Reforma në arsimin e lartë, Fuga: Drafti nuk bën reformim radikal të sistemit
Dalja e draftit përfundimtar për reformën në arsimin e lartë për akademikun Artan Fuga tërhiqet nga pozicionet e rrezikshme që kishte por nuk bën reformim radikal të sistemit. Profesor Fuga në një intervistë për News24 deklaron se Komisioni reflektoi propozimet, por ai nuk u thellua në këtë reformë. Para se të kthehet në ligj ky draft, Fuga bën edhe propozimet konkrete që nga reformimi i notave, transformimi i diplomave, heqja dorë nga ideologjizimi i kurrikulave, e deri te dhënia fund e papunësisë masive intelektuale.
Profesor, si e shikoni draftin e ri të dalë përfundimisht nga komisioni prej 11 anëtarësh për reformimin e arsimit të lartë ?
Në befasinë time dhe në një moment të papritur duke studiuar draftin hollësisht vura re që janë korrektuar mjaft elementë që i kemi konsideruar të gabuar dhe të padrejtë, të pastudiuar në tekstin e parë. Ky ndryshim, ky korrektim në variantin e dytë nuk kam si të mos e konsiderojë si pozicion pozitiv edhe mirëkuptues. Këtë e shikoj në idenë që në majën drejtues të universiteteve publike është e hequr ideja për të katapultuar për të emëruar nëpunës të vendosur të shkëputur nga trupa pedagogjike dhe bordin e administratorëve të konsiderohet sikur të jenë pronarët dhe të mbivendosen mbi trupën pedagogjike. Tani është rektori dhe trupi pedagogjike që merr vendimmarrjen. Administratorët vendosen në shërbim të trupës pedagogjike, kjo realizon në majën drejtuese autonominë e vërtetë universitare, së dyti ka një tërheqje drejt shpërndarjes së buxhetit publik për ta çuar edhe drejt bizneseve universitare private të cilët sado të nderuar ose jo të zhvilluar që mund të jenë, kanë bizneset e tyre dhe nuk kanë përse të prekin në fushën e arsimit grantin e mësimdhënies. Ka një tërheqje ndaj kësaj gjëje, universitet publike do financohen nga shteti dhe nga burime të tjera si tarifat studentore për të cilat duhet të bëhet kujdes sepse gjendja është ajo që është e familjeve shqiptare. Por merret angazhimi i shtetit dhe nuk i lihet kjo financimit nga studentët që nuk e kanë mundësinë por kjo për mua nuk duhet të shtrihet vetëm në bachelor po edhe në master. Këtu gjerat duhen parë më konkretisht. është hequr dorë nga ideja që unë personalisht kam thënë, nuk është sistem anglo/sakson dhe kjo nuk përmendet më, nuk është puna te simbolika, është hequr dorë nga trajtimi i universitetit dhe dijes si një mall, sikur te ishte domate, presh apo kastravec që e shpartallon sistemin e dijes dhe të edukimit. Në këto drejtime duke i dhënë mundësi më të mëdha departamenteve në bazë dhe mbi të gjitha duke vendosur në mënyrë të kujdesshme edhe agjencitë që do drejtojnë sistemin do të formohen nga trupa borde që anëtarët e tyre do zgjidhen nga universitetet, kjo sjell një gjykim nga ajo që quhet gjykim nga të ngjashmit, gjë e cila është një ndryshim pozitiv. Kemi një korrektim të shumë gabimeve që drafti i parë përmbante dhe ne ja kemi thënë në mënyrë të sinqertë dhe të hapur një grup pedagogesh, dhe kemi një moment ku një pjesë njerëzish me një lloj servilizmi kanë sulmuar me tone ideologjike dhe personale, tani duhet t’i thërrasin arsyes për të pare se si komisioni është tërhequr nga disa pozicione që ishin të rrezikshme për shtetin dhe kulturën shqiptare. Duke ardhur te disa shina më pozitive, reforma ka nevojë të bëhet më shumë radikale për të shkuar përpara sepse vetëm me ato që parashikon ky draft me nivel relativisht të mirë nuk e zgjidh problemin e kulturës shqiptare, të integrimit të diplomave në tregun e punës, të cilësisë së arsimit shqiptar, duhen reforma më të thella që nuk i shohim në draftin e dytë. Mendoj që komisioni, ministria dhe qeveria të hapin më shumë horizontin dhe shqisat për të dëgjuar se ka vend për reforma më shumë radikale sesa na paraqiten në mënyrë tepër tepër të frenuar, ndofta për interesa private që akoma janë në lojë.
Ju akuzojnë se konstatoni por nuk jepni gjykim apo një versionin tuajin se si mund të bëhet më e mira për draftin. A keni ju sot pas këtij drafti përfundimtar një version se si mund të bëhet një arsim më i mirë shqiptar ?
Unë kam bërë këto vërejtje dhe kam qenë për këto formulime që në draftin e dytë pjesërisht i gjej. Ja ku është qëndrimi konstruktiv, nuk është fare e vërtetë që nuk propozoj, ja ku janë propozimet, po kush na pyeti ? Po të shikosh në fund të draftit komisioni ka marrë vërejtjet dhe ka thënë i kemi reflektuar. Atëherë ku qëndron kjo akuzë ? Është akuza e llafollogëve, akuza e servilëve, akuza e atyre që nuk kanë mendim, që mendojnë për xhepin e tyre me para. Mendoj për reformat e tjera më të avancuara, personalisht dhe me kolegët e mi kemi propozime konkrete. Unë kam propozuar reformën e notave, nuk mund të ecet me këtë sistem notash që është si sistemi i ditëve të koperativave bujqësore, kam folur për vendosjen e kualifikimit dhe standardizimin e vendeve të punës sipas diplomave, kam folur për transformimin e diplomave dhe heqjen dore nga përqasja ideologjike e kurrikulave dhe diplomave. Duhen bërë, po nuk u bënë do të jemi këtu dhe do të dështojmë prapë.
Deri ku çon kjo reformë nëse miratohet kështu siç është dhe kthehet në ligj, sa e transformon arsimin shqiptar dhe a e zgjidh këtë problemin e studentëve që mbarojnë, marrin një diplomë dhe nuk punësohen në treg?
Sipas meje po të jetë vetëm në këtë nivel drafti nuk bën dëm. Evitohen dëmet shumë të rënda për kulturën shqiptare dhe për kombin që do të sillte versioni i parë. Por ky modeli i dytë i le ujërat ne po të njëjtën gjendje kënetore sikurse i ka gjetur. Prandaj unë them, evituam disa elementë negativë, arritëm një model ku arsimi vërtet është një e mirë publike, konstatuam defektet, po nëse duam të përmirësohemi duhet të ecim në reforma të tjera mbi bazën e konceptit europian të arsimit si e mirë publike. Ky draft siç është i le gjërat në një gjendje stanjative dhe status quo.
Ju kërkoni reformim më të thellë dhe radikal, çfarë do të përfshijë ai, cili është problemi më emergjent që ka arsimi shqiptar ?
Për mua duhet të zgjidhet papunësia masive intelektuale e të diplomuarve në Shqipëri. Nga njëra anë prodhohen pa fund të diplomuar nga ana tjetër tregu nuk pranon të integrojë të riun shqiptar të diplomohet . Kjo do të thotë që diploma kthehet në falsitet dhe kjo nuk ka të bëj me falsifikimin e procedurave, po është false se është një mall i cili nuk ka vlerë në treg. Familja paguan, studenti jep rininë e vet, ndërkohë nuk integrohet dot në jetën shoqërore. Kjo është gjëja e parë që duhet zgjidhur, e dyta duhet hequr dorë nga një përqasje akoma ideologjike e kurrikulave dhe diplomimeve që jepen. Akoma kemi një konceptim shumë të ideologjizuar të kurrikulave dhe diplomave. Reforma e notave, reforma e kritereve për punësim në administratën publike e cila duhet të mbajë mbi bazën e meritës të studentit që mbaron shkollën dhe jo kritere të tjera të mbështetura mbi politizimin mbi paranë e miqësinë. Kriteret e vlerësimit të punës së pedagogut të cilat janë të hallakatura, nuk masin vërtet atë që duhet të japi pedagogu. Duhet ti japi zgjidhje të një cilësie në mësimdhënies dhe kulturës universitare që transmetohet drejt rinisë që të jetë cilësore, vepruese bashkëkohore, pragmatiste, dijeformuese dhe të jetë një vazhdimësi e tërë formimit qytetar, moral dhe humanist të të riut shqiptar dhe të gjithë shoqërisë shqiptare, ka vend për masa shumë konkrete.
Në prezantimin e draftit kryeministri shqiptar ka theksuar se universitetet publike vegjetojnë dhe nuk nxjerrë cilësi dhe ndërkohë që gjatë gjithë kohës qahet dhe nuk bën punën ashtu siç duhet ? Kanë akuza mjaft të rënda ndaj universiteteve publike. Si e gjykoni ju këtë ?
Unë ndaj retoriken e marrëdhënieve publike që është njëra anë dhe tekstin dhe atë që shkruhet në tekst. Në qoftë se do të merremi me retorikën do të hyjmë në një rrugë që nuk është rruga e transformimit, ai e gjykon vetë si e ka thënë dhe tek e ka thënë, nuk jam unë që gjykoj fjalët e tij, mua nuk më intereson retorika që shet ose prezanton tekstin, mua më intereson teksti dhe nuk gaboj që në vend të njërës të merrem me tjetrën. Mua më intereson teksti, teksti ka ndryshime pozitive, ka kthim në një model më të arsyeshëm që duhet çuar përpara kjo ka rëndësi. Duhet kuptuar që komisioni dhe hartuesit e draftit të parë janë tërhequr, kanë pranuar në heshtje kritikat tona, por nuk ka rëndësi se kanë pranuar ato, rëndësi ka se kanë ardhur në një rrugë të drejtë, që do të thotë fuqia publike ka pasur dëshirën e dialogut, ka pasur dëshirën e përmirësimit. Pastaj tha këtë dhe atë, hajde të diskutojmë por s’kemi kohë të merremi me këtë tani, atë e di ai e ka thënë ai dhe në një farë mënyre mund të ketë edhe njerëz ose segmente që vegjetojnë, nuk përjashtohet.