Sava Janjiq kërkon dialog për Kosovën në UNESCO
Sava Janjiq, Abati i Manastirit të Deçanit, thotë se trashëgimia serbe duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut të Brukselit para se çdo diskutim të mëtejshëm mbi statusin e UNESCO-s.
Pyetje: Jeni i lumtur që fituat në UNESCO apo mendoni se thjesht e keni shtyrë këtë çështje për një periudhë kohe?
Përgjigje: Kjo nuk është koha për ngazëllim apo mëri. Vendimi i UNESCO-s dëshmoi se çështje të tilla të ndjeshme si trashëgimia kulturore në zonat post-konfliktuale duhet të diskutohen fillimisht me dialog.
Pavarësisht zhgënjimit nga ana e Kosovës, besoj se rruga më e mirë është një diskutim mbi mbrojtjen afatgjate institucionale të trashëgimisë kulturore serbe në dialogun e Brukselit.
Duke qenë se mekanizmat e Ahtisaarit janë pak a shumë të humbura nga legjislacioni i Kosovës, na nevojitet një mekanizëm i qartë dhe i garantuar ndërkombëtarisht që do të na siguronte se pavarësisht se kush e drejton Kosovën, detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndalojnë ndryshime të njëanshme në legjislacion.
Paketa e Ahtisaarit mbi trashëgiminë ishte një nga elementet më të suksesshme të planit të Ahtisaarit dhe tani ka ardhur koha ta parashtrojmë këtë çështje në tryezë në Bruksel.
Unë nuk mendoj se dialogu do të ngecë, sepse procesi i Brukselit është me rëndësi thelbësore që si Beogradi ashtu edhe Prishtina të ecin drejt integrimit në BE.
Ne mbetemi të hapur për dialog dhe kemi bërë thirrje për këtë gjatë muajve të fundit si e vetmja rrugë për të ecur përpara. Fushata e Kosovës për anëtarësim në UNESCO përkon me një projektligj problematik për trashëgiminë kulturore, gjë e cila ka shkaktuar reagimin e kishës tonë, e cila është treguar relativisht e rezervuar me shtypin.
Pyetje: Duke qenë se ju luajtët një rol të rëndësishëm në kundër-fushatë, jeni të shqetësuar për sulme të reja në Deçan?
Përgjigje: Nuk e shikoj aktivitetin tim në rrjetet sociale para vendimit të UNESCO-s si një fushatë politike.
Qëllimi im ishte të tërhiqja vëmendjen te problemet që kemi pasur me autoritetet e Kosovës, sidomos që në prill, kur ata u përpoqën të miratonin një ligj tepër diskriminues mbi trashëgiminë kulturore.
Në kontekstin e atij ligji, i cili kërkon që të gjitha trashëgimitë kulturore në Kosovë të bëhen pronë e Republikës së Kosovës, anëtarësimi në UNESCO nga kisha jonë u konsiderua me shumë gjasa si një mjet shtypjeje kulturore.
Zhdukja e ish-dispozitave të Ahtisarit nga legjislacioni i Kosovës në mes të procesit të revizionizmit historik, sidomos në sistemin arsimor të Kosovës dhe shkrimet e disa intelektualëve të Kosovës, na dhanë një tregues shumë të qartë se statusi i UNESCO-s do të çonte në heqjen e identitetit tonë, të drejtave tona të pronësisë dhe me pak fjalë, do të çonte në heqjen e të ardhmes tonë në Kosovë.
Aktiviteti im në rrjetin social nuk ishte i motivuar politikisht, sepse ne nuk reaguam për pranimin e Kosovës në organizata të tjera – kjo u shkaktua thjesht nga mos marrja parasysh e interesave tona jetike nga ana e qeverisë së Kosovës.
Ne nuk kemi frikë nga sulme të reja, sepse ato do të ishin shumë të dëmshme për Kosovën dhe do të konfirmonin vetëm pohimet se Kosova po bëhet një shoqëri islamike dhe, si e tillë, e papranueshme për Evropën.
Mbrojtja e vendeve të krishtera ortodokse, sidomos vendeve të shpallura Trashëgimi Botërore nga UNESCO, është një etapë e rëndësishme për progresin e Kosovës në të ardhme dhe çdo akt dhune do të ishte shumë i dëmshëm.
Pyetje: Mund të na përditësoni për numrin e murgjve në manastir?
Përgjigje: Ne kemi 24 murgj dhe rishtarë. Ne kemi gjithashtu rregullisht deri në 15 punëtorë / personel që na ndihmon në aktivitetet tona të përditshme (bujqësi, duke u kujdesur për godinat dhe na ndihmojnë të presim mysafirët.)
Pyetje: Cila është gjëja më e rëndësishme që duhet të dinë njerëzit jashtë në prag të çështjes së UNESCO-s?
Përgjigje: Kisha jonë nuk është kundër promovimit të arsimit, kulturës dhe shkencës në Kosovë. Ne gjithashtu nuk donim që çështja e trashëgimisë tonë kulturore të hynte në arenën e përballjes politike.
Kërkesa jonë kryesore ishte ta shtynim vendimin për pas dialogut dhe t’i ofronin garanci të plotë ndërkombëtare Kishës Ortodokse Serbe në lidhje me ruajtjen e vendeve të saj më të çmuara trashëgimi kulturore.
Ne duam të ruajmë emrin dhe traditën tonë. Këto vende nuk janë muze, por vende adhurimi dhe vendosja e kontrollit të drejtpërdrejtë të qeverisë kosovare mbi këto vende krijon një situatë të ngarkuar politikisht dhe emocionalisht, si debati i fundit midis Palestinës dhe Izraelit mbi sheshin para Murit të Vajtimit, i cili krijoi tensione dhe polemika shumë serioze.
Në zona të ndjeshme politikisht, UNESCO duhet të veprojë në bazë të nxitjes së një atmosfere dialogu dhe mirëkuptimi për hir të mbrojtjes së trashëgimisë dhe për të shmangur konfrontimet e panevojshme politike që vetëm mund ta dëmtojnë këtë organizatë.
Ne mbetemi të gatshëm për dialog me Kosovën, por, për shkak të përpjekjeve problematike për të miratuar një legjislacion diskriminuese, ne duam që çështja e trashëgimisë të zgjidhet fillimisht në kuadër të dialogut në Bruksel.
Garancia e Kosovës se do t’i përmbahet parimeve të Ahtisaarit është e pabazë, sepse qeveria tashmë i ka fshirë të gjitha referencat e planit të Ahtisaarit nga legjislacioni i saj.
Në të njëjtën kohë, kujtime të dhimbshme të shkatërrimit të 150 kishave dhe 400 varrezat të kishës tonë pas luftës, mbeten një re e errët mbi kokat tona.
Pas luftës në Bosnjë dhe marrëveshjes së paqes së Dejtonit, asnjë xhami apo kishë nuk u shkatërrua pavarësisht viktimave dhe mizorive të shumta në luftën në Bosnje.
Ne mendojmë se shkatërrimi sistematik i trashëgimisë tonë nga ekstremistët shqiptarë të Kosovës pas luftës, gjë e cila u ndalua vetëm nga KFOR-i, është një element shumë problematik në historinë e kohëve të fundit të Kosovës. Për pasojë, Kisha Ortodokse Serbe ka shumë nevojë për një status dhe mbrojtje speciale në mes të një atmosfere aspak tolerante dhe provokimeve të kohëve të fundit, sulmeve të vogla dhe mbishkrimeve në mure si ai ISIL në muret e Deçanit vitin e kaluar.
Pyetje: Sa mendoni se është numri aktual i serbëve në Kosovë?
Përgjigje: Numri i serbëve në Kosovë është rreth 130,000, sipas të dhënave tona.
Proceri i rikthimit ka ndaluar për shkak të kundërshtimit në disa komuna me shumicë shqiptare, arsye ekonomike dhe mungesë sigurie për shtëpi dhe familje të izoluara. Sulmet e shpeshta ndaj të rikthyerve po i dekurajojnë ata në procesin e rikthimit. Pjesa më e madhe e serbëve jetojnë në jug të lumit Ibër dhe kjo është arsyeja pse Serbia nuk e mbështet ndarjen, e cila është gjithashtu e papranueshme për ndërkombëtarët, por këmbëngulim për Shoqatën e Komunave Serbe, e cila do t’i siguronte të drejta të mëdha komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe do të siguronte funksionimin normal të sistemit arsimor me kurrikula mësimore serbe dhe një mbrojtjen e duhur shëndetësore.
Shoqata fillimisht u pranua nga Kosova në Bruksel, por po pengohet vazhdimisht në parlament për javë të tëra tashmë, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për të zhbllokuar procesin dhe të vazhdojnë dialogun në Bruksel, i cili është tepër i rëndësishëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.