Refuzoi shkarkimin e gjyqtarëve, Qeveria: KLD po mbron korrupsionin!
“KLD, si organ kolegjial ka dështuar në garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe është kthyer në një strukturë mbrojtëse të interesave personale të gjyqtarëve”, tha ministrja e Drejtësisë.
Gjonaj risolli në kujtesë rastin e tre gjyqtarëve. E nisi me Petraq Currin, gjyqtar në Gjykatën e Durrësit.
“KLD refuzoi të shkarkonte një gjyqtar të Gjykatës së Durrësit (Petraq Curri), që në mënyrë diskredituese la të lirë dhe mundësoi arratisjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore që kërkohej nga Italia”, tha ajo.
Më pas vazhdoi me gjyqtarin e Fierit, Ergys Selmani.
“KLD refuzoi shkarkimin e një gjyqtari (Ergys Selmani) që për shkak të mosarsyetimit tejet të dyshimtë të vendimit të urdhrit të mbrojtjes në kohë, solli humbjen tragjike të jetës së një gruaje prej duarve të bashkëshortit të saj”, shtoi ministrja.
E në fund, përmendi gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Vlorës, Ken Dhima.
“Refuzoi të shkarkonte nga detyra një gjyqtar të Gjykatës Administratives në Vlorë (Ken Dhima), me plot 212 vendime të arsyetuara me vonesë, 85 janë arsyetuar përtej afatit 5-mujor nga data e shpalljes duke cenuar në mënyrë të rëndë interesat e qytetarëve në proceset gjyqësore”, tha Gjonaj.
Për ministren, dita e hënë do të hyjë në ditët e zeza për drejtësinë shqiptare.
“Nxorri në pah sfidën e madhe që kemi përpara për të përmbysur sistemin e kalbur të drejtësisë. Kam besim që me zbatimin pa kompromis të reformës në drejtësi, vendime si ato të djeshmet do të mbeten pjesë e historisë së padenjë të një sistemi që po i vjen fundi”, deklaroi ministrja.