Ekonomia

Rritja ekonomike, që nuk po prodhon rritje reale

aaaSektorët, që janë të lidhur direkt me punësimin si tregtia, telekomunikacionin, industria nxjerrëse e përpunuese, bujqësia po performojnë dobët, duke rritur shkallën e pesimizmit për ndikimin real të shifrave të rritjes ekonomike në mirëqenien e çdo individi dhe e të gjithë ekonomisë shqiptare…

Dy janë sektorët që kanë ndikuar në rritjen e ekonomisë në tremujorin e dytë, ndërtimi dhe prodhimi i energjisë. Sipas INSTAT, nga 2.53% që ishte rritja me bazë vjetore në tremujorin e dytë, kontributin kryesor e ka dhënë Ndërtimi me 1,96 pikë përqindje dhe Industria, Energjia dhe Uji me 0,72 pikë përqindje, ku efekti kryesor është nga nën grupi Energjia elektrike e cila në vetvete shënoi një rritje 61,07 %.

Por, të dy këta sektorë që kanë udhëhequr performancën e ekonomisë, duken rastësorë nuk japin shpresa për një rritje të qëndrueshme.

Ndërtimi është i lidhur tërësisht me shpenzimet e larta para zgjedhore nga pushteti lokal, që shtuan investimet në prag të zgjedhjeve lokale, ndërsa sektori privat është i frenuar, si nga bllokimi i lejeve të ndërtimit, ashtu edhe fakti që ai ka disa vjet që ka hyrë në fazën e maturimit. Përfituesit më të mëdhenj të këtyre shpenzimeve të shtuara në prag zgjedhjesh kanë qenë kompanitë e ndërtimit, që nuk pritet të kenë punuar me të njëjtin ritëm në pjesën e mbetur të vitit (shpenzimet kapitale të pushtetit qendror kanë vijuar të dobëta edhe përgjatë këtij viti, duke u rritur me 6.3% për 8 mujorin, por ritmet e realizimit kanë rënë ndjeshëm në gusht).

Prodhimi i energjisë ishte sektori që udhëhoqi rritjen edhe në tremujorin e parë të vitit dhe në të dytin është i lidhur më së shumti me situatën e mirë hidrike në pjesën e parë të vendit dhe për më tepër nuk prodhon punësim shtesë. Sipas bilancit të energjisë elektrike të INSTAT, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2015 prodhimi neto vendas i energjisë elektrike, është 3.750 GWh nga 2.353 GWh të prodhuar në 2014 duke pësuar një rritje prej 59,4 përqind. Rritja e prodhimit të energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë 2015 ka ndikuar në rënien e importeve me 54 përqind dhe rritjen e eksporteve me mbi 6 herë (621 përqind), krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2014.

Por, ky element nuk pritet të jetë faktor kontribues në rritje në tremujorin e tretë për shkak të motit të thatë dhe uljes së ndjeshme të nivelit të Fierzës. Nga ana tjetër, rënia e importeve të energjisë është “fajësuar” çuditërisht nga financat, si një nga faktorët që ka ndikuar në rënien e të ardhurave të TVSH-së. Themi çuditërisht, pasi rënia e importeve u kompensua me rritjen e prodhimit, ndërsa përdorimi i familjeve dhe bizneseve është rritur me 4%.

Si rrjedhojë, të dy sektorët që gjeneruan rritje në tremujorin e dytë, nuk pritet të jenë të pranishëm në të tretin. Vendin e tyre mund ta zënë shërbimet, për shkak të gjallërimit të turizmit (rritjes së ndjeshme të numrit të turistëve të huaj) dhe bujqësisë (shtimit të eksporteve dhe rimëkëmbjes pas përmbytjeve), por mbetet dilema se sa ato do të arrijnë të kompensojnë ndërtimin dhe industrinë.

Industria përpunuese ka qenë e dobët, si për shkak të çmimeve të pafavorshme të naftës e mineraleve në tregjet ndërkombëtare, ashtu dhe stepjes së industrisë fason, si rrjedhojë e rritjes së kostove (eksportet e tekstileve e këpucëve janë rritur me 2.5% për 8 mujorin, nga mbi 20% që ishte zgjerimi një vit më parë).

Shqetësues është rënia e konsumit privat, ku sipas INSTAT, “Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi ne tremujorin e dytë 2015 u ul me 3,16 % krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014”.

Edhe sektorët e tjerë, që janë të lidhur direkt me punësimin si tregtia, telekomunikacionin, industria nxjerrëse e përpunuese, bujqësia (ndonëse kjo e fundit ka vuajtur dhe pasojat e përmbytjeve dhe pritet rigjallërim) po performojnë dobët, duke rritur shkallën e pesimizmit për ndikimin real të shifrave të rritjes ekonomike në mirëqenien e çdo individi dhe gjithë ekonomisë shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button