Politika

Rrogozhina ‘shuplakë’ më të fortë koalicionit Berisha-Meta! Edison Memolla i PS-së fiton me 1752 vota diferencë kundrejt Shkëlqim Hoxhës

Edison Memolla i Partisë Socialiste fiton sërish zgjedhjet në Rrogozhinë. Janë numëruar 54 qendrat e votimit ku në rezultat prin Edison Memolla i PS me 1.752 vota më shumë se kandidati i koalicionit Meta-Berisha.

 

Edison Memolla PS ka 6658 vota (57.58%)

Shkëlqim Hoxha BF 4906 vota (42.42 %)

Votimi i të dielës u mbyll në orën 19:00 dhe pjesëmarrja ka qenë më e lartë se në zgjedhjet e 14 majit ndërsa mbarëvajtja e procesit ishte e qetë, pa incidente. 11825 shprehën vullnetin e tyre me votë, mes tyre  258 vota u shpallën të pavlefshme.

Zgjedhjet në bashkinë e Rrogozhinës u vendos të ripërsëriteshin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi rezultati i 14 Majit u shpall i pavlefshëm.

Shkak për përsëritjen e zgjedhjeve u bë kutia e burgut dhe diferenca mes dy kandidatëve ishte vetëm 21 vota, teksa të burgosur numëroheshin më shumë se 100. Ndryshe nga 14 maji, të burgosurit nuk u lejuan të votojnë dje për shkak të afateve kohore.

Kandidatët në garë ishin po të njëjtët si në 14 maj, Edison Memollaj nga Partia Socialiste dhe Shkëlqim Hoxha nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Në zgjedhjet e 14 majit, në Rrogozhinë morën pjesë në votime rreth 11 mijë votues. Edison Memolla fitoi me 5129 vota përkundrejt 5108 vota të Shkëlqim Hoxhës, me vetëm 21 vota diferencë.

Që në orët e mëngjesit të ditës se djeshme, drejtuesit më të lartë të Partisë Demokratike kishin zbarkuar në Rrogozhinë, duke thyer te gjitha udhëzimet e KQZ. Gent Strazimiri, Klevis Balliu, Ervin Salianji, Mylsym Murrizi, Oerd Bylykbashi etj, bashkë me mbështetës u vu ë re pranë qendrave të votimit edhe pse Kodi Zgjedhor e ndalon një gjë të tillë pasi intimidon votuesit. Nga ana e Partisë Socialiste situata ishte e qetë. Drejtuesi politik i qarkut Tiranë, Erion Veliaj e ndoqi procesin nga selia e PS në Tiranë.

Rezultati eshte pershendetur nga Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj ku ka falënderuar qytetarët e Rrogozhinës, të majtë e të djathtë, që sipas tij, “i dhanë PS-së një mbështetje përtej pritshmërive më optimiste”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj shprehu mirënjohjen votuesve të majtë, por edhe shumë të djathtëve, që bënë diferencën duke braktisur politikën ‘përça e sundo’ e ‘mish për top’ kundër Perëndimit.

“Demokratët nuk janë armiqtë tanë, ata nuk janë Saliu, familjet e tyre nuk vrasin e vjedhin, nuk i hapin luftë qytetërimit, nuk jetojnë duke shqyer tjetrin. Demokratët janë vëllezërit tanë dhe kush shkëputet nga Saliu e salinjtë ka kryer një vepër patriotike sot duke votuar majtas! Këtë mesazh e lexuam qartë e do t’ju shërbejmë me përulësi të gjithëve”, u shpreh Veliaj.

Veliaj theksoi se ky është një rezultat i cili i jep përgjigje të gjithëve. “Dhe i jep fund përpëlitjeve absurde nga njerëz që duan të përdorin votën për t’u mbrojtur nga zullumet që kanë kryer. Qytetarët e Rrogozhinës nuk e hanë presionin nga askush. As nga xhepat e thellë as nga gojët e thella. Qytetarët e Rrogozhinës duan njerëzit që punojnë, jo ata që përfitojnë. Ky është mesazhi, ky është mandati që na dhanë. Puna! Kësaj do i dalim për zot! Punë të mbarë Edisonit e skuadrës sonë aty”, u shpreh Veliaj.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button