Ekonomia

Rimbursimi i TVSH-së, Këshilli i Investimeve i jep 10 rekomandime qeverisë

Këshilli i Investimeve pas një studimi të thelluar rreth procesit të rimbursimit të TVSH-së ndaj bizneseve ka dalë me 10 rekomandime drejt qeverisë dhe instancave të saj për përmirësime të mëtejshme. Propozimet lidhen me respektimin e afateve ligjore për rimbursim, me një transparencë më të madhe, lehtësim i procedurave etj. Ja 10 rekomandimet drejtuar qeverisë

Rekomandim 1. Respektimi i afateve të parashikuara në kuadrin ligjor për rimbursimin e TVSH-së.

Të vijojë zbatimi i rimbursimit automatik TVSH-së për eksportuesit mbi 70% brenda 30 ditëve, brenda 30 ditëve për eksportuesit 50% – 70% sipas analizës së riskut dhe brenda 60 ditëve për të gjithë tatimpaguesit e tjerë po sipas vlerësimit të analizës së riskut. Realizimi i procedurave brenda afateve ambicioze të parashikuara në kuadrin ligjor mbetet një sfidë për administratën. Pavarësisht faktit që këto afate mund të jenë disi të shkurtra, arritja e tyre duhet të mbështetet në elementët e mëposhtëm:

  1. Kritere efektive të analizës së riskut
  2. Trajnime periodike të vazhdueshme për administratën tatimore.
  3. Zbatimi edhe për administratën tatimore i detyrimit për të paguar kamatëvonesat ndaj bizneseve si rezultat i vonesave të rimbursimit të TVSH sipas parashikimit të Nenit 76 të Ligjit Nr.9920.

Rekomandimin Nr. 2.  Lehtësimi i barrës proceduriale për administratën tatimore dhe bizneset

1.Zbatimi efektiv i sistemit të riskut që të mundësojë reduktimin në praktikë të numrit të kontrolleve në përgjithësi të administratës tatimore (përfshirë edhe kontrollet për rimbursimin e TVSH-së). Në këtë kuadër të rritet bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit ndërmjet DPT dhe DPD edhe për vlerësimin e riskut për rimbursimin e TVSH-së, si pjesë e planeve për ndërmarrjen e analizave të përbashkëta për riskun tatime dhe dogana.
2.Konsiderimi në elementët e riskut të rasteve kur biznesi ka kaluar brenda një periudhe kohore, p.sh. prej 1 viti në kontroll të plotë/thelluar për të shmangur kontrollin e rimbursimit të TVSH-së për periudha tatimore të përfshira në këtë afat. Ky element të njihet edhe në dokumentet e brendshme udhëzues për inspektorët e DPT.

3.Zbatimi korrekt i parimeve për rimbursimin e TVSH-së kur subjekti tatimpagues plotëson kriteret bazë, p.sh. shumën prej 400,000 Lekë dhe për 3 muaj rresht. Të shmangen praktikat kur bizneseve ju njihen tepricat kreditore si të kreditueshme, por jo të rimbursueshme mbi bazën e dyshimeve të paarsyeshme dhe të pambështetura në kuadrin ligjor.

Rekomandim 3. Thjeshtimi i mëtejshëm i procedurave të rimbursimit të TVSH-së.

Disa prej bizneseve dhe ekspertëve të kontaktuar nga Sekretariati shkojnë përtej në sugjerimin e tyre për thjeshtimin e procesit nëpërmjet rimbursimit automatik të TVSH-së mbi baza mujore për çdo teprice kreditore. Sipas tyre risku i praktikave abuzive në këtë rast është plotësisht i shmangshëm me kryerjen e kontrolleve të thelluara sipas kritereve të sistemit riskut, kryqëzimit në kohë reale të informacionit midis institucioneve, p.sh. tatime dogana, tatime-QKB etj. Në këndvështrimin e Sekretariatit një reformë e tillë duhet parë më tepër si objektiv afatgjatë për t’u arritur, sesa si mundësi reale për t’u zbatuar në afat të shkurtër, në kushtet kur ende administrata dhe vetë biznesi janë në faza shumë të hershme të konsolidimit të aktivitetit të tyre për të garantuar përputhshmëri me legjislacionin në fuqi.

Rekomandim 4. Bërja transparente e procedurave të brendshme në trajtimin e rasteve të rimbursimit të TVSH-së.

Sugjerohet përgatitja dhe bërja publike e një dokumenti të brendshëm për administratën tatimore – Rregullore për Rimbursimin e TVSH-së e cila të detajojë parimet dhe kriteret bazë të riskut, hapat, procedurat dhe afatet konkrete që duhet të kenë në konsideratë hallkat e ndryshme brenda administratës tatimore sa i përket kësaj procedure, përfshirë Drejtorinë e Riskut, Drejtorinë e Kontrollit dhe Drejtorinë e Rimbursimit të TVSH-së. Dokumenti do të mundësojë përgatitjen profesionale të inspektorëve sidomos në nivel vendor por edhe standardizim të procesit nga niveli qendror në atë lokal. Rekomandohet publikimi i kësaj Rregulloreje si shprehje e standardit të lartë për një administratë transparente, të përgjegjshme dhe në funksion të tatimpaguesve.

Rekomandim 5. Përmirësimi i informacionit të DPT nëpërmjet një website interaktiv (përfshirë një help desk ose hub), për biznesin në funksion të edukimit fiskal të tatimpaguesve dhe rritjes së transparencës, por mbi të gjitha një shërbimi më të strukturuar.

Në këndvështrimin e Sekretariatit, por edhe në vijim të komenteve të marra nga bizneset, ky informacion është i domosdoshëm por mbetet akoma papërpunuar, dhe jo orientues sipas kërkesave të tyre specifike. Është e nevojshme që informacioni të mbërrijë tek tatimpaguesit në mënyrë më të strukturuar, qoftë nëpërmjet faqes zyrtare në internet ashtu edhe nëpërmjet sesioneve të trajnimit, ne orare te caktuara online, për kategori të caktuara biznesesh. P.sh mbetet i vështirë orientimi i tatimpaguesit mesatar në faqen e internetit aktuale për të gjetur qoftë edhe ndryshimet më të fundit në legjislacion (viti 2015-2016).

Rekomandim 6. Biznesi duhet të ngrejë me tej “kapacitetet e veta” ne drejtim të marrjes, informimit në kohë dhe në mënyrë të saktë të çdo lloj ndryshimi që prek mjedisin ku ai operon.

Nga analizat e Sekretariatit dhe takimet me të gjithë aktorët, rezulton se është e domosdoshme një angazhim ndoshta me persona të “dedikuar” nga ana e shoqatave të biznesit që të ofrojnë këtë shërbim kundrejt bizneseve, duke ju vendosur në dispozicion informacion të saktë dhe në kohë reale, për të mundësuar edhe një debat e konsultim më të strukturuar në lidhje me ndryshimet që prekin biznesin.

Rekomandim 7. Planet buxhetore të mos kushtëzojnë vendimmarrjen e administratës tatimore për vonesat në rimbursimin e TVSH-së kreditueshme.

Ky rekomandim është paraqitur gjatë diskutimit të Sekretariatit me ekspertë të fushës në Fokus Group të datës 07.11.2016. Në këtë takim u pranua se respektimi nga administrata tatimore i afateve lidhur me përmbushjen e procedurave të rimbursimit të TVSH, kushtëzohet midis të tjerave edhe nga nevoja e saj për të realizuar planin periodik të të ardhurave tatimore, sipas parashikimit të Ministrisë së Financave.

Sipas ekspertëve, zëri i TVSH të rimbursueshme nuk duhet të jetë përgjegjësi e administratës tatimore, por të planifikohet si zë buxhetor më vete. Në këtë mënyrë administrata tatimore do të shmangte “konfliktin e interesit” për realizimin e planit të të ardhurave nga njëra anë dhe respektimin e afateve të parashikuara për rimbursimin e TVSH-së së kreditueshme.

Rekomandim 8. Rritja e kapaciteteve të administratës tatimore nëpërmjet trajnime të vazhdueshme dhe specifike për procedura konkrete sikurse edhe rimbursimi i TVSH-së.

Rekomandim 9. integrimi dhe konsolidimi i shërbimeve të agjencive qeveritare në Portalin e-Albania.

Ulje e kohës dhe kostove për biznesin në marrjen e vërtetimeve apo deklaratave rutinë nga DPT, DPD, ZVRPP etj. Promovimi i shërbimeve të këtij Portali në administratat përkatëse.

Rekomandimi 10 – Reforma e nisur në 2015, të strukturohet më tej, të forcohen përpjekjet për zbatimin e masave anti-informalitet.

Sikurse është rekomanduar nga KI edhe në mbledhjen Nr.3 “Informaliteti Sfidë e Përbashkët Qeveri–Sipërmarrje” çdo masë në kuadrin e reformës për formalizim duhet të bëhet në partneritet me biznesin e ndershëm. Zbatimi në vazhdimësi i masave ndaj bizneseve të cilat ushtrojnë aktivitet ekonomik duke mos lëshuar fatura tatimore, duhet të jetë prioritet. Zbatimi i këtyre masave duhet të ketë karakter jo vetëm penalizues, por edhe edukues për të gjithë tatimpaguesit, me objektiv final krijimin e kushteve për konkurrencë të ndershme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button