Reinke i FMN: Qeveria të mos devijojë nga trajektorja fiskale
Flet Përfaqësuesi i Përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në Shqipëri, Jens Reinke: Rreziqet më të mëdha për ekonominë janë një devijim i politikave qeveritare nga rruga e tyre aktuale, veçanërisht nga trajektorja fiskale dhe premtimet kryesore të reformës. Rreziku i goditjeve të jashtme duket të jetë në rënie
Pavarësisht se projektet e mëdha si TAP dhe Devolli janë drejt fundit, Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është optimist për rritjen e vendit në afatin e mesëm. Ai pohon se rimëkëmbja e tanishme ekonomike është mbështetur pozitivisht në një bazë të gjerë, duke përfituar nga rritja e fortë e turizmit, mundësitë në bujqësi, besimi në ndërtim dhe kërkesa e përgjithshme. Megjithatë, z. Reinke tërheq vëmendjen që qeveria të mos devijojë nga politikat aktuale, veçanërisht nga trajektorja fiskale dhe premtimet kryesore të reformave.
Si do ta vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2017?
Gjatë vitit 2017, ekonomia shqiptare vazhdoi rimëkëmbjen, duke përfituar nga përmirësimi i kushteve rajonale, kulmimi i aktivitetit të projekteve të mëdha me financime të huaja (TAP dhe Devoll). Pavarësisht pasigurive politike gjatë pjesës së parë të vitit, besimi duket se po forcohet, duke ndihmuar në rigjallërimin e rritjes së kredisë dhe kërkesës së brendshme.
Cilat janë pritshmëritë për ekonominë shqiptare në vitin 2018? Cilët janë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht?
Gjatë vitit 2018, ne presim që rritja ekonomike në Shqipëri të vazhdojë të forcohet, për të arritur në rreth 4% në afatin e mesëm. Kjo mbështetet në përmirësimin e kushteve ekonomike në partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Turizmi ka të ngjarë të performojë mirë. Sektori bankar ka të ngjarë të reduktojë më tej raportin e kredive me probleme, duke mbështetur një rigjallërim të rritjes së kredisë. Rreziqet më të mëdha për ekonominë janë një devijim i politikave qeveritare nga rruga e tyre aktuale, veçanërisht nga trajektorja fiskale dhe premtimet kryesore të reformës. Rreziku i goditjeve të jashtme duket të jetë në rënie.
Si është tashmë marrëdhënia e re e FMN-së me qeverinë, pas përfundimit të programit trevjeçar në shkurt dhe çfarë synon monitorimi në këtë fazë?
Qeveria është e përkushtuar të vazhdojë reformat e nisura në bazë të programit dhe të vazhdojë të ulë raportin e borxhit publik të Shqipërisë. Përpjekje të rëndësishme lidhen me përmirësimin e menaxhimit të financave publike, forcimin e agjencive të të ardhurave dhe rritjen e klimës së investimeve, në të cilën do të kontribuojnë reformat e drejtësisë. Ne vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet dhe të ofrojmë këshilla për qeverinë. Si një përdorues i mëparshëm i financimit të FMN-së, Shqipëria bën pjesë në të ashtuquajturin “Monitorim pas Programit”, i cili kërkon shqyrtime dy herë në vit të zhvillimeve makroekonomike, rreziqeve dhe politikave.
Sistemi bankar ka hyrë në një fazë konsolidimesh. Ndërkohë në deklaratën e fundit, ju specifikonit se: ”Për t’i zbutur risqet ndaj stabilitetit bankar, Banka e Shqipërisë të sigurojë që kandidatët e rinj për licenca bankare të përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi, të zotërojnë përvojë adekuate bankare dhe të shmangin konfliktin e interesit”. Konkretisht për çfarë e keni fjalën?
Ne mirëpresim konsolidimin e vazhdueshëm në sektorin bankar dhe ofrojmë këshilla për Bankën e Shqipërisë (dhe AMF). Sektori bankar i Shqipërisë mbetet i shëndoshë.
Deri tani, qeveria ka ndjekur politikë shtrënguese fiskale, në linjë dhe me rekomandimet tuaja. Si e vlerësoni konsolidimin e deritanishëm fiskal, përfshirë edhe borxhin e fshehur? A mendoni se qeveria duhet zhvendosë kursin shtrëngues të politikave fiskale dhe buxhetore në kahun stimulues?
Qeveria synon të vazhdojë me konsolidimin fiskal dhe e mbështesim këtë vendim. Niveli i borxhit publik mbetet i lartë dhe lidhet me rrezikun e rritur të afatit të pagesave (roll-over). Buxheti i vitit 2018 dhe kuadri fiskal afatmesëm kërkojnë t’i zbusin këto rreziqe.
Këtë vit, sektori i ndërtimit po kontribuon në gjysmën e rritjes ekonomike të vendit. A po ndjek Shqipëria modelin e duhur ekonomik dhe a është e rrezikshme që të riorientohet likuiditeti në sektorin e ndërtimit, veçanërisht në ndërtimin e apartamenteve?
Mbështetja në një sektor për rritje është gjithmonë e rrezikshme; megjithatë, shohim se rimëkëmbja në normat e rritjes është më e gjerë.
Sipas mendimit tuaj, cilat janë reformat kryesore strukturore drejt të cilave duhet të përqendrohet qeveria shqiptare?
Ka përpjekje të shumta për reforma përpara Shqipërisë dhe disa janë vënë në fokus gjithnjë e më shumë nga procesi i integrimit europian. Reformat e rëndësishme përfshijnë riorganizimin e përzgjedhjes së investimeve publike (duke përfshirë PPP-të) dhe procedurat e zbatimit, agjencitë tatimore dhe doganore të bëhen më efektive dhe miqësore me klientët, si dhe menaxhimi i rritjes së sektorit financiar jobankar. Nëse doni që unë të cilësoj një reformë të vetme si më të rëndësishmen, natyrisht duhet të jetë Reforma e Drejtësisë.
Pas përfundimit të projekteve madhore si TAP dhe HEC-i i Devollit, në cilët sektorë duhet ta orientojë vendi rritjen ekonomike dhe si mund ta nxisë qeveria këtë?
Rimëkëmbja e tanishme ekonomike është pozitivisht mbështetur në një bazë të gjerë, duke përfituar nga rritja e fortë e turizmit, mundësitë në bujqësi, besimin në ndërtim dhe kërkesën e përgjithshme. Është në natyrën e projekteve të mëdha të IHD-ve që ato nxisin luhatje në aktivitete, të cilat janë veçanërisht të dukshme në ekonomitë e vogla. Megjithatë, këto luhatje janë afatshkurtra dhe nuk duhet të na tërheqin vëmendjen nga tendenca e përgjithshme, e cila aktualisht favorizon rritjen e vazhdueshme.