Politika

Rama: Tremujori i parë 2016, u arkëtuan afro 100 milionë USD më shumë se objektivi

Gjatë ceremonisë së çeljes së fazës së dytë të aksionit kundër Informalitetit, Kryeministri Rama e ka cilësuar si një moment me rëndësi, duke iu referuar edhe fazës së parë të nisur në shtator, sipas tij, “një reformë historike.”

“ Sot është një moment me rëndësi, për të vijuar, kundër informalitetit, duke hyrë në një fazë të re, të cilën Ministria e Financave e ka pagëzuar si “Faza e Dytë”. Ndërkohë, çfarë ka ndodhur nga faza e parë, është eksperiencë e vyer për të parë përmes fakteve, shifrave dhe ecurisë së marrëdhënieve mes administratës doganore tatimore dhe sipërmarrjes; rezultat e prekshme nga to. Por qoftë edhe për të kuptuar se potenciali është ende i madh edhe i pashfrytëzuar.”- ka thënë kryeministri.

Kryeministri Rama ka nisur të bëjë një retrospektive të gjendjes së vendit sa i përket informalitetit, duke theksuar se në rreth 20 e ca vite ekonomia informale u zgjerua dhe shtriu rrënjët e veta në çdo sektor, duke e bërë të pamundur mbrojtjen e të drejtave të autorit me produktet, duke e bërë të pamundur mbrojtjen e të drejtave të punonjësve. Sipas Ramës, pengoi financat publike të shëndoshen me ritmet e mundura dhe influencoi cilësinë e shërbimeve publike.

“ Çdo sipërmarrës në Shqipërinë që është munduar të ndjekë një rrugë në binarët e ligjshmërisë mund të dëshmojë se çfarë dëmesh i ka shkaktuar biznesit të vet mungesa e lirisë së konkurrencës, korrupsioni dhe zgjerimi i hapësirës së krimit ekonomik, si dhe nevoja e imponuar për të vendosur marrëdhënie të dyshimta me administratën tatimore e doganore.”- ka thënë Rama, duke shtuar se në shtator u çel një betejë e hapur, për një operacion të përgatitur që më parë.

“ Sot çdo biznes ka kasën që funksionon, ka punonjësit e deklaruar. Ne ngritëm një sistem të dixhitalizuar, ku e gjithë puna në terren është e monitoruar dhe krijon mundësinë e kontrollit. Mundësuam të marrim të dhënat reale të këtyre transaksioneve, përmes tij të krijojmë kushtet që inspektimi tatimor të jetë i kontrolluar dhe racional.

Ajo që ka filluar të bëjë diferencën është ndërtimi i një truri elektronik në sistemin tonë fiskal, që është një ndihmë e pazëvendësueshme për të gjithë forcat në anën e shtetit.”- theksoi kreu i ekzekutivit.

Rama, nga ana tjetër, tregoi se duhen mbledhur më shumë të ardhura që të krijohen më shumë kushte në vendin tonë.

Duke folur për rezultatet, kryeministri theksoi se “Sot numërojmë 47 mijë subjekte të reja të regjistruara, afro 50 % më tepër se korriku i 2015. Sot kemi 83 mijë punonjës të regjistruar në vetëm 7 muaj. Përmes sistemit elektronik, sot u është ndryshuar përgjegjësia tatimore mbi 3 mijë subjekteve që sot janë biznese të mëdha. Të dhënat nga të ardhurat e 3 mujori i parë i 2016 tregojnè se ne kemi arkëtuar afro 100 mln dollarë më shumë, 96 mln vetëm nga Tatimet, më shumë se sa objektivi. Jemi thuajse mbi 20 % më shumë se sa një vit më parë. Muaji mars u mbyll me realizim objektivash me rritje shumë të ndjeshme nga marsi i vitit të kaluar.”

Rama shtoi më tej se është regjistruar rritje të ndjeshme në produktet e akcizës, kemi filluar mbylljen përfundimtare të shtigjeve të kontrabandës, kemi rritje të mbledhjes së tvsh-së dhe të tatimit mbi të ardhurat personale.

Por, sipas kryeministrit, ende potenciali është më i madh se sa rezultati.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button