Reformat shëndetësore sfidë për MSH-në
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, priti sot në takim menaxherin për Kosovën të Bankës Botërore, Jan Peten Olters dhe Timothy Johnston, udhëheqës i Programeve të BB në fushën e mirëqenies sociale, shëndetësisë dhe arsimit për Evropën Juglindore dhe Regjionin e Azisë Qendrore, të cilët i ka njoftuar për fillimin e reformave shëndetësore, që sipas tij janë sfidë por do të realizohen brenda periudhës pesë vjeçare.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë, Rrahmani ka falënderuar BB për mbështetjen për fillimin e reformave shëndetësore duke siguruar që Ministria e Shëndetësisë, do të bashkëpunojnë ngushtë në fazat e zbatimit të Marrëveshjes, e cila për qëllim ka përforcimin e mbrojtjes shëndetësore të kategorive të varfra në Kosovë, fuqizimin e kujdesit primar shëndetësor të nënave dhe fëmijëve, fuqizimin e kapaciteteve të Agjensionit të Financimit të Shëndetësisë, përkatësisht në të ardhmen Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ngritjen e cilësisë së shërbimeve, investimet në pajisje, ngritjen dhe modernizimin e sistemit e të informimit shëndetësor, etj.
Ky projekt do të zbatohet gjatë periudhës së ardhshme pesë vjeçare.
Rrahami tha se zbatimi i reformës shëndetësore është sfidë serioze dhe MSh ju ka qasur me kujdes këtij procesi, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët për suksesin e saj.