Sarandë/Goditet grupi për shpërndarjen e lëndëve narkotike, 20 persona në pranga
Një operacion i gjerë policor kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje është finalizuar në Sarandë, pas një hetimi dy-mujor të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë në bashkëpunim me Prokurorinë. Operacioni i koduar “Vjeshta” ka çuar në kapjen dhe ndalimin e 20 personave, ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të operacionit, policia ka sekuestruar dy armë zjarri pistoletë, të cilat u gjetën në posedim të shtetasve D. S. dhe Sh. B. Armët janë sekuestruar dhe do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjithashtu sasi kokaine dhe kanabisi, të ndara në dhjetëra doza dhe të dyshuara se ishin përgatitur për shitje, si dhe katër automjete, 19 aparate celulare dhe një shumë parash në lekë dhe euro.
Në kuadër të të njëjtit procedim, më 31 korrik 2026, policia kishte arrestuar në flagrancë shtetasit A. N., A. C. dhe K. J., ndërsa kishte sekuestruar 5 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kanabis, e cila dyshohet se do të shpërndahej në Sarandë dhe Ksamil. Nga hetimet rezulton se personat e përfshirë dyshohet se ushtronin aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në rrethin e Sarandës, kryesisht në zonat e plazheve, lokalet e natës dhe në afërsi të shkollave.
Gjatë operacionit u procedua në gjendje të lirë edhe shtetasi E. N., 36 vjeç, banues në Lushnjë, pasi, sipas policisë, kundërshtoi shërbimet e Policisë për të mos lejuar kontrollin në një nga dhomat e hotelit, ku u kap shtetasi Sh. B. dhe iu gjet një armë zjarri pistoletë.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësitë Fier dhe Tiranë, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë aktivitet. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Sarandë për veprime të mëtejshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.