Rasmusseni kërkon tërheqjen e rusëve nga Ukraina
Gjatë një samiti të NATO-s, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen i ka kërkuar Rusisë të tërheqë trupat nga Ukraina e të ndërpresë mbështetjen për separatistët. Iraku dhe në Afganistani gjithashtu në vëmendje.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha në samitin e NATO-s në Wales të enjten se NATO-ja kërkon nga Rusia “t’i japë fund aneksimit ilegal dhe të vetëdeklaruar të Krimesë”.
Ne i bëjmë thirrje Rusisë të tërheqë trupat nga Ukraina dhe të ndalojë furnizimin me armë, luftëtarë dhe fonde të separatistëve”, tha Rasmusseni gjatë një takimi me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko. “Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të tërhiqet nga konfrontimi dhe të marrë rrugën e paqes.”
Takimi i nivelit të lartë të NATO-s, që mbahet në Newport të Wales-it, nisi me një ceremoni, në të cilën Rasmusseni dhe krerët e qeverive nderuan ushtarët e vrarë në misionet e NATO-s jashtë vendit.
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier shprehu optimizëm gjatë samitit që po duket në horizont në Ukrainë një ulje e dhunës.”Do të ishte mirë dhe është urgjentisht e nevojshme që të shënohet përparim në këto bisedime direkte, ” u tha Steinmeier-i reporterëve.
Ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se shtetet e NATO-s janë për një zgjidhje politike ndaj krizës në Ukrainë dhe janë të përgatitur për të folur me Rusinë për këtë. Por njëkohësisht ajo paralajmëroi se sanksione të mëtejshme mund të përdoren për të shtuar presionin. “Ne jemi gjithashtu të përgatitur t’u japim peshë kërkesave tona politike duke vendosur sanksione të tjera”, tha Merkeli të enjten (04.09.2014) në Wales. “Por mesazhi është se ne duam një zgjidhje politike; ne dhe veçanërisht Presidenti i Ukrainës jemi të përgatitur që të flasim me Rusinë për këtë.
Përpara se të niste samiti, Presidenti i SHBA, Barack Obama dhe kryeministri britanik David Cameron e kritikuan ashpër Moskën.
“Rusia ka shkelur të gjitha rregullat me aneksimin prej saj në mënyrë ilegale dhe të vetëdeklaruar të Krimesë dhe me trupat e saj në Ukrainë, të cilat kërcënojnë dhe minojnë një shtet sovran”, shkruan dy liderët në një statement që u shpërnda të premten.
Shqetësime për Lindjen e Mesme dhe Afganistanin
Përpara se të niste takimi i së enjtes, Rasmusseni tha se komuniteti ndërkombëtar ka “një detyrim që ta ndalojë Shtetin Islamik nga avancimi i mëtejshëm” dhe tha se NATO-ja do ta shqyrtonte një kërkesë të Irakut për mbështetje.
Rasmuseni preku edhe situatën politike në Afganistan. Ai u bëri thirrje udhëheqësve afganë të zgjidhin situatën me zgjedhjet presidenciale dhe të arrijnë një marrëveshje që do t’u lejojë vendeve të NATO-s të qendrojnë në vend edhe pas vitit 2014.
Sekretari i Përgjithëm i NATO-s tha se Aleanca është e gatshme të ofrojë mbështetje dhe fonde për Afganistanin, por më parë duhet që ky vend të dalë nga bllokada politike. Afganistanin e përfaqësonte në samit ministri i mbrojtjes, meqenëse rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Afganistan ende nuk janë përfundimtare.