Sporti

Real Madridi merr edhe Superkupën e Europës

real-320x180Real Madrid     2

30’, 49’ Ronaldo

Sevilja    0

Real Madrid: Kasijas, Karvahal, Pepe, S. Ramos, Koentrao (84’ Koentrao), Kros, Modriç (86’ Ijaramendi), Hames (73’ Isko), Beil, Ronaldo Benzema.

Tr: K. Ançeloti

Sevilja: Beto, Koke (84’ Figueiras), Pareha, Fazio, F. Navarro, Vidal (66’ Aspas), Kriçoviak, Karriço, Vitolo, Suarez (78’ Rejes), Baka.

Tr: U. Emeri

KV: Karvahal, Kros / Vitolo, Navarro

Gjyqtar: Mark Klatenburg (Angli)

Alberto Moreno

Mbrojtësi 22-vjeçar i Seviljes nuk luajti në këtë sfidë, pasi gjatë pasdites u transferua për 20 milionë euro te Liverpuli

Debutuesit

Trajneri Ançeloti u ka dhënë mundësinë blerjeve të reja, Kros e Hames, të debutojnë me Realin pikërisht në Superkupën e Europës

Rekordi

Prania e më shumë se 30 mijë spektatorëve në stadiumin e Kardifit, ka shënuar një rekord të ri për Superkupën e Europës

Kristiano Ronaldo, i papërmbajtshëm në sulmin e “galaktikëve të rinj”

“Galaktikët e rinj” të Real Madrid kanë përmbushur me sukses misionin e parë të sezonit: triumfin në Superkupën e Europës. Por në ndeshjen debutuese për Kros e Hames, diferencën për fituesit e Ligës së Kampioneve ndaj triumfuesve të Europa League të Seviljes e ka bërë përsëri i zakonshmi Kristiano Ronaldo, i cili i ka dhënë trofeun e radhës skuadrës madrilene me dy golat e tij.

Duke e trajtuar si një ndeshje miqësore, Ançeloti nuk ngurroi ta niste lojën me një formacion tërësisht ofensiv, në të cilin luanin nga minuta e parë së bashku Modriç, Kros, Hames, Beil, Ronaldo e Benzema. Ndaj nuk ishte çudi që madrilenët e nisën ndeshjen të orientuar drejt sulmit, në kërkim të një goli të shpejtë. Më të lëvizshmit janë Ronaldo e Beil, që kanë secili mundësinë për të kaluar në avantazh skuadrën e tyre, të ndalur me saktësi nga Beto. Nëse Hames e ka të vështirë të bjerë në sy në manovrën madrilene, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Kros, i shkëlqyer në çdo ndërhyrje ndaj kundërshtarëve e më pas në nisjen e sulmeve për skuadrën e tij, që kërkon më shumë aksionet nga krahët. Nga një manovër e tillë vjen edhe goli i avantazhit në minutën e 30-të të sfidës. Ronaldo nis dhe pastaj finalizon në mënyrë perfekte një kundërzbritje të shpejtë, pas harkimit nga e majta e Beil që i krijoi mundësinë portugezit të shtynte topin në rrjetë. Plani i Seviljes për të mbyllur pjesën e parë në barazim dështoi, ndaj skuadra e Emeri provon të linte shenjën e saj në këtë sfidë. Por gjuajtja e vetme e Karriço pas një dhurate të Hames në zonën madrilene, u ndalua nga Kasijas, i cili dha sinjalin e parë se nuk ka ndër mend t’i lëshojë lehtësisht vendin e titullarit të sapoardhurit Keilor Navas.

Pjesa e dytë fillon me një tjetër gol, po nga Kristiano Ronaldo, i cili mposht bashkëkombësin e tij Beto me një diagonale të saktë me të majtën. Për CR7, ky ishte goli i 18-të i shënuar në karrierë ndaj Seviljes, në të 71-tën ndeshje ku ai gjente të paktën dy herë rrugën e rrjetës për Real Madrid. Që nga ai moment, Sevilja duket e dorëzuar dhe nuk i bën shumë rezistencë Realit. Madrilenët regjistrojnë raste të njëpasnjëshme për të shënuar me Beton që detyrohet të bëjë mrekullinë për t’i mohuar Hames golin e tij të parë në ndeshjen e debutimit me Realin. Paraqitja e kolumbianit mbyllet në minutën e 73-të, kur i lë vendin në fushën e lojës Iskos, ndërsa Ançeloti aktivizon në minutat e fundit edhe Marcelo e Ijaramendi, por jo dy lojtarët më të përfolur për t’u larguar nga radhët e skuadrës së tij, Khedira e Di Maria që ndoqën sfidën nga stoli i rezervave. Edhe pse Sevilja u mundua të linte shenjë në këtë sfidë, duke kërkuar një gol në minutat e fundit, Kasijas u tregua i vëmendshëm në çdo tentativë drejt portës së tij. Ndaj vërshëllima përfundimtare e Klatenburg dekretoi fitoren 2-0 të Realit dhe Superkupën e dytë për madrilenët në historinë e klubit, pas asaj të vitit 2002.

Shkurt

Patrik Vieira

Ish-mesfushori francez, Patrik Vieira, ka shpërthyer kundër emërimit të Karlo Tavekios si president i Federatës Italiane. “Është e vështirë të besosh se pas fjalëve që ka thënë, ai të jetë president dhe të përfaqësojë autoritetet futbollistike italiane. Është një turp, kjo tregon se sa larg janë në luftën kundër racizmit”, tha Vieira për drejtuesin italian që kishte lëshuar disa batuta me sfond racist gjatë fushatës së tij.

David Silva

Mesfushori spanjoll, David Silva, ka rinovuar kontratën e tij me Mançester Sitin deri në vitin 2019. Sipas mediave angleze, me rinovimin ka ardhur edhe përmirësimi i marrëveshjes financiare mes palëve, me futbollistin që tashmë do të përfitojë rreth 200 mijë paund në javë.

Markus Roho

Mbrojtësi argjentinas, Markos Roho, ka dorëzuar dje në zyrat e klubit të Sporting Lisbonës kërkesën për transferimin e tij. Futbollisti, për të cilin interesohet Mançester Junajtid, ka bërë të qartë se nuk do të stërvitet derisa të bëhet i mundur ky transferim. Vlera e lojtarit 24-vjeçar, i cili spikati në Botërorin 2014, është rreth 20 milionë euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button