Rusi, nis gjyqi ushtarak ndaj vrasësve të opozitarit Boris Nemtsov
Pesë personat e akuzuar për përfshirje në vrasjen e politikanit opozitar rus, Boris Nemtsov, kanë dalë këtë të hënë përpara një gjykate ushtarake në Moskë, ku po zhvillohet gjyqi ndaj tyre.
Dikur një zv.ministër, Nemtsovi, i cili u bë një zë tepër kritik i Presidentit Vladimir Putin, u qëllua për vdekje vitin e kaluar shumë pranë Kremlinit.
Të akuzuarit, të gjithë çeçenë, akuzohen se kanë premtuar shuma të majme parash për vrasjen e tij, megjithatë ata i mohojnë akuzat.
Të afërmit e Nemtsovit thonë se, ai që ka urdhëruar vrasjen e tij do të mbetet i pazbuluar. Një avokat i familjes Nemtsov tha përpara gjykatës se, hetimet nuk kanë qenë as objektive dhe as të plota, duke u kapur pas mungesës së pamjeve filmike, pavarësisht se krimi ndodhi shumë pranë një prej shesheve më të famshme të Rusisë.
Me fillimin e gjyqit, masat e sigurisë kanë qenë tepër të rrepta, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar për në gjykatë me forca policore të armatosura, që mbanin edhe kapuçë në kokë.
Nemtsov, 55-vjeçar, ka shërbyer si zv.ministër i parë nën drejtimin e Presidentit Boris Yeltsin në vitet ’90. Por pas ardhjes së Putinit në krye, si pasardhës i Yeltsinit, ai u bë një opozitar i zëshëm, duke sulmuar qeverinë për çështjet ekonomike, korrupsionin dhe përfshirjen e saj në luftën e Ukrainës.
Në atë që rezultoi edhe nata e fundit e jetës së tij, Nemtsov kishte qenë në zyrat e një radioje, ku u bënte thirrje dëgjuesve t’i bashkoheshin një proteste masive gjatë asaj fundjave. Ai u qëllua pas shpine në orët e vona të asaj nate, teksa ishte duke kaluar një urë vetëm pak qindra metra larg Kremlinit, ndërtesës parlamentare të Rusisë, duke mbetur i vdekur në vend. Vendngjarja mbetet ende e mbushur me lule në kujtim të tij.
Presidenti Putin e quajti atë vrasje si “të turpshme dhe cinike”, si dhe u angazhua se përgjegjësit e atij krimi do të dilnin përpara drejtësisë. Të akuzuarit thuhet se e kanë mbajtur nën vëzhgim Nemtsovin prej muajsh. Njëri prej tyre, që sipas prokurorëve është edhe autori i vrasjes, rezulton të ketë qenë një oficer nën komandën e udhëheqësit çeçen promoskovit, Ramzan Kadyrov.
Vitet e fundit në Rusi janë vrarë disa figura të larta politike dhe gazetarë. Por vendi ka një histori të gjatë të gjykimit të autorëve të vrasjeve nëpër gjyqe, procese që kanë dështuar ndjekjen e zinxhirit të mëtejshëm të komandës, për të zbuluar se cilët janë urdhëruesit e vrasjeve, apo pse e kanë bërë diçka të tillë.