Ekonomia

Rrezikohet investimi 93 mln euro në Bypass-et e Fierit dhe Vlorës, kontraktori lë një “mal” me borxhe

Zyrat përmbarimore kanë lëshuar një lum vendimesh për bllokimin e llogarive dhe aksioneve të kompanisë italiane Serenissima, e cila ishte kontraktuar nga qeveria shqiptare në vitin 2014 për të ndërtuar Bypass-et e Fierit dhe Vlorës kundrejt një shume 93  milionë euro për të dy objektet.
“Serenissima” është një kompani me përvojë të gjatë në ndërtimin dhe administrimin e autostradave në Itali.  Ajo e fitoi garën për Bypass-in e Fierit, me një vlerë prej 39 milionë e 698 mijë euro, nga 60 milionë që ishte fondi limit, duke kursyer në këtë mënyrë rreth 20 milionë euro, ose më shumë se 33% të fondit. Në pranverë të vitit 2015, e njëjta kompani fitoi garën për ndërtimin e bypass-et të Vlorës kundrejt 53 milionë euro aq sa ishte edhe fondi limit.

Punimet në këto akse do të duhet të kishin përfunduar këtë pranverë, por punimet jo vetëm janë lënë përgjysmë, por kompania italiane kanë lënë kantierin dhe një mal borxhesh pas.

Zyra Përmbarimore EPSA kërkoi ekzekutimin e dy urdhrave përmbarimore me vlerë rreth 250 milionë lekë, të cilat Serenissima nuk i kishte shlyer ndaj kompanive nënkontraktore, C.A.E dhe Elite Mine.

Sekuestrot nga përmbarimi ndaj kontraktorit nisën qysh në prill të vitit të kaluar kur kompania “Bailiff Services Albania” kërkoi të ekzekutohej vendimi për shlyerjen e shumës prej 64 milionë lekë që Serenissima kishte ndaj nënkontraktorit C.A.E. Që nga pranvera e vitit 2016 e deri më tani, janë së paku 6 urdhra përmbarimi në radhë për ekzekutim. Ndërsa burimet nga tregu pohojnë se kompania e ka transferuar aktivitetin tek një kompani tjetër, qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë transparencë në këtë drejtim.

Konflikti me kontraktorët

Serenissima Costruzioni S.p.A., qysh kur fitoi tenderin në Shqipëri, vendosi t’ia nënkontraktojë një pjesë të punimeve disa shoqërive, ndër të cilat CAE Sh.P.K.

Serenissima kontraktoi për punimet tetë kompani. “Në rastin e CAE sh.p.k., që në bazë të detyrimeve kontraktuese duhet të kishte kryer punimet me mjetet dhe punëtorët e saj, përvoja ka provuar të kundërtën dhe Serenissima Costruzioni është detyruar, edhe pse pa dëshirën e saj, të zgjidhë Kontratën e Nënkontraktimit me këtë të fundit për arsye të mospërmbushjeve të mëdha të detyrimeve kontraktuese, ndër të cilat, vonesat e rëndësishme të kësaj në dorëzimin e veprës, përkundër kërkesave të vazhdueshme” sqaroi Serenissima Costruzioni në një njoftim të posaçëm për mediat në verë të vitit që shkoi. Serenissima pretendonte se nënkotraktori C.A.E. kishte harxhuar 15.8 mln euro, te cilat nuk i ka përfshirë në punime.

“Si rrjedhojë, CAE sh.p.k., në vend që të plotësojë vonesat e dukshme, vendosi që në datën 07 mars 2016, të ndalojë totalisht në mënyrë arbitrare aktivitetin e punimeve në kantier, edhe pse këto aktivitete ishin modeste, duke provokuar dëme të mëdha Serenissima Costruzioni, si rrjedhojë Shtetit dhe Popullit shqiptar”,- njofton Serenissima Costruzioni.

Bypass-i i Fierit, nyja strategjike për dy autostradat

Bypass-i  Fierit është një autostradë interurbane midis qytetit të Fierit dhe Levanit me gjatësi afërsisht 22 km. Sipas të dhënave të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Bypass-i është pjesë e një korridori të rëndësishëm  aksin Veri – Jug (nga Lushnja në Vlorë), për të cilin disa sektorë janë ndërtuar ose janë në ndërtim e sipër. Sipas afateve, rruga duhet të kishte përfunduar në shtator 2015.

Aksi rrugor kalon në perëndim të Fierit, midis qytetit dhe vijës së bregut, duke përfshirë në pjesën më të madhe një fushë që kultivohet e vaditet në mënyrë intensive. Ai përshkon Lumin e Semanit, një rrjedhje e rëndësishme uji, i cili bashkohet me lumin Gjanica dhe një numër të madh kanalesh vaditjeje dhe kullimi sikurse edhe më shumë struktura të vogla hidraulike dhe kullimi.

Aksi rrugor është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë së Jugut, për zhvillimin industrial dhe të turizmit, dhe ka një impakt të rëndësishëm në bujqësi, meqenëse Fieri është rajoni më i  rëndësishëm i prodhimit bujqësor në vend. Lartësia e rrugës është pozicionuar përgjithësisht nga 2 – 5 metra nga sipërfaqja e tokës dhe 8 metra nga ky nivel në rastin e kryqëzimeve në disnivel.

Janë parashikuar gjithashtu shumë nënkalime për sigurimin e vazhdueshmërisë e trafikut lokal.

Fondi limit për ndërtimin e këtij aksi rrugor ka qenë 60 milionë euro, ndërsa vlera e prokuruar e objektit është 39.87 milionë euro. Punimet civile do të financohen nga BERZH dhe BEI ndërsa supervizioni i punimeve do të financohet nga Kooperacioni Italian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button