Reforma në drejtësi, komisioni nis kapitullin e gjykatave
Komisioni për reformën në drejtësi diskutoi për 6 orë me dyer të mbyllura kapitullin e gjykatave, por nuk mori asnjë vendim. Ky është një ndër kapitujt më të ndërlikuar të reformës, sepse pothuajse çdo nen i saj kërkon vendimmarrje politike.
Në diskutim nuk është vetëm mënyra se si do të zgjidhen anëtarët e Gjykatës së Lartë, apo anëtarët jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Partia Demokratike ka kundërshtuar që në fillim shumicën e cilësuar prej tre të pestat, si dhe rolin e rëndësishëm të Këshillit të Emërimeve në procesin e zgjedhjes së kandidatëve.
Kjo është një çështje për të cilën u ra dakord të diskutohet në fund, por socialistët përsëritën qëndrimin e tyre se nuk negociojnë asgjë që prek arkitekturën e sistemit.
Zoti Pandeli Majko e tha këtë para mediave, si një përgjigje të mazhorancës për qëndrimin e opozitës, që kërkon thjeshëtsimin e sistemit, duke qenë kundër krijimit të Gjykatës së Lartë Administrative dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.