Rama: SPAK nuk mund t’i thotë Kuvendit çfarë të bëjë
Kryeministri Edi Rama tha sot se Kuvendi i Shqipërisë është një pushtet sovran, që nuk varet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit apo ambasadat.
Gjatë një konference për mediat nga kryeministria, Rama tha se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka për detyrë t’i thotë Kuvendit se çfarë duhet të bëjë, ndërsa shtoi se ndryshimet ligjore tek ligji për pezullimin e funksionarëve Kushtetuese është i domosdoshëm.
Sipas Ramës, nuk mundet që një prokuror dhe një gjyqtarë të pezullojnë funksionet e një ministri, që janë funksione vitale të qeverisë.
“Nuk e kam lexuar raportin e SPAK, por në mirëbesimin tuaj, nuk është puna e SPAK t’i thotë parlamentit të Shqipërisë se çfarë duhet të bëjë parlamenti i Shqipërisë. SPAK të shoh punën e vetë, ne do të shohim punën tonë dhe ju do të shikoni tuajën dhe të gjithë bashkë do të bëjmë më të mirën që punët tona të bëhen sa më mirë. Dhe sa më mirë të bëhen punët tona, aq më mirë do të bëhet edhe Shqipëria”, tha Rama.
“Detyra e SPAK është të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar dhe ka të gjithë mbështetjen tonë për këtë. Detyra jonë është të bëjmë detyrën tonë kur vjen puna tek Parlamenti, i cili është sovran dhe nuk varet as nga SPAK dhe as nga ambasadat dhe nga askush tjetër. Kështu që këto janë gjëra shumë të qarta dhe nuk ka asnjë problem”, u shpreh kryeministri.
Rama duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, u shpreh se ndryshimi për të cilin ju flisni (ligji për funksionet kushtetuese…shënim i red.) nuk lidhet me raportin e SPAK, nuk ma ha mëndja, që ka të bëjë me atë raport sepse raporti është normalisht një raport pune për një periudhë të gjatë kohe, nuk është raport i lidhur me javët e fundit.
Sa i takon ndryshimeve ligjore, Rama tha se “është një ndryshim i domosdoshëm që do të bëhet dhe është një proces dhe do të votohet. Nuk diskutohet fare. Nuk ka shansë që të ndodhi në Shqipëri, që të çohet një prokuror me një gjykatës që të pezullojnë funksionet vitale të qeverisë, apo të institucioneve të tjera, të cilat nuk mund ta delegojnë dot. Kjo është çështja. Këtu nuk pezullohet personi, por funksioni. Këtë gjë nuk e ka ditur prokurori e gjykatësi që kanë marrë vendim për të pezulluar një ministre, por në fakt kanë pezulluar funksionin. Funksioni, që nuk e ka askush tjetër autoritetin me ligj që të vijojë të udhëheq ministrinë, pa qenë titullar i ministrisë”, u shpreh Rama.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.