Ribotohet libri “Gjuha Shqipe për të Huajt dhe Shqiptarët jashtë atdheut”
Është ribotuar nga shtëpia botuese “Toena” libri mësimor kushtuar studentëve dhe shqiptarëve jashtë atdheut i titulluar “Gjuha Shqipe për të Huajt dhe Shqiptarët jashtë atdheut”.
Prof. Gjovalin Shkurtaj dhe Prof. Enver Hysa(bashkëpunëtor i shkencave që ka ndihmuar për termat e gramatikës e të fonetikës në Fjalorin e gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980), janë edhe autorët e tekstit mësimor i cili sipas profesor Shkurtaj është një metodë për të nxënë gjuhën shqipe.
“Synimi i librit është i kufizuar dhe i qartë t’u mësojë atyre që dëshirojnë se si lexohet dhe flitet shqipja e sotme letrare” citon Prof. Shkrurtaj në përshkrimin që I bën librit i cili vjen si një botim i ripërpunuar.
“Ky libër” shton Shkurtaj, “ synon t’u japë njohuritë kryesore për të lexuar dhe për të shkruar e folur gjuhën shqipe letrare, në radhë të parë, atyre që shqipen e kanë gjuhë të nënës, por nuk i kanë mundësitë për ta nxënë në shkolë me program të rregullt si lëndë mësimore”.
“Gjuha Shqipe për të Huajt dhe Shqiptarët jashtë atdheut” jep njohuritë kryesore të gramatikës së shqipes standarde, me një metodë të thjeshtë e kryesisht praktike.