Rooney “sulmon” Salah: Nëse do isha në vend të Slot, nuk do e lija t’i afrohej qendrës stërvitore
“Nëse do të isha në vend të Arne Slot, do t’i thoja të mos i afrohej fare qendrës stërvitore”. Wayne Rooney nisi një sulm të ashpër kundër Mohamed Salah pas komenteve të fundit të sulmuesit të Liverpoolit në rrjetet sociale.
Ish-ylli i Manchester United kritikoi hapur Salah për mesazhin që postoi në internet, në të cilin u bëri thirrje të Kuqve të kthehen në një ekip me “një sulm ‘heavy metal’ që kundërshtarët e kanë frikë”, një frazë e interpretuar në Angli si një sulm ndaj trajnerit Arne Slot.
Duke folur në emisionin “The Wayne Rooney Show”, Rooney nuk i kurseu fjalët: “Ky është trajneri yt. Nuk mund ta tregosh dy herë mungesë respekti publikisht dhe t’ia dalësh mbanë”.
Pastaj vazhdoi: “Nëse do të isha Arne Slot, do të shprehja autoritetin tim dhe do t’i thoja qartë se nuk duhet t’i afrohet qendrës stërvitore të shtunën, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo. Dyshoj se Slot do ta bëjë vërtet këtë, por mendoj se duhet”.
Rooney komentoi gjithashtu për performancën sezonale të egjiptianit, me 12 gola në 40 paraqitje: “Mendoj se ai thjesht po përpiqet të justifikojë veten dhe të ndihet më mirë, duke pasur parasysh se ka pasur një sezon shumë zhgënjyes”.
Për Salah, gati të largohet nga Anfield në fund të sezonit pas nëntë vitesh, 257 golash dhe gjashtë trofeve me Liverpoolin, fundi i aventurës së tij në Angli vazhdon të shënohet nga polemika dhe tensioni.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.