Rënie me 9,4% e numrit të aksidenteve në periudhën janar-shkurt 2026
Instituti i Statistikave (INSTAT), informon në raportin e fundit të bërë publik se për muajin shkurt 2026, në vend janë regjistruar 97 aksidente rrugore, nga të cilat kanë mbetur të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur) 125 persona.
INSTAT bën me dije se gjatë periudhës janar-shkurt 2026, numri total i aksidenteve rrugore ka shënuar një ulje me 9,4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas raportit, në 86,6% të rasteve gjatë muajit shkurt, aksidentet kanë ndodhur si pasojë e drejtpërdrejtë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Kjo përfshin mosrespektimin e rregullave të qarkullimit si normat e shpejtësisë, mosbindja ndaj sinjalistikës apo parakalimet e gabuara. Pjesa e mbetur i atribuohet sjelljes së pakujdesshme të këmbësorëve.
Të dhënat tregojnë, se drejtuesit e mjeteve apo personat e përfshirë në aksidente në moshën 25–34 vjeç përbëjnë 27,8% të numrit total të aksidenteve.
Sa i takon ditëve dhe orareve kritike të aksidenteve rrugore, INSTAT informon se dita e shtunë mban numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 21,6% të totalit, ndërkohë që dita më e “sigurt” rezulton e marta (10,3%). Për sa i përket orareve, fasha kohore e paradites 08:00–12:00 është më e rrezikshmja, me 22,7% të ngjarjeve të regjistruara.
Nga ana tjetër, Tirana kryeson si qytet me numrin më të lartë të aksidenteve, ku sipas INSTAT vetëm në muajin shkurt 2026, në kryeqytet u regjistruan 42 aksidente (dyfishi krahasuar me 21 aksidente në shkurt 2025), duke lënë 51 persona të lënduar/vrarë.
Qarqe si Vlora dhe Lezha shënuan gjithashtu shifra të larta me përkatësisht 10 dhe 9 aksidente.

/e.i/a.f/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.