Sali Berisha uron besimtaret e krishtere per Krishtlindjet
Me rastin e festës së Krishtlindjeve, Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha vizitoi sot, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë,Katedralen e Shën Palit, si dhe Kishën Ungjillore (Protestante) në Tiranë.
Në urimet drejtuar besimtarëve të krishterë, ortodokse, të krishterëve ungjillore, por edhe të gjithë shqiptarëve, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ndante me ta, gëzimin e kësaj feste të bukur në historinë e njerëzimit, Ditës së Lindjes së Krishtit. “Kjo ditë, u shpreh kryeministri, i bashkon njerëzit pavarësisht nga dallimet, nga besimet e ndryshme fetare, në nderimin e besimit, nderimin e shpresës, nderimin e të ardhmes.”
Kryeministri shprehu kënaqësinë që këtë vit shqiptarët i festojnë krishtlindjet më të lirë dhe më me dinjitet se kurrë, në historinë e tyre, pasi ata mund të lëvizin lirshëm në mbarë Evropën, njësoj si të gjithë qytetarët e këtij kontinenti. “Një mirënjohje të thellë dua tu shpreh kombeve dhe qeverive të vendeve anëtare të zonës së Shengenit, që me vendimin e tyre për heqjen e vizave, u bënë shqiptaërve kartolinën dhe urimin më të bukur për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.” tha kryeministri.
Një urim të veçantë, Kryeministri Berisha bëri për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe të zonave të përmbytura, të cilët e kremtojnë këtë ditë në rrethana të vështira.
Duke falënderuar përzemërsisht, për solidaritetin vëllazëror të dëshmuar nga të gjithë shqiptarët, por edhe nga bota, Kryeministri Berisha garantoi se qeveria qëndron tërësisht dhe fuqishëm, në mbështetje të tyre.
– Në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryeministri Berisha u prit nga Hirësia e tij, Kryepeshkopi Anastas Janullatos, si dhe drejtues të tjerë të kësaj Kishe.
Në urimin drejtuar besimtarëve ortodoksë, por dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, kryeministri Berisha u shpreh:
“Është një kënaqësi e veçantë të ndaj gëzimin e kësaj dite, me të gjithë besimtarët e Krishterë, por dhe të gjithë besimtarët e Zotit, në festën më të bukur të njerëzimit. Krishtlindjet, dita e lindjes së Krishtit janë një nga historitë më të rëndësishme të qytetërimit perëndimor, ndaj dhe çdo besimtar nderon këtë ditë. Krishti mbret apo Zot, Muhameti Profet, Martin Luther në kontributin e tij, janë ndërtuesit e moralit njerëzor, ndaj dhe kjo ditë i bashkon njerëzit pavarësisht nga dallimet, nga besimet e ndryshme fetare, në nderimin e besimit, nderimin e shpresës, nderimin e të ardhmes.
Por, ajo çka është e veçantë, që ky besim tek Zoti, ky besim i madh tek e ardhmja, bën që shqiptarët të festojnë çdo vit e më mirë, Krishtlindjet.
Vitin e kaluar festuam krishtlindjet si një vend anëtar i NATO-s. Këtë vit i festojmë Krishtlindjet si qytetarë që lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Pra jam i sigurte se krishtlindjet e tjera, më mirë do të na gjejnë.
Një urim të veçantë, kam këtë vit, për qytetarët e Shkodrës, nën Shkodrës dhe zonave të tjera të përmbytura, të cilët kremtojnë këtë ditë të madhe, në rrethana shumë të vështira. Por sërish dhe ata dhe të gjitha shqiptarët kanë një motiv për tu gëzuar në këtë Krishtlindje sepse nuk kemi patur as edhe një jetë të humbur. Ka patur dhe ka disa fëmijë të lindur, në kushte të vështira, por janë shëndoshë e mirë dhe ka një solidarizim vëllazëror nga mbarë shqiptarët, por dhe nga bota, gjë për të cilën i falënderoj shumë përzemërsisht dhe i garantoj se qeveria qëndron tërësisht dhe fuqishëm në mbështetje të tyre.
Gëzuar:
* * *
Më pas, kryeminisri Berisha vijoi vizitën e tij, në Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare, ku u prit nga presidenti i kësaj Vëllazërie Fitor Muça.
Duke shprehur nderimin për veprën e ungjillorëve shqiptarë, të cilët me përpjekjen dhe përkushtimin e tyre japin një kontribut të rëndësishëm, në pasurinë shpirtërore të shqiptarëve, Kryeministri Berisha tha:
“Është një rast për tu përcjellë urimet më të përzemërta ungjillorëve shqiptarë, në këtë ditë të madhe për ta, por edhe për të gjithë besimtarët e Zotit, për mbarë njerëzimin. Dua të shpreh nderimin tim më të madh për veprën e tyre, përpjekjen, përkushtimin dhe kënaqësinë që sot, këta janë të pranishëm, në mbarë vendin dhe në përkushtim të madh japin një kontribut në pasurinë shpirtërore të shqiptarëve.
Tre javë më parë, në Shqipëri u emërua Rabin. Po këto javët e fundit është firmosur marrëveshja midis shtetit dhe ungjillorëve. Pra, një spektër i gjerë besimesh po lulëzon në shpirtin e këtij kombi. Besimet janë gurra që e ushqejnë dhe pasurojnë atë, më shumë se çdo gjë tjetër. Theksoj edhe njëherë se Zoti, lisat, pemët, i ka bërë me degë. Sa më shumë degë të kenë, aq më të fuqishme janë. Një lis pa degë eshtë një lis pa jetë. Ndaj dhe unë dua të shpreh nderimin tim të madh për ungjillorët shqiptarë, për themeluesit e protestantizmit, Martin Lutherin, reformatorin më të madh të njerëzimit në të gjitha kohërat, njeriu që për besimin e tij nuk u tërhoq para asgjëje, i bindur se ky ishte një kontribut i madh për vlerat hyjnore dhe njerëzore, të njeriut.
Edhe njëherë urimet më të mira.”
* * *
Në përfundim të vizitave për festën e Krishtlindjeve, kryeministri Berisha u ndal në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita.
Duke iu uruar këtë ditë të bekuar, të gjithë besimtarëve katolikë, por edhe të gjithë besimtarëve të Zotit, kryeministri u shpreh:
“Është gëzim dhe kënaqësi të uroj sot të gjithë besimtarët katolikë, besimtarët e krishterë, besimtarët e Zotit, në këtë ditë të madhe, në festën më të bukur të njerëzimit, ditën e lindjes së Krishtit, ditë që frymëzon njeriun me besimin më të madh tek zoti dhe tek e ardhmja.
Por është gjithashtu një moment i veçantë për të shprehur mirënjohjen më të thellë, ndaj të gjithë atyre punonjësve, zyrtarëve, qytetarëve të këtij vendi, që me përkushtimin e tyre të madh bënë të mundur që këto Krishtlindje ti festojmë me dinjitet më të madh se kurrë, me lirinë më të madhe se kurrë, në historinë tonë.
Një mirënjohje të thellë dua tu shpreh kombeve dhe qeverive të vendeve anëtare të zonës së Shengenit, që me vendimin e tyre për heqjen e vizave, iu bënë shqiptarëve kartolinën dhe urimin më të bukur, për Krishtlindje dhe vitin e Ri,
Gëzuar të gjithëve këtë ditë të bekuar, këtë ditë të madhe, ditën e Lindjes së Krishtit, Hyut që ndriçoi mendjen dhe shpirtin e njeriut dhe njerëzimit dhe që me sakrificën e tij sublime u shndërrua në vlera madhore hyjnore dhe tokësore të moralit njerëzor.
Gëzuar!”