Rama: Po të kisha në kontroll gjykatën, para saj do ishin Basha e Berisha për 21 janarin
Kryeministri i vendit, Edi Rama i ftuar në emisionin Top Story, në Top Channel, iu përgjigj akuzave të opozitës se ka ndikuar tek gjykata për të nxjerrë nga burgu Armando Prengën, duke e cilësuar këtë tërësisht të pavërtetë, ndërsa shtoi se nëse ai do të kishte në dorë gjykatat, para tyre do të ishin Lulzim Basha dhe Sali Berisha për 21 janarin.
“Nëse më akuzojnë se kam ndërhyrë te gjykatësit për të nxjerrë Prengën nga arresti shtëpiak për ta sjellë në Parlament, janë ata që kanë bërë gjithfarë lloj makinacionesh për këtë gjë. Nëse unë do të isha në kontroll gjykatat minimalisht përpara gjykatës do të ishte Sali Berisha dhe Lulzim Basha për 21 janarin. Unë nuk i kam në kontroll gjykatat dhe jam shumë i lumtur që nuk i kam as unë dhe as ky sistem, që nuk e bën të mundur të kesh kontrollin e plotë ndaj gjykatave. Ndaj duam reformën në drejtësi, që gjykatat të funksionojnë normalisht. Nëse ka një arsye për të diskutuar për këtë është qëllimi për të bërë reformën në drejtësi, që ka interes PD-ja që ta shmangë”, tha Rama.
Dekriminalizimi nuk kap asnjë deputet të PS
Rama deklaroi se mezi pret të hyjë në fuqi ligji i Dekriminalizimit, i propozuar dhe hartuar katërçipërisht nga PD, pasi sipas tij asnjë deputet i PS nuk preket nga ky ligj. Sipas Ramës, është e turpshme që u kriminalizua politika, jeta parlamentare nga ana e PD me propagandë të shfrenua nëpër zyrat e Europës.
“Pa arritur të ngrihet si opozitë, PD është marrë me hijet, hijen e Enverit dhe të pushtetit që e ka kthyer luftën opozitare në një luftë urrejtje ndaj personash, një histori që është trishtueshme për një parti që lindi për të qenë alternative qeverisëse dhe është kthyer në një organizatë kakarisëse. Nuk ka asnjë arsye që të justifikojë një forcë politike të përdorë vezët, edhe në botë kjo është shumë e rrallë.
Nuk ka asnjë arsye protesta e PD, është e gjitha një sajesë që është rezultat i një ezaurimi nervor nga PD. Mezi e pres ligjin që ata preferuan ta quajnë dekriminalizim, një term vulgar për një republikë kushtetuese, që të shikojmë kush janë këta kriminelët. Paniku i tyre është që ligji që e kanë shkruar vetë germë më germë, nuk kap asnjë deputet të PS. Është e turpshme që u kriminalizua politika, jeta parlamentare, me propagandë të shfrenua nëpër zyrat e Europës. Ai ligj që është më i ashpri, nuk kap asnjë deputet të PS, kjo është e vërteta e kriminelëve të PS”, tha Rama.
I pyetur lidhur me rastin e deputetit Armando Prenga, Rama përsëriti faktin se deputeti në fjalë nuk është më pjesë e PS dhe është përjashtuar që në momentin e parë që u mor vesh se ishte përfshirë në një sherrnajë.
“S’ka asnjë parti që përcakton si kriminel një deputet. Kriminel të përcakton gjykata dhe jo partia. Kjo histori s’ka asnjë lidhje me ne, me koalicionin apo me PS-në. Në rastin konkret Armando Prenga është përjashtuar menjëherë nga anëtar i PS-së, sapo doli një çështje që pritet ta zbardhë gjykata nëse ai është kriminel apo jo. Për ne mjafton një deputet, i përfshirë në një sherrnajë të atyre përmasave dhe i ndaluar nga policia me urdhër të Prokurorisë, dhe ai mbetet jashtë grupit parlamentar dhe jashtë PS. Edhe një deputet që gjuan me vezë nuk ka vend në partinë tonë, jo më një deputet që është përfshirë në një çështje ku ka pasur të plagosur”, tha Rama.