Rrjete të sigurta të telekomunikacionit/ Krach: Shqipëria vend i rrugës së pastër
Nënsekretari amerikan për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, duke falënderuar Kryeministrin Rama për udhëheqjen e tij në çështjen kritike 5G dhe në angazhimin e qeverisë shqiptare për iniciativën “Rruga e pastër” deklaroi dje në Tiranë se “Shqipëria është një vend i rrugës së pastër”.
Në fjalën e tij në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, Krach theksoi se ” sikurse tha edhe Presidenti Trump mbështetja juaj e hapur në përkrahje të rrjeteve të sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe është një model”.
“Shqipëria është bashkuar me valën drejt rrjetit e pastër dhe ne jemi të emocionuar që do të zgjerojmë partneritetin tonë në shumë fusha të bashkëpunimit ekonomik”, – tha Krach.
Më tej nënsekretari amerikan u shpreh se “Shqipëria është ndalesa e fundit gjatë një lëvizjeje dyjavore në Europë në 10 qytete në 8 vende, takime me zyrtarë të BE-së dhe NATO-s . Një gjë interesante që kam zbuluar në këtë udhëtim është se ka një njohje të përbashkët nga drejtuesit e qeverive dhe drejtorët ekzekutivë në sektorin privat dhe kjo është anembanë kontinentit. Dhe është ky kërcënimi i privatësisë së të dhënave, pronësisë intelektuale dhe sigurisë kombëtare. Ky kërcënim vjen nga ndërhyrja e aktorëve malinjë siç është Partia Komuniste Kineze”.
“Rregullat e BE-së për 5G të pastër janë zbatuar saktësisht. Rrjeti i pastër trajton kërcënimet afatgjate të privatësisë së të dhënave të sigurisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunim parimor paraqitur botës së lirë”, – nënvizoi Krach.
Sipas tij, rrjeti i pastër është i rrënjosur në standardet e besimit dixhital të pranuar ndërkombëtarisht.
“Deri tani mbi 20 vende te NATO-s janë pjesë e rrjetit të pastër dhe të bazuar në rregullat e BE-së për 5G të pastër si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Republika Çeke, Polonia, Estonia, Suedia, Greqia, Rumania, Serbia, Kosova, Rumania, Sllovenia Danimarka, etj. Ndër të tjerë kanë zgjedhur të përfshijnë vetëm shitës të besueshëm në infrastrukturën e tyre 5 G. Tani Gjermania, Spanja, Austria, Belgjika, Portugalia dhe Spanja thuhet se kanë marrë të njëjtin drejtim”, – tha Krach.
“Përveç vende që sapo përmenda, disa nga kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit në gjithë globin po bëhen kompani të telekomunikacionit të pastër. Telefonica, Orange, SK dhe KT në Korenë e Jugut dhe të gjithë tre kompanitë në Japoni, Singapor, Kanada janë të gjithë të vendosur të refuzojnë të gjithë këto mjete, ndërsa shërbejnë në fakt si një mundësi për të survejuar vendet e tjera. Sigurisht, Shqipëria është një vend i rrugës së pastër dhe nuk mund t’ju falënderojmë mjaftueshëm. Drejtori Ekzekutiv i One Communication të Shqipërisë së fundi tha, One Communication vazhdon të tregojë përkushtimin e saj ndaj standardeve më të larta të sigurisë në rrjet për klientët tanë dhe partnerët tanë duke përdorur vetëm pajisje të besuara”, tha ai.
Në mbyllje të fjalës së tij, Krach theksoi se ” dua ti bëj jehonë letrës që presidenti Trump ju ka dërguar ju zoti Kryeministër, vetëm dy ditë më parë. Faleminderit për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe në të gjithë Europën në ekspozimin e ndikimit malinj të Partisë Komuniste kineze, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe diplomacisë së kurthit përmes borxheve, nëpërmjet rrugës me pagesë për në Pekin”.
“Jemi falënderues për mbështetjen tuaj të zëshme të shprehur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit. Në prag të nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ekonomik, mirëpres që SHBA-të dhe Shqipëria të nënshkruajnë dhe një memorandum mbi sigurinë 5G. Kryeministër, siç e përmenda më herë, teksa i kam rënë Europës kryq e tërthor gjatë dy javëve të fundit, jam kaq i lumtur që ruajta më të mirën për në fund. Faleminderit sërish për mikpritjen e vazhdueshme, miqësinë e vazhdueshme të popullit shqiptar dhe nuk kam për ta harruar kurrë këtë. Zoti e bekoftë vendin e mrekullueshëm të Shqipërisë dhe Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, – tha Krach.