Bota

Rendi i ri botëror dhe mirëbërësit e Davosit

Nga Alan Friedman

Rendi botëror që ne njohim po ndryshon, dhe Davos Man, të paktën për momentin, po sprapset. Udhëheqja e mendimit botëror nuk di se çfarë të mendojë. Dhe ky po që mund të jetë një problem.

Një vit më parë, në samitin e përvitshëm ekonomik të Davosit, elita botërore e financës dhe politikës i kishte idetë shumë të qarta: Donald Trumpi nuk do të mund të mbërrinte kurrë në Shtëpinë e Bardhë, britanikët do të votonin kundër Brexit dhe globalizimi ishte forca më mirëbërëse e historisë së njerëzimit. Rendi global liberal nënkuptonte tregti të lirë, tregje të hapura, lëvizje të lirë të njerëzve dhe një angazhim të përbashkët për të përballuar problemet e klimës.

Këtë vit, delegatët e Davosit gjenden përballë një krize, që në disa drejtime i ngjan një krize ekzistenciale. Feja e tyre e globalizimit duket e diskredituar, të paktën sipas udhëheqësve të zgjedhur rishtaz në SHBA dhe Europë. Elita botërore ka humbur çelësin, ndërkohë që viktimave e efekteve negative të globalizimit, u është dëgjuar zëri në kutitë e votimit.

Me fitoren e Brexit, zgjedhjen e Trumpit dhe humbjen e Renzit në referendum – për të mos folur për lëvizjet ksenofobe dhe anti-imigrantëve që janë në rritje në Gjermani, Francë, Holandë dhe Hungari – kemi hyrë në një fazë të ringjalljes politiko-kulturore kundër establishmentit, një ngritje të popujve kundër elitave, pikërisht kundër atyre elitave që janë mbledhur këto ditë në Davos.

“Davos Man” është termi i famshëm i pagëzuar nga Samuel Huntingtoni, për të përshkruar figurën elitare të Davosit, një mbrojtëse e paepur e globalizimit, por e iluminuar dhe progresiste, për çështje si varfëria në Afrikë, apo klima. Davos Man është një mirëbërës, mbështet vlerat e botës liberale, të diversitetit kulturor dhe biznesit. Jeton në një fluskë luksi, por është gjithmonë politikisht korrekt. Zbret nga helikopteri, i veshur përgjithësisht “corporate casual”, takohet me Davos Man-ët e tjerë në barin e hotelit Seehof, për dollinë e përshëndetjes me George Sorosin, apo ndoshta për të dëgjuar rrëfimin e radhës të ish presidentit Bill Clinton.

Në letër, këtë vit në Davos tema për t’u diskutuar është përgjegjësia e lidershipit. Por tema e vërtetë mund të jetë përgjegjësitë e Davosit, që këtë vit shfaqet më shumë si simbol i problemit, se sa si zgjidhje. Elita botërore është në shënjestër, dhe do të bënte mirë të pyeste veten mbi arsyet përse populistët po i vënë përfund elitat në gjysmën e Perëndimit. Nëse Davosi do të shërbejë për një gjë këtë vit, do të jetë se do të shenjojë fillimin e një periudhe të thellë reflektimi nga ana e elitës botërore. Nuk mjafton të ankohesh për risqet e proteksionizmit me ardhjen e Donald Trumpit. Nuk mjafton të bësh autokritikë për efektet e globalizimit. Duhet pranuar se me ardhjen e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, po hyjmë në një periudhë të politikës ndërkombëtare të paparashikueshme e të pasigurtë. Duhet pranuar se rendi botëror liberal me të cilin jemi mësuar prej gjysmë shekulli, është duke u riplazmuar, dhe në ndonjë rast po dalin demokraci joliberale.

Ndërkohë Vladimir Putini vazhdon të ribëjë hartën gjeopolitike të gjysmës së planetit, pasi sapo ka orkestruar një shkelje të rëndë në fushatën elektorale në Amerikë, në favor të Trumpit.

Ndoshta ironia më e madhe e këtij samiti është që ardhja e Donald Trumpit po hap rrugën e shfaqjes së një Kine më me ndikim në skenën botërore. Dje, për herë të parë, Presidenti i Kinës hapi samitin e Davosit, dhe mesazhi i Xi Jinping ka qenë ai i një protagonisti të madh. Kina po paraqitet në Davos dhe para botës si forca e besueshme për stabilitetin ndërkombëtar, në favor të tregtisë së lirë, por përmes një globalizimi më përfshirës dhe të barabartë. Kina tani bën të mirën, dhe mundet që edhe të joshë Davos Man-in. Falë Donald Trumpit, sot Kina pozicionohet si udhëheqësja botërore edhe në mbrojtjen e mjedisit dhe në mbrojtjen e marrëveshjes për klimën. Pa koment.

Rendi botëror që ne njohim po ndryshon, dhe Davos Man, të paktën për momentin, po sprapset. Udhëheqja e mendimit botëror nuk di se çfarë të mendojë. Dhe ky po që mund të jetë një problem. /Corriere della Sera/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button