Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, dënohet me burg përjetë Altin Hajri
Gjykata e Posaçme ka dënuar me burgim të përjetshëm sot në 24 mars Altin Hajrin.Ai akuzohet për rrëmbimin me pasojë vdekjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020 në Kamëz.
Hajri ka mohuar akuzat përmes avokatit të tij, duke u shprehur se nuk ka pasur dijeni për planin e rrëmbimit të Prengës. Më herët për këtë ngjarje është dënuar edhe F.B., po me burgim të përjetshëm.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në Kamëz në 17 janar. Policia arriti në përfundimin se viktima Jan Prenga ishte vrarë po ditën kur ishte rrëmbyer dhe se ishte dërguar pa shenja jete në një resort në Shijak.
Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet një vit më vonë për ata që konsiderohen si porositës dhe organizatorë të rrëmbimit të Jan Prengës, dhe i kërkoi Gjykatës ti marrë të pandehur. D.R, G.F, M.B., K.K., A.D., A.M. dhe G.M., akuzohen për rrëmbim dhe zhdukje të kufomës, vepra penale të kryera në kuadër të grupit kriminal.
Sipas SPAK, D.R, dhe G.F., në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës. Rrëmbimi është porositur pasi shtetasi A.P., vëllai i viktimës dyshohet se ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste dy të pandehurve, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që i vëllai i viktimës dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.
Prokuroria konsideron si organizator të rrëmbimit, shtetasit M. B. e K.K. dhe personat që kanë marrë në Kamzë Jan Prengën në datë 17 janar 2020, janë A.D, A.M., G.M. . Trupi i Prengës nuk është gjetur ende.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.