Rrëfimi i Chris Hill: Procesi i Nanos, as unë, as Ambasada nuk janë përfshirë
Ambasada Amerikane në Tiranë ka përkujtuar të hënën, 25 vjetorin e rihapjes së selisë diplomatike në Shqipëri. Të pranishëm, veç figurave të njohura të politikës, ishin dhe disa nga personat që kanë qenë të pranishëm çerekshekulli më parë.
Një prej tyre, i ngarkuari me pune i SHBA-ve në atë kohë në Tiranë, Christopher Hill. Në fjalën e tij, Hill rikujtoi premtimin e mbajtur nga Shtetet e Bashkuara se nuk do ta linin asnjëherë Shqipërinë vetëm dhe kërkoi nga Shqipëria që të vijojë të mbajë premtimin dhe kërkoi nga politika shqiptare të bashkëpunojnë mes njëri-tjetrit, ashtu siç bashkëpunojnë me Amerikën.
Gjatë pasdites, Christopher Hill ju akordua titulli “Honoris Causa” nga Universitetit Europian i Tiranës. Ai ndodhet në Shqipëri për publikimin e librit të tij “Pararojë”.
Kur flasim për kohën që keni shërbyer në Tiranë kujtojmë që ish-kryeministri Fatos Nano ju ka akuzuar ju dhe Ambasadën Amerikane se qëndroni pas burgosjes së tij. A e keni takuar Nanon gjatë këtyre viteve dhe si i shihni sot këto akuza?
Christopher Hill: Nuk e kam absolutisht idenë se për çfarë flet ai. Mund t’ju siguroj se roli im ka qenë zero. As ambasadorin nuk e kam pyetur, por jam i sigurt se dhe ai nuk ka luajtur asnjë rol, ndaj nuk e kuptoj. Sigurisht që e kam dëgjuar këtë gjë, por nuk e di kujt i referohet. E përsëris, askush në Ambasadën Amerikane nuk ka interes të përfshihet në diçka të tillë. Ndaj unë dhe ambasadori nuk kemi pasur gisht në këtë gjë. Se di me çfarë ka lidhje kjo, por jo me ne.
Gara për Shtëpinë e Bardhë po ndiqet edhe këtu në Shqipëri. Njerëzit e shohin si favorite zonjën Clinton, por i tremben edhe fitores së Trump.
Christopher Hill: Edhe ne gjithashtu.
Në rast se Trump zgjidhet president, a do të ketë një ndryshim të madh të politikës së jashtme amerikane ndaj Ballkanit dhe Shqipërisë?
Christopher Hill: Unë mendoj se ai nuk duhet të zgjidhet president. Trump nuk kupton asgjë nga këto çështje, Ballkani, Koreja apo Afrika. Por fatmirësisht besoj se ai nuk do të zgjidhet dhe e them këtë si një qytetar që do të votojë.
Si e shihni gjendjen e sigurisë sot në botë, duke parë rrezikun që vjen nga Koreja e Veriut apo ISIS në Siri?
Christopher Hill: Bota sot është një vend shumë i rrezikshëm, madje më e rrezikshme se në të kaluarën. Koreja e Veriut vërtet po përpiqet të prodhojë një armë bërthamore. Unë mendoj se edhe Rusia nuk po sillet mirë. Në vitet ’90 ishin shumë më të besueshme, ndërsa sot nuk janë më. Lindja e Mesme është shqetësuese, ndaj SHBA-të kanë nevojë për një president që i kupton këto çështje dhe që di të përballet me to. Për këtë kemi vetëm një kandidat të tillë dhe nuk është zoti Trump.