Kryeartikull

Rrethimi me shembuj e than lëvizjen e Berishës

Prec Zogaj

Zyrtarët dhe ish zyrtarët e shpallur ‘non grata’ apo të sanksionuar me bllokim të pasurive nga SHBA dhe Britania e Madhe kanë secili historitë e tyre personale. Si është njëri, nuk është tjetri. Nga lista amerikane dhe britanike e javës së shkuar del edhe njëherë në pah se motivet bazë që kanë çuar në ndëshkimin e tyre janë dy: Korrupsioni në një anë, minimi i demokracisë në anën tjetër.

E thotë shumë qartë Ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss, në deklaratën e saj për sanksionimin e politikanëve serbë të Bosnjës, Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanovic, të cilët ishin shpallur non gratta më parë nga SHBA: “Këta dy politikanë po minojnë qëllimisht paqen e fituar me vështirësi në Bosnje-Hercegovinë. Të nxitur nga Putini, sjellja e tyre e pamatur kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Me këto sanksione të ashpra po tregojmë se armiqtë e paqes do të mbajnë përgjegjësi”, tha zonja Truss.

Sanksionimi nga SHBA i ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, dhe ish-shefit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit në këtë vend, Sasho Mijalkov, mikson në peshoren e vendimit dy motivet e lartpërmendura. Ku flirtimi dhe angazhimi ndaj politikave destabilizuese të Moskës peshon po aq rëndë e në mos më shumë se korrupsioni.

E njëjta gjë mund të thuhet për ish Presidentin e Malit të Zi gjatë periudhës së federatës serbo malazeze, Svetozar Marovic, i arratisur në Serbi për t’i shpëtuar ndëshkimit nga drejtësia.

Këto sanksionime dhe të tjerat para tyre tregojnë qartë se korrupsioni madhor i zyrtarëve të lartë shkon çift me sjelljen e tyre antidemokratike, orientimin antiperëndimor dhe flirtimin me Rusinë putiniste. Të sanksionuarit nuk janë thjesht të padëshirueshëm (non grata) në tokën amerikane dhe Britanike. Më shumë se kaq, ata janë shpallur publikisht si kundërshtarë dhe armiq të demokracisë qoftë në vendet e tyre, qoftë të SHBA, Britanisë së Madhe dhe Perëndimit në tërësi. Shpalljet pasqyrojnë dhe theksojnë vijat e kuqe që ndajnë hapësirën demokratike euroatlantiste nga hapësira autokratike, iliberale e Rusisë dhe aleatëve të saj. Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-se në NATO dhe i dërguari i Uashingtonit në Ukraine shkruante në “Foreign Policy” në vjeshtën e vitit 2018: “Një Ballkan i cili, ngadalë por i sigurt, po bëhet pjesë e Europës normale, po acaron gjithnjë e më tepër ambicien ruse për ta përçarë Europën në zona influence, për të legjitimuar praktikat jodemokratike, mënyrën jo perëndimore të sundimit nga lart-poshtë dhe krijimin e mundësive që Rusia ta ushtrojë influencën e vet përmes korrupsionit, operacioneve të spiunazhit dhe dezinformimit”. Sigurisht, nuk është e thënë që çdo i sanksionuar për veprimtari korruptive e është automatikisht, së paku në mënyrë të vetëdijshme, në shërbim të politikave antiNATO dhe antiBE të Rusisë. Një gjë e tillë thjesht do ta shkarkonte të sanksionuarin nga njëra prej akuzave, por jo se do ta amnistonte nga tjetra. Korrupsioni dhe blerja e votave minojë demokracinë edhe kur i bën dikush që mund të mburret se është atdhetar i flaktë.

Shqipëria është në fokusin e përdorimit të instrumentit non grata nga SHBA dhe me gjasë edhe nga Britania e Madhe kryesisht për shkak të korrupsionit endemik, pandëshkueshmërisë nga në qeveri në tjetrën, vulnerabilitetit të elitës së korruptuar politike për t’u kapur nga krimi dhe stratagemat politike antiperëndimore. Nga kjo pikëpamje dhe për arsye të tjera që lidhen me fatin e saj dhe me historinë e marrëdhënieve me SHBA në veçanti, Shqipërisë i shkon të jetë e duhet të jetë shumë më e ndjeshme, më e vendosur dhe më solidare se vendet sllave fqinje në mbështetje të instrumentit non grata.

Deri para një viti, PD, Berisha, opozita e tundnin këtë instrument si flamur të luftës kundër korrupsionit dhe krimit në Shqipëri. Muzika ka ndryshuar pas një viti. Shpalljet e fundit nga SHBA dhe Britania e Madhe janë përshëndetur nga kryetari në detyrë i PD-së Enkeljed Alibej, Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, deputetët demokratë Lulzim Basha dhe Jorida Tabaku. Ndërkohë kanë kaluar në heshtje nga Berisha dhe Grupi i Rithemelimit dhe janë komentuar aty këtu me arra nëpër gojë nga ndonjë zyrtar i shumicës socialiste të Ramës.

Arsyeja që Berisha me të tijtë kanë mbyllur gojën është e qartë. Nga një anë është e kuptueshme dhe madje e justifikueshme që njeriu të heshtë kur ndëshkimi ‘non grata’ që ka pësuar personalisht godet të tjerë. Heshtja në këtë rast është gjithsesi më mirë se të tregosh solidaritet të hapur me Dodikun, Gruevskin, Rakipin apo Ndroqin. Por heshtja për këto shpallje e komprometon dhe e rrëzon pretendimin e Berishës se i është bërë atij personalisht një padrejtësi. A mos mendon se edhe këtyre të tjerëve ua ka bërë Xhorxh Soros dhe jo shteti amerikan në bazë të informacioneve që mbledhin e shoshitin një mori institucionesh për një kohë të gjatë? Në mos vetë Berisha, dikush tjetër afër tij mund të shprehej me fjalët e duhura në mbështetje të shpalljeve në fjalë. Njëra prej tyre ajo për ish deputetin Rakipi ka lidhje të drejtpërdrejt me fenomenet e shitblerjes së votës dhe angazhimin e individëve me rekorde kriminale në politikë- dy rekordet e zeza të kryeministrit Rama në kuadrin e politikës së tij të rrethimit të zgjedhjeve. Si mund të mos prononcohet për këtë një grupim politik që ka qenë viktimë e shitblerjes së urryer të votës? Heshtja e Berishës, do s’do, tregon vetvetiu se ai e ka luftën me instrumentin ‘non grata’ si të tillë.

Që duhet zhvlerësuar e normalizuar si diçka pa rendësi në jetën tonë politike dhe publike! Në fakt, pasi i kanë rënë me radhë të gjitha arsyet me të cilat e nisi Foltoren dhe tani i ka mbetur vetëm arsyeja e parë dhe e vetme, përpjekja për të sfiduar SHBA-në me ndjekës nga prapa, Sali Berisha po udhëheq zhvlerësimin e instrumentit non grata në dëm të PD-së, opozitës, Shqipërisë, antikorrupsionit, drejtësisë. Përpjekja është vërtetë trishtuese. Pavarësisht se gjasat për sukses nuk ekzistojnë. Në të kundërtën, për të gjitha arsyet që përmendëm në krye të këtij shkrimi, shpalljet e reja non grata nga rajoni dhe Shqipëria vetëm e rrisin vlerën e instrumentit “non grata” në sytë e publikut të gjerë. Ato janë inkurajuese për drejtësinë dhe shoqërisë civile në vendin tonë. Ndërkohë që “rrethimi” me shembuj të ngjashëm vetëm e qartëson, dobëson dhe than lëvizjen e Berishës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button