Rama viziton Kosovën, nuk pritet nga Kurti
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron të enjten në Prishtinë në kuadër të një vizite që po i bënë rajonit për përgatitjet e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që pritet të mbahet në muajin tetor në Tiranë.
Ai takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetarin e parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, por deri tani nuk ka konfirmim për ndonjë takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri Kurti një ditë më parë tha se nuk e sheh të arsyeshëm një takim të tillë pa mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive, e cila u anulua një ditë para se të niste punimet në muajin qershor nga kryeministri Rama. Ai tha se “për shkak të anulimit të paarsyeshëm të kësaj mbledhjeje po dëmtohen qytetarët e të dyja vendeve duke mos përfituar nga 13 marrëveshje që ishin planifikuar të nënshkruheshin gjatë saj”.
Kryeministri Rama tha sot para nisjes së vizitës në rajon se ka nënshkruar këto marrëveshje dhe i ka dorëzuar te autoritetet e Kosovës, duke theksuar se me nënshkrimin e Kosovës ato hyjnë menjëherë në fuqi. Ai shfaqi shpresën se kryeministri Kurti pas këtij veprimi do të konfirmojë takimin dypalësh.
Zyra e kryeministrit Kurti njoftoi të enjten mbrëma se marrëveshjet, të cilat mbulojnë siç thuhet bashkëpunimin në siguri, drejtësi, arsim dhe kulturë, janë nënshkruar edhe nga ministrat e qeverisë së Kosovës.
“Marrëveshjet e sotme, së bashku me ato të nënshkruara në dy mbledhjet e mbajtura në dy vitet e fundit mes qeverive, i sjellin vendet e qytetarët tanë më pranë njëri-tjetrit dhe ritheksojnë fuqizimin e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftim. Me gjithë nënshkrimet, takimi nuk ndodhi.
Në një komunikatë për media pas takimit me kryeministrin shqiptar, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se është diskutuar ndër të tjera edhe për situatën aktuale në Kosovë e rajon, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
“Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për t`i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë. Ajo theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit” thuhet në njoftim, ndërsa theksohet se presidentja Osmani e vlereson “të domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë”.
Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, tha pas takimit me kryeministrin Rama se nuk ka një acarim të marrëdhënieve ndërmjet kryeministrave aq sa mos të takohen fare.
“Unë do ta kisha përdorur shprehjen lëndim, kur të lëndon dikush. Ne kemi qenë të lënduar prej anulimit të mbledhjes së qeverive, po jo aq të lënduar sa mos ta presim fare sepse mendoj që ne gjithmonë duhet të shohim nga këndvështrimi i interesit të kombit tonë”, tha zoti Konjufca duke shtuar se beson që “kjo çështje do të rregullohet dhe ata do të takohen së shpejti edhe nëse jo sonte”.
Partitë opozitare në Kosovë e kanë kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit Kurti ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës e cilësuan refuzimin e kryeministrit Kurti për të takuar kryeministrin Rama si hipokrizi politike.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se diskutimet për takim ose jo të kryeministrit shqiptar janë tregues i krizës në të cilën ndodhet aktualisht Kosova në marrëdhënie me aletatët e saj.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vendimi i kryeministrit Kurti u cilësua si “skandaloz dhe i turpshëm” duke theksuar se “çdo kryeministër shqiptar cilido qoftë ai që vjen në Kosovë, vjen në shtëpinë e vet”.