Reforma e re administrativo-territoriale: kur xhelati ankohet se viktima nuk merr frymë

Në vitin 2014, Edi Rama bëri reformën Administrativo-Territoriale pa opozitën.
E bëri vetëm.
E vendosi si fakt të kryer, jo si konsensus kombëtar.
Dhe çfarë erdhi pas saj?
Jo më shumë shërbime, por më pak njerëz. Fshatra e qyteza u zbrazën, bashkitë u dyndën me punonjës, por u tkurrën me qytetarë, shërbimet publike u dobësuan edhe më shumë larg qendrës.
Sot, në 2026-ën, e njëjta histori. Sërish pa opozitën e parlamentit. Sërish një vendim që bie mbi kokat e njerëzve pa i pyetur.
Kësaj here shkrihen bashki e njësi administrative që vetë reforma e mëparshme i kishte krijuar.
Si të mos dyshosh se ndoshta shpopullimi i djeshëm ishte pikërisht paracaktimi i njësimit të sotëm?
Mos u dobësuan qëllimisht këto njësi që sot të kenë “arsyen statistikore” për t’u fshirë?
A është ky keqmenaxhim i rastësishëm, improvizim që ta lejon pushteti absolut, apo vijimësi e përpiktë, që e përligj veç një strategji?
Sa më pak njësi administrative, aq më pak qendra pushteti lokal.
Sa më pak qendra pushteti lokal, aq më i lehtë kontrolli nga qendra.
Pra reforma, me përkufizim të thjeshtë ngushton hapësirën demokratike me hartë në dorë.
Dëmet janë të qarta: Shpopullim i pandalur, largim i shërbimeve nga qytetari, humbje identiteti dhe përfaqësimi lokal, varësi financiare edhe më e thellë e bashkive nga qeveria qendrore, përjashtim i vazhdueshëm i opozitës.
Se na fyejnë rëndë disa deputetë kur krekosen me luftën për të mbrojtur bashki të caktuara kundrejt shkrirjes së të tjerave. Sikur të ketë ndodhur pushtim territori e kuinslingët arrijnë të ruajnë privilegjet.
Por edhe argumenti i shkrirjes, sepse një bashki nuk performon mirë, bie. Zakonisht arsye e dështimit të bashkive nuk janë kufijtë administrativë, por financimi, kapacitetet apo menaxhimi.
As argumenti tjetër se po bëhet kjo shkrirje për të frenuar shpopullimin dhe për të rritur cilësinë e shërbimit s’ka gozhdë ku të varet.
E doni provën? Pasojat e hartës së re gjyqësore. Ua larguan drejtësinë njerëzve, siç bënë me shërbimet shëndetësore, ku dyerve të spitaleve të mbingarkuar të Tiranës kërkojnë shpëtim shqiptarë nga Vermoshi në Konispol. Shihni shkollat që mbyllen çdo vit, shtëpitë që u vihen drynet.
Duket vetëm një dorë që vazhdon të mbledhë fijet e Shqipërisë drejt një grushti të vetëm, ndërkohë që i thotë popullit se po ia hap horizontin.
E njëjta dorë që zbrazi fshatrat e qytezat dje, sot na thotë se po ato fshatra e qyteza janë bosh dhe duhen shkrirë, si xhelati që akuzon viktimën për vdekjen.
Kryeministri që duhej të ndërtonte shtet në bashkëpunim me institucionet, thyen pasqyrën kur s’i pëlqen imazhi që ka pikturuar si mosozot vetë.
Dhe teksa deputetët e tij përplasen gjoks më gjoks për të shpëtuar bashkitë e tyre nga thika e së njëjtës reformë që vetë e votuan, na kujtojnë ata shpirtzinj që lusin shiun të bjerë vetëm mbi arën e fqinjit.
Por shiu i centralizimit s’bën dallim, bie mbi të gjithë. E në fund edhe mbi ata që sot krekosen si të shpëtuar, ndersa kryeministri e trajton territorin si tokë të djegur me buldozerin e “reformës” që veç qytetërim nuk mbjell.
Do ta lejojmë edhe këtë herë?



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.