Ekonomia

Rritja ekonomike në 2017 llogaritet 3.9%, tejkaloi parashikimin

Përtej pritshmërive të qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare ka performuar ekonomia shqiptare gjatë vitit që lamë pas.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në një konferencë për shtyp deklaroi se rritja ekonomike e vendit parashikohet të arrijë në 3.9% për vitin 2017, mbi të cilën bazohet edhe parashikimi prej 4.2% për këtë vit.

“Rritja e vitit 2017 mendohet si 12 mujor të arrijë rreth 3.9%, që patjetër është mbi nivelin e parashikuar, qoftë nga ne qoftë nga Banka e Shqipërisë apo institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN, BB apo BERZH”, deklaroi Ahmetaj.

Shqipëria, nënvizoi Ahmetaj, po renditet ndër ato vende me rritje shumë të shpejtë ekonomike nga institucionet ndërkombëtare si Instituti i Vjenës, apo BB.

Përveç sektorit të industrisë, i ndikuar nga thatësira, të gjithë sektorët e tjerë, konfirmoi ministri Ahmetaj, kanë ardhur me rritje.

“Tremujori i 3, për të cilin edhe të dhënat janë zyrtare është një tremujor shumë i mirë, por i goditur nga thatësira. Për këtë shkak energjia goditi me minus 34% industrinë . Nëse do të kishim një situatë normale mund të ishim më lart, mund të kishim synuar edhe rritjen ekonomike prej 4% që gjatë vitit 2017”, tha Ahmetaj.

Investime të reja huaja në ndërtim, turizëm e bujqësi

Investimet e huaja direkte në fund të tremujorit të tretë llogariten 676.6 milionë euro. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj theksoi se deri në fund të vitit 2017 ato llogariten të shkojnë në pothuaj të njëjtin nivel me vitin 2016, që ishin gati 1 miliard euro.

Ahmetaj foli edhe mbi debatin e ndikimit në ekonomi të përfundimit të dy projekteve, TAP dhe Devoll. Sipas ministrit, efekti i këtyre dy projekteve mjaft të rëndësishme për ekonominë është vetëm 0.1-0.25% e totalit. Në diskutimet tona edhe me FMN-në, Ahmetaj tha se ndajmë opinionin se kontributi i rritjes ekonomike është realisht i mbivlerësuar nga ajo që këto dy projekte japin.

Ai bëri të ditur se këto dy investime do të zëvendësohen me investime të tjera të huaja serioze në turizëm, ndërtim apo bujqësi. Gjatë këtij viti, sipas ministrit parashikohen edhe investime strategjike, si ngritja e Aeroportit të Vlorës, apo disa projekte të rëndësishme në turizëm, që nga ana legale e proceduriale pritet të maturohen në 6 mujorin e parë dhe të fillojnë investimin gjatë fundit të 2018-s apo fillim të 2019-s.

“Janë 1100 kompani të huaja, janë kompani me shifra më të ulëta që furnizojnë gjenerimin e rritjes organike të investimeve të huaja dhe ekonomisë dhe këto janë gjithmonë në rritje. Po ashtu, janë 304 projekte të mëdha që organikisht do të furnizojnë rritjen ekonomike dhe vlerën e investimeve të huaja”, bërit të ditur Ahmetaj.

Punësimi, qeveria me projekt të ri: Punëkërkuesit e papunë kurse kualifikimi falas

Papunësia u ul deri në fund të tremujorit të tretë, që janë edhe të dhënat e fundit zyrtare në 13.6%.

Ministri Ahmetaj tha se që nga viti 2014 kemi rritje të konsiderueshme të pjesëmarrjes në forcat e punës, nivel i cili llogaritet aktualisht 59%. Në harkun kohor të tre viteve, tha ai, kemi rënie me 4% të papunësisë nga 17.6% në 13.6%.

Këtu ai theksoi rëndësinë që merr arsimi profesional në rritjen e punësimit në vend. “Unë besoj se është e rëndësishme të mbështesim arsimin profesional. Ministria po drafton një vendim për të detyruar të gjithë punëkërkuesit e papunë që përfitojnë ndihmë ekonomike të kalojnë me detyrim në kualifikim dhe falas. Ta bëjmë atë grup sa më të punësueshëm duke përputhur aftësitë me nevojat në treg

Ahmetaj evidentoi edhe rolin e ri që tashmë kanë marrë edhe zyrat e punës në rreth që është ai i ndërmjetësimit. Nëpërmjet tyre, theksoi ministri, është arritur punësimi i 23 136 punëkërkuesve të papunë.

Besimi në ekonomi është rritur

Besimi në ekonomi është rritur sipas ministrit, dhe është mbi mesataren ekonomike. Referuar tremujorit e katërt, shprehet ai, jemi mbi mesataren afatgjatë. Por, ministri thekson, se çdo ngjarje në lëmin politik, influencon drejtpërdrejtë te investitorët dhe konsumatori.

Kreditë me probleme ranë me 10%

Kreditë me probleme kanë rënë me 10% që prej vitit 2014t . Sipas ministrit ato llogariten 14.32%, krahasuar me nivelin prej 24.2% që morëm në 2014.

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat 377 miliard lekë

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat përfshirë kontributet llogariten 377 miliardë lekë gjatë 2017. Kreu i financave publike bëri të ditur se të ardhurat janë me 7.6% rritje nga viti në vit.

Borxhi publik 71.5% e PBB-së në 2018

Borxhi publik i cili është prej tre vitesh në trajektore rënëse do të shkojnë në 71.5% gjatë 2018, nga 72.4% që ishte në vitin që lamë pas.

“Ka një angazhim të pa negociueshëm e të pakthyeshëm për konsolidimin fiskal”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Mbi 19 mijë sipërmarrje të reja në 2017

Ministri Ahmetaj tha se përkundrejt debatit të qëllimtë politik qëndrojnë mbi 19 mijë biznese të reja të hapura gjatë vitit 2017, ndërsa janë çregjistruar vetëm 5 mijë.

“Kemi efekt pozitiv neto 14 mijë biznese të reja që futen në regjistrin e bizneseve. Nga këto 1100 sipërmarrje të reja janë ato me kapital 100% të huaj”, deklaroi ministri.

Reforma administrative, shifrat tregojnë se funksionoi

Reforma territoriale-administrative e ndërmarrë nga kjo qeveri ka funksionuar, u shpreh ministri Ahmetaj. Po të flasim referuar shifrave se çfarë ka ndodhur me me qeverinë vendore del se kursimi nga zbatimi i kësaj reforme vetëm për paga të jetë 2 miliard lekë.

“Në 2013 shpenzimet për paga llogariten 9.3 miliardë lekë. Në 2017 e krahasuar me të njëjtën bazë pa funksione del se janë shpenzuar 7.3 miliardë lekë. Kemi 2 miliard lekë kursim nga reforma territoriale”, tha Ahmetaj.

Të përndjekurit, u mbyll disbursimi i këstit të 8

Brenda vitit 2017 qeveria ka disbursuar 8.15 miliard lekë për pagesën e ish të përndjekurve politik. Këtu kanë përfituar këstin e tetë përfituesit parësor, pra të përndjekurit politik që janë ende gjallë.
Sa i takon trashëgimtarëve të të përndjekurve, ministri informoi se po studiohet një skemë e re nisur nga një këndvështrim i ri për pagesën. “Është një debat i shëndetshëm dhe në drejtimin e duhur që lidhet me të drejtën që kanë përfituesit parësor dhe trashëgimtarët e nivelit të dytë”, tha ai.

Klubet e futbollit, zgjedhjet shtyjnë auditimin

Ministri i Financave Arben Ahmetaj sqaroi edhe debatin mbi auditin që pritet të zhvillohet në klubet e futbollit sportive.
Sipas tij, ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka lënë rekomandim të fortë me shkrim që të bëhet kontroll në klubet e futbollit, gjatë kontrollit që ky institucion ushtroi në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

“Drejtoria e Tatimeve në logjikën e vet dhe referencë të rekomandimeve të KLSH-së ka planifikuar auditin. Por kryeministri rekomandoi se do të ishte e shëndetshme të shtyhet pas zgjedhjeve në Federatën e Futbollit.

Kreu i MFE-së theksoi se kemi spostuar kontrollin fiskal pas përfundimit të zgjedhjeve për të hequr çdo lloj dritëhije negative.

Pensioni i fshatit, fushatë sensibilizimi për ndërgjegjësim

Qeveria do të ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi për formalizimin e ekonomisë së fshtatit, shoqëruar kjo edhe me ndryshime ligjore.

Ministri Arben Ahmetaj vuri në dukje se do të nisë dialogu me fermerët dhe ministrinë e bujqësisë.

Një nga instrumentët sipas tij do të jetë komunikimi me fermerët për t’u treguar se kontributi i garanton moshën e tretë. Nuk duhet parë si një e ardhur shtesë në buxhet, pasi është një e ardhur që vilet sot dhe shpenzohet po sot.

“Duam të bëjmë një fushatë sensibilizimi ti bindim qytetarët që të kontribuojnë sot për pensioni e tyre në ditën që do të kalojnë në pension”, tha ministri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button