Ekonomia

Sa është rritja e pagës për edukatorët, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave

Bashkë me pagën e muajit mars, mësuesit e arsimit parauniversitar do të tërheqin edhe rritjen e miratuar nga qeveria tre ditë më parë, si dhe shtesat përkatëse në bazë të vjetërsisë së punës, pozicionit që mbajnë dhe shkallës së kualifikimit që zotërojnë.

Bashkangjitur shkrimit gjeni të detajuar strukturën e re të pagave për të gjitha pozicionet, duke filluar nga arsimtarët dhe drejtuesit e institucioneve parashkollore, e deri tek mësuesit dhe drejtuesit e shkollave të mesme në të gjithë vendin.

Shtesa për vjetërsi pune do jetë në masën 2 për qind pas çdo viti pune, por jo më shumë se 25 vjet. Kjo shtesë llogaritet mbi pagën e grupit ku mësuesi bën pjesë.

Për efekt të llogaritjes së kësaj shtese, vite pune do të konsiderohen vjetërsia e përgjithshme në punë e dokumentuar në librezën e punës së çdo punonjësi, me përjashtim të viteve të sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit të lartë dhe periudha e trajtimit me pagesë papunësie.

Po sipas vendimit të qeverisë mësuesit që kanë kaluar në testimin e kualifikimit, sipas shkallës ku kanë konkurruar do të përfitojnë shtesë mbi pagë, e cila shkon 5 deri në 20 për qind.

Kështu mësuesit përfitojnë 5 për qind shtesë mbi pagë kur fitojnë shkallën e kualifikimit “Mësues i kualifikuar”, rritja do jetë me 10 për qind për kandidatët që kanë fituar shkallën “Mësues specialist”, si dhe rritja maksimale 20 për qind për mësuesit dhe drejtuesit që kanë fituar nëpërmjet testimit shkallën “Mësues mjeshtër”. Në tabelat bashkangjitur shkrimit do të gjeni edhe shtesat e pozicionit që janë përcaktuar për çdo vend pune, sipas emërtesës përkatëse.

Përveç pagës, mësuesit dhe drejtuesit mësimorë që punojnë larg vendbanimit, përfitojnë një kompensim në masën 2,700 lekë kur punojnë brenda rrethit të tyre, por mbi 5 kilometra larg vendbanimit.

Ndërsa në rastet kur punojnë brenda rrethit të tyre, por mbi 5 kilometra larg vendbanimit dhe nuk mund të kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, do të përfitojnë kompensimin në masën 6,000 lekë në muaj.

Mësuesit që japin orë shtesë krahas normës së përcaktuar, paguhen me 350 lekë për orë kur japin mësim në shkollat e arsimit të mesëm, si dhe 275 lekë ora, kur japin mësim në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët.

Struktura e pagës për të gjithë punonjësit e arsimit parauniversitar

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button