shtunës dhe sulmi i qëllimshëm ndaj ndërtesës së qeverisë bënë xhiron e botës. Çfarë po ndodh tani në Shqipëri?

”Nuk po ndodh asgjë. Përveç se një krize të thellë të opozitës që nuk është në gjendje të sfidojë politikisht qeverinë. Kjo pakicë është më e dobët se ajo e zgjedhjeve të vitit 2017: nëse do të shkonim të votonim sot, ajo do të merrte më pak vota”.

Por, opozita e drejtuar nga Lulzim Basha, lider i Partisë Demokratike, lëshon drejt jush akuza shumë të rënda: vjedhje votash dhe korrupsion. Ajo thotë se jeni të lidhur me krimin e organizuar.

”Nuk marrë mundimin të bëj replikë. Jam i shqetësuar vetëm për faktin se kjo politikë e baltës nuk ndihmon as ata dhe as vendin. Shpresoj që sa më shpejt të jetë e mundur logjika të dalë mbi dëshpërimin”.

Opozita kërkon dorëheqjen tuaj. Ju çfarë keni ndërmend të bëni?

”As që e mendoj. Unë kam një mandat të qartë nga populli, kemi një shumicë të qartë në parlament dhe në fund unë kam një detyrim ndaj bashkëkombasve të mi. Nuk jam i detyruar të ndjek kërkesat e pakicës parlamentare. Detyrimi i vetëm është kontrata me popullin shqiptar, që na votoi për të qeverisur”.

Pra, pas asaj që ndodhi të shtunën, investitorët italianë dhe të huaj nuk duhet të shqetësohen për asgjë?

”Jo. E vetmja gjë që bëri protesta e opozitës ishte dhënia e një imazhi negativ për Shqipërinë me një dhunë absurde, por me një rezultat zhgënjyes. E vetmja pasojë konkrete ishte shkatërrimi i një vepre arti, një kërpudhë, që e kisha vendosur në lulishten e ndërtesës së qeverisë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button