IntervistaKronika

Rehabilitimi i Gjanicës, një investim prej 50 milionë euro që krijon një aks të ri zhvillimi për Fierin

I shndërruar prej dekadash në një vendgrumbullim mbetjesh urbane, inertesh dhe derdhjesh hidrokarbure, lumi Gjanica “arteria e zezë” që përshkron mespërmes qytetin e Fierit pritet t’i nënshtrohet një projekti rehabilitues tërësor që do t’i japë frymën e munguar qytetit.
Në një intervistë për ATSH-në, Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj detajon investimet e fuqishme që po ndërmerren së fundi nga kjo bashki, që sipas tij, janë një “boom” financimesh që i kanë munguar qytetit në 10 vitet e fundit, ndërsa ndalet gjerësisht te projekti për rehabilitimin e lumit Gjanica, për nga rëndësia dhe vlera e investimit, ndoshta më i madhi që po ndërmerret prej dekadash në këtë qytet.

Është rreth 50 milionë euro vlera e këtij investimi që pritet të alokohet në formën e kredisë nga pala kineze. Aktualisht Bashkia e Fierit ka arritur një memorandum mirëkuptimi me kompaninë kineze “Sine Hidro”, që operon në 80 vende të botës, përmes së cilës po negociohet me palën kineze për gjetjen e financimeve me terma të lehta interesi për realizimin e këtij projekti.

Projekti pritet ta shndërrojë lumin Gjanica në një aset ekologjik për qytetin si dhe të krijojë një aks të ri zhvillimi për qytetin, pasi parashikon ndërtimin e dy bulevardeve me gjatësi prej 8 km në të dy anët e lumit, si dhe krijimin e hapësirave të gjelbra.

Projekti për rehabilitimin e lumit Gjanica vlerësohet si ndër projektet më të rëndësishme për qytetin e Fierit. Kur pritet të nisë zbatimi i këtij projekti dhe çfarë parashikon konkretisht ai?

gjanica 1

Zeqaj: Besoj se vitin tjetër do të realizohet investimi për lumin Gjanica. Deri tani është kryer një studim i lumit Gjanica, që nënkupton kufijtë ose gjurmët ku do të kalojë lumi, mënyrën e sistemimit të shpateve, mënyrën e sistemimit të të gjitha rrjeteve kabllore, kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të ujësjellësit. Njëkohësisht projekti parashikon edhe ndërtimin e dy bulevardeve me trotuare në të dy anët e lumit. Gjithësesi veç kësaj nënkupton edhe pastrimin, sepse do të sistemohen gjithë rrjedhjet e ujërave të zeza që ndodhen sot në lumin Gjanica apo rrjedhjet e tjera të hidrokarbureve, siç është aktualisht rafineria e Fierit dhe rafineria e Ballshit. Projekti njëkohësisht nënkupton që të kemi një rikthim të lumit Gjanica me ujë kimikisht të pastër, që qytetarët e Fierit ta harrojnë njëherë e përgjithmonë një lumë shumë të ndotur nga ujërat e zeza dhe mbetjet hidrokarbure. Ky ka qenë edhe fillimi i studimit dhe angazhimi ynë për lumin Gjanica. Një element i tretë është edhe shmangia e përmbytjeve të lumit Gjanica, pasi sidomos vitet e fundit, Gjanica ka përmbytur disa herë banorët që janë përreth shpateve të saj. Në këtë kuptim studimi që ne kemi hartuar nënkupton edhe shmangien e përmbytjeve sepse shpatet do të jenë në lartësi të tillë, që nuk do të lejojnë devijimin e Gjanicës në kohë reshjesh ose në kohën kur Semani ngre nivelin e ujit. Kjo është pak a shumë panorama, por do të jetë një ndryshim shumë i rëndësishëm për Fierin, sepse do të jenë dy bulevarde me rreth 8 km gjatësi, që do t’i përfitojë qyteti kur e dimë mirë se Fierit i mungojnë shëtitoret. Projekti nënkupton edhe hapësira të gjelbëra ose kënde shlodhëse sidomos për moshat e treta dhe fëmijët e vegjël.

Sa është kostoja totale e këtij investimi dhe cilët janë donatorët?

gjanica 2

Zeqaj: Bëhet fjalë për një investim prej rreth 50 milionë euro, një shumë e papërballueshme nga bashkia e Fierit, pse jo edhe nga qeveria shqiptare. Ndaj, të gjitha gjasat janë që në vitin 2015 do të ketë një kredi, besoj një kredi kineze, që do të mundësojë realizimin e këtij investimi, sepse në parim është rënë dakord nga pala kineze dhe pala shqiptare. Pala kineze nëpërmjet një studioje po harton edhe projektin teknik për lumin Gjanica. Është një punë 1 vjeçare që po bënë studioja kineze në Fier për të përfituar një kredi, siç u veprua edhe në rastin e by-passit të Beratit, autostradës Durrës-Tiranë etj. 50 milionë euro besoj se do të jenë kredi se qeveria nuk i ka.

Zbatimi i këtij projekti pritet të prekë shumë subjekte private, shtëpi dhe biznese, të cilat do të duhet të shpronësohen. Mbi çfarë kriteresh do të vlerësohen këto subjekte dhe cila është kostoja totale e shpronësimeve?

gjanic

Zeqaj: Janë më shumë se 90 objekte ato që do të prishen, shtëpi banimi dhe biznese. Nga këto vetëm 30 objekte janë të regjistruara, që nënkuptohet se ato do të shpronësohen. Do të jetë një komision, besoj qeveritar, sepse faturën për shpronësimet do ta paguajë qeveria shqiptare. Bashkia e Fierit e ka të pamundur të përballojë një faturë të tillë, që besoj do të jetë rreth 5 milionë euro vetëm për shpronësimin edhe pse ende nuk kemi një shifër të saktë. Do të jetë qeveria shqiptare që nëpërmjet këtij komisioni do të bëjë verifikimin e të gjitha objekteve. Ka edhe objekte të tjera që mund të jenë shtëpi të vjetra që ende nuk kanë nxjerrë dokumentet përkatëse. Edhe për këtë kategori do të ketë një kujdes të veçantë, ashtu sikurse edhe për një kategori tjetër që jetojnë aktualisht dhe nuk mund t’i hedhim menjëherë në rrugë. Ne do të përpiqemi që nëpërmjet Entit të Banesave t’i sistemojmë në shtëpi banimi. Folëm për tre kategori ndërtimesh që sot janë nën kujdesin e Bashkisë së Fierit për t’u ndarë apo evidentuar. Jemi duke komunikuar me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që gjithçka të jetë e saktë dhe e evidentuar. Pritet në fillim të muajit nëntor të ketë një reagim nga qeveria shqiptare ose një angazhim konkret për fillimin e prishjeve të objekteve që do të preken nga ky projekt.

Si parashikohet të zgjidhet problemi i ujërave të ndotura të Gjanicës? Do të ketë një impiant për përpunimin e tyre?

gjanica 3

Zeqaj: Nuk nënkuptohet ndërtimi i një impianti, sidomos brenda këtij projekti, edhe pse ne kemi patur pretendime që para hyrjes në qytet të lumit Gjanica, ose më në jug të rafinerisë, mund të ishte një impiant që ndante mbetjet hidrokarbure nga uji kimikisht i pastër. Kjo nuk është realizuar ende, pra nuk nënkuptohet ndërtimi i një impianti, por parashikohet pastrimi nga ujërat e zeza përmes sistemimit nëntokësor të të gjitha kanalizimeve, si të ujërave të zeza edhe të derdhjeve që vijnë nga rafineria e Fierit. Pra edhe nëse do të ketë rrjedhje të rafinerisë së Fierit, ato do të sistemohen në këto linja që sapo theksova. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje edhe për derdhjet e rafinerisë së Ballshit.

 Bashkia e Fierit po zbaton aktualisht edhe disa projekte të tjera që kanë të bëjnë me rehabilitimin e qendrës së qytetit, ku përfshihet rikonstruksioni i bulevardit kryesor , lyerja e fasadave të pallateve etj? Çfarë mund të na thoni më tepër mbi këto projekte?

Fier, arrestim

Zeqaj: Ka një dritë jeshile për investime në të gjitha bashkitë e Shqipërisë, mesa kemi informacion, por edhe për bashkinë e Fierit. Ka një vëmendje të qeverisë shqiptare ndaj qyteteve, sidomos qytetet qendër qarku, që të urbanizohen më mirë, të ndërtohen hapësirat e gjelbra dhe bulevardet dhe vëmendja më e madhe është në qendër të këtyre qyteteve. Në Fier ka filluar puna dhe do të përfundojë besoj në fund të këtij viti për bulevardin “Jakov Xoxa”, që është një bulevard themelues për qytetin e Fierit. Kjo punë pritet të përfundojnë brenda këtij viti. Gjithashtu pritet edhe ndërtimi i 4 kalçetove në shkolla, në përputhje me prioritetet që ne kemi, dhe sporti është i tillë. Brenda këtij viti do të realizohet edhe rikonstruksioni i dy shkollave. Pra janë rreth 3 milionë dollarë investime për Fierin, që nuk kanë qenë këto vitet e fundit. Për më shumë se 10 vjet nuk kanë ekzistuar investime kaq të fuqishme, ndërsa ne jemi përpjekur bashkë me burimet e brendshme dhe donatorët të mbajmë frymën e punës gjallë në Fier. Investimet në fjalë janë një “boom” financimesh. Jemi duke komunikuar me qeverinë shqiptare që të ndërtojmë edhe bulevardin e Vlorës ose rrugën Ramiz Aranitasi, edhe përtej QTU-së në zonën e Rrepeve, që sot është një zonë e degraduar. Njëkohësisht jemi duke komunikuar me qeverinë shqiptare dhe jemi dakord që të mbyllim unazën e qytetit, një unazë që ka filluar te ura e Sheqit dhe ka vazhduar në drejtim të jugut. Shpresojmë që këto projekte që janë shumë të rëndësishme t’i përfundojmë brenda këtij viti, për t’i lënë vitit tjetër realizimin e një projekti më të madh, më shumë se 3 milionë dollarë, që synon sistemimin e gjithë blloqeve të pallateve dhe akset rrugore t’i veshim me gjelbërim dhe trotuare, pasi shumë rrugë kryesore në Fier nuk kanë gjelbërimin apo trotuaret e përshtatshme. Pra, janë rreth 3 milionë dollarë investimet aktuale, që po punohet deri në fund të këtij viti, ndërkohë që 3.5 milionë dollarë po negociohen. Pa folur pastaj për 3 milionë të tjera që besoj do t’i përfitojmë vitin tjetër. Investimet janë me ritme shumë të larta dhe komunikimi me qeverinë shqiptare është premtues për këtë fund viti dhe vitin tjetër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button