Sa pak pakicë !
Nga Viktor Malaj
“Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët”-Faik Konica
Në të folmen e përditshme për shumicën parlamentare përdoret fjala pozitë, ndërsa për pakicën fjala opozitë. Janë fjalë që kanë zënë vend në shqipen e sotme dhe tashmë nuk krijojnë keqkuptim. Por desha ta theksoja se për opozitën përdora fjalën pakicë qysh në titull.
Zhvillimi i vendeve perëndimore në shkallën që ka arritur i kushtohet sistemit demokratik pluralist, i cili pranohet se e përsos qeverisjen në saje të përpjekjeve të pakicës për të kritikuar dobësitë e shumicës që qeveris. Si çdo qeveri tjetër, por veçanërisht kjo e jona ka nevojë për një pakicë (opozitë) të fortë.
Mendoj se, më së pari, ajo ka nevojë për kundërshtimin e vetvetes, d.m.th. që brenda koalicionit qeverisës të ketë individë dhe grupe individësh të cilët, me kulturë profesionale, me përgjegjësi qytetare dhe vendosmëri atdhetare, t’i argumentojnë grupit kryesor qeverisës se disa veprime apo ndërmarrje nuk duhen kryer ose duhet të bëhen ndryshe. Vetëndreqja është tipar i njerëzve të mençur dhe të përgjegjshëm për interesat mbarë shoqërore. Prandaj edhe kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të jenë më të vëmendshëm dhe reflektues ndaj vërejtjeve dhe kritikave që iu vijnë “nga brenda”.
Vetëkundërshtimi bëhet i domosdoshëm në kushtet kur pakica zyrtare politike nuk po ngrihet dot në nivelin e përgjegjësive që i takojnë. Edhe pas dy vjetëve nuk po shohim përpjekje serioze, që t’i bindin qytetarët për gabimet, shpërdorimet apo fajet e qeverisë. E kaluara e saj në pozitë vazhdon ta pengojë fort edhe sot për të gjetur rrugën për t’u ndarë nga e kaluara e saj qeverisëse. Fjala e saj do ngjiste shumë më shumë nëse do ndahej nga e shkuara. Se, fjala vjen, megjithëse nuk ka lënë gjë pa bërë gjatë kohës që ishte në drejtimin e vendit, unë jam në një rresht me të kur ajo evidencon dhe kritikon teprimet e qeverisë në dhënien e koncesioneve, bërjen dhe dhënien e disa tenderëve të dyshimtë në sektorin e shëndetësisë dhe, sidomos, veprimet e panevojshme dhe thellësisht të dëmshme të kryeministrit në diferencimin e deputetëve të grupit të tij parlamentar dhe krijimin e “institucionit të mbideputetit”. Mirëpo, asnjë mendje normale nuk mund të pajtohet me përpjekjet e një pakice që demonstron çdo ditë se është kundër gjithçkaje dhe kundër gjithkujt, përveç vetvetes.
Mohimi tërësor i çdo veprimi të drejtë qeverisës dhe përbaltja e të gjithë atyre që drejtojnë sot punët shtetërore, janë teprime që më së shumti dëmtojnë vetë pakicën. Nuk është fjala që pakica të lëvdojë punët e qeverisë dhe të anëtarëve të saj, se kjo do ishte taktikë e gabuar, por të mos përbaltë atë që shkon në të mirë të vendit. Le të heshtë për punët e mira, apo le të nxjerrë në pah se si ajo do t’i bënte me kosto më të ulët dhe me cilësi më të lartë ato. Por është e gabuar dhe e dëmshme t’iu bëjë thirrje investitorëve vendas dhe të huaj që të braktisin investimet dhe ndërtimin e stadiumit kombëtar në Tiranë. Përmenda këtë se është më e fundit, por mund të rendisja mjaft thirrje të njëjta, të cilat përbëjnë akte regresive që drejtohen kundër zhvillimit të vendit, interesave të popullit shqiptar dhe të ardhmes së tij.
Personalisht jam kundër ndërtimit të stadiumit tani, jo për shkak të preteksteve që nxjerr opozita, por për shkak të bindjes time se, me gjendjen aktuale financiare të shtetit, qeveria duhet të përcaktojë përparësitë. Dhe mua më duket se radha e përparësive nuk është studiuar mirë kur zgjedh që më parë të ndërtosh stadiumin. Të njëjtën gjë do thosha edhe për ndërtimin e teatrit të ri. Me gjithë dëshirën që të kemi një objekt teatror kombëtar më vete, më të madh dhe më modern, në mënyrë që pas shumë vitesh të kemi mundësi që në skenën e tij të shohim të luhen drama dhe komedi, personazhet e të cilave të personifikojnë sharlatanët, gangsterët dhe balashët e sotëm politikë të Shqipërisë, prapëseprapë them se radha e investimeve nuk është kjo e zgjedhur nga qeveria.
Ky është mendimi kritik, por thirrjet e sotme të pakicës politike kundër ndërtimit të stadiumit dhe premtimet se do ta zhbëjë “sapo të vijnë në pushtet” janë larg kritikës dhe, duke qenë edhe hipokrite, edhe djallëzore, bëhen të dëmshme për vendin dhe për vetë atë. Ata që dikur zunë lulishte dhe trotuare me kioska dhe lokale ku tregtohej alkool, drogë dhe prostitucion; ata që lejuan dhe miratuan ndërtime betoni mbi objektet arkeologjike dhe që i kthyen fushat sportive në troje restorantesh e bordellosh; ata që i shndërruan kinematë dhe objektet e tjera të kulturës në qendra bixhozi dhe kazino; ata që nxitën dhe miratuan shndërrimin e ambienteve të Pallatit të Kulturës dhe Stadiumit Kombëtar në kafene, qofteri, bilardo dhe berberhane, këta, pra, dalin tani në rolin e puritanëve të sportit dhe kultivuesve të kulturës. Këta sallahanë dhe bishtafella, që me diskursin politik dhe sjelljen kundërqytetare na dëshmojnë prapambetjen e tyre kulturore dhe kalbëzimin vetjak moral, duan të duken sikur kanë marrë përsipër të na ndriçojnë mendjen, të na mbrojnë kulturën dhe të na rrëfejnë rrugën e përparimit. Kështu nuk bëhesh dot i besueshëm, madje dyshohesh edhe kur kritikon me të drejtë veprimet e gabuara të qeverisë.
Duke i dëgjuar në konferenca shtypi, në studio televizive dhe kudo që u jepet rasti, të krijohet bindja se, në rastin më të mirë, mendja u punon t’u gjejnë “bishta” të gjitha punëve të të tjerëve dhe t’iu vënë kurora lavdie gjithë punëve të bëra nga pakica dje dhe sot. Mendimi për të ardhmen bëhet edhe më i trishtë kur i dëgjon që lëvdojnë si punë të mira edhe ato që mbarë bota i quan krime dhe akte antikombëtare. Megjithëse janë zbuar dy herë rresht me votë popullore, nuk duan t’i gjejnë vetes kurrfarë të metash e gabimesh apo, largqoftë, fajesh. Edhe njerëzit e thjeshtë e kuptojnë se ai apo ata që nuk mund të jenë kritikë të vetes dhe që nuk mund të ndreqin mendimet dhe sjelljet e veta, nuk mundet kurrsesi të kenë aftësinë e korrigjimit të të tjerëve. Fjala e tyre mund të ngjitë aq sa ngjit fjala e atyre baballarëve pijanecë, kumarxhinj dhe moralprishur që, ndërsa nuk lënë gjë pa bërë vetë, anatemojnë dhe kundërshtojnë çdo veprim dhe sjellje të anëtarëve të tjerë të familjes. Një opozitë e tillë, pa ide dhe pa ideale, është një grup njerëzish që i mundon vetëm fakti pse nuk janë vetë në pushtet dhe për t’u rikthyer atje i zënë “pritë” çdo veprimi qeverisës. Një opozitë e tillë mund të quhet “opopritë” sepse ajo përpiqet të zërë shtigje dhe jo të tregojë rrugë, të bllokojë rrugëtimin dhe jo ta shpejtojë atë. Është mentaliteti, morali dhe psikologjia destruktive e Atit të tyre, e marrë përsipër për t’u çuar përpara nga një pispilluq politik me emrin Lulzim.
Pse sillen kështu dhe pse nuk vetëkorrigjohen në rrugën e tyre të gabuar? Sepse, qysh në fillim, qëllimi i vetëm ka qenë dhe mbetet pushteti dhe privilegjet e tij dhe jo shtetformimi dhe përparimi kombëtar. Ata nuk i shqetëson fakti që, pas disa vjetësh, ambientet komerciale të stadiumit të ri do i marrin “miqtë dhe shokët e Edi Ramës”. Aq më pak i shqetëson fakti se stadiumi nuk do të jetë “vetëm për sport”, pasi stadiumet më të rinj dhe më modernë të Perëndimit kanë me dhjetëra ambiente të tilla. Një opozitë që “na siguron” se pas 18 muajve do të jetë në pushtet, nuk mund të ketë si shkak real të kundërshtimit të saj shpërndarjen e ambienteve komerciale të stadiumit që mund të përfundojë së ndërtuari pas tre a më shumë vitesh. Shkaku i vërtetë është fakti se mentaliteti dhe morali i shtabit drejtues të kësaj opozite është i tillë që Shqipëria nuk duhet të bëjë përpara në asnjë drejtim për aq kohë sa ata nuk janë në pushtet. Ndërtimi i objekteve kulturore apo sportive me rëndësi kombëtare dhe punësimi i disa mijëra njerëzve gjatë këtij procesi shikohet prej tyre si një plus për kundërshtarin politik dhe si një pakësim i mundësive të tyre për t’u rikthyer në pushtet në një të ardhme të afërt.
Nuk duan ta kuptojnë se shqiptari në hall (të tillë janë shumica), s’ka si të mos pyesë veten: kush janë këta që po më premtojnë se do më shpëtojnë nga halli? Dhe hallemadhi s’ka si të mos kujtojë se këta janë pikërisht ata që, pasi kishin vrarë dhjetëra shqiptarë e plagosur qindra të tjerë në Gërdec për shkak të moszbatimit prej tyre të ligjeve në vendcaktimin e demontimit të armëve konvencionale, dolën në vitin 2013 në rolin e avokatit të popullit kundër demontimit të armëve kimike që mendohej të silleshin nga Siria. Dhe hallemëdhenjtë ndërmenden se ishin pikërisht këta që dërguan turmën e njerëzve të protestonin përpara ambasadës amerikane dhe, pas disa orësh, dolën t’i “qanin hallin” Amerikës se e kishte gënjyer kryeministri shqiptar, duke i premtuar sjelljen e armëve në Shqipëri. S’do inteligjencë të lartë që njeriu i thjeshtë të kuptojë se këto i bënë jo se iu dhimbsej populli shqiptar, por se besonin se demontimi i armëve kimike do të shoqërohej me sjelljen e ndihmave financiare nga jashtë dhe, për rrjedhojë, me përmirësimin e gjendjes të mjerë ekonomike që kishin lënë së bashku me pushtetin e tyre. Pra, më mirë një Shqipëri në mjerim me ata në pushtet, se një Shqipëri në përparim pa ata në pushtet. Ky është morali i tyre i demonstruar paprerë prej 26 vitesh.
Mundësitë për keqqeverisje rriten edhe më shumë, mundësitë e ndërrimit të pushtetit mpaken, gjithashtu, edhe më shumë kur vëren që pakica jonë përbëhet nga një grupim politik njerëzish që nuk ndahen dot nga një e shkuar gjatë së cilës u vërtetua se konceptet e tyre për qeverisjen e vendit ishin të pavlefshme, sjelljet e tyre ishin të dëmshme dhe të rrezikshme, ndërsa morali i tyre na ka bërë gazin e botës.
Edhe më të vajtueshme e bën gjendjen e opozitës dhe perspektivën e të ardhmes së vendit fakti që edhe “prurjet e reja” që i afrohen kupolës drejtuese të PD-së sillen sikur të kenë të njëjtin moral dhe formim si trungu politik. Djem dhe vajza të reja, që tundin diploma të marra në Perëndim, i lejojnë vetes të bëjnë tellallin e një grupi njerëzish politikë të stërdiskredituar, një zanat që kryhej qysh në Mesjetë nga analfabetët kundrejt shpërblimeve qesharake monetare. Këta individë me dinjitet të cunguar dhe pa aftësi dobiprurëse për vendin e konsiderojnë krenari të shfaqen ekraneve duke lexuar formulat e gënjeshtërta që kanë dalë nga mendja e mykur e një plaku belaxhi dhe birit të tij politik të padinjitet. Në vend që të ndihmonin në shërimin e familjes së tyre politike, e kanë gjetur të udhës të shërbejnë si baltëhedhës ndaj kundërshtarëve politikë duke i bindur njerëzit se, edhe me ata në qeverisje, nesër, i pret e njëjta gjë, si atëherë kur qeverisën “baballarët” e tyre politikë.