Sazani, ishulli ‘muze’ i harruar nga koha
Një grup prej 10 gazetarësh nga mediat e disa vendeve të rajonit dhe Shqipërisë, ishin turistët e parë që mundën të vizitonin ish-ishullin ushtarak të Sazanit. Në një tur të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, gazetarë nga gazeta maqedonase ‘Koha’, nga televizionet kosovare ‘Klan Kosova’ dhe ‘RTV 21’ nga gazeta e Malit të Zi ‘Vijesti’ si dhe nga Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Televizioni Publik Shqiptar, vizituan vendet të cilët kanë qenë të paaksesueshëm nga shumica e popullsisë shqiptare. Përgjegjësi i Sektorit të Marketingut në AKT, Alborent Rama theksoi për ATSH se “ne, si AKT po organizojmë ture të tilla me gazetarë nga vende të ndryshme të botës me qëllim promovimin e “Shqipërisë Turistike”. Ndërkohë ky sezon veror turistik me hapjen e Ishullit të Sazanit do të ketë një tjetër destinacion më tepër në hartën tonë turistike dhe kam bindjen që do të tërheqë padyshim vizitorë të shumtë”.
Gazetarët, turistët e parë në ishullin e Sazanit
Jemi sërish në periudhën përpara viteve 90′. Në Shqipëri sundon ende regjimi diktatorial komunist dhe koha nuk ka kaluar. Asgjë nga ajo që dimë në 25 vitete e fundit nuk ka ndodhur. Ky është mendimi i parë që të përshkon sapo sheh Sazanin. Të shoqëruar nga anija ushtarake e prodhuar në Shqipëri “Oriku”, gazetarët e Ballkan Media Tour ishin “turistët e parë” që shkelën në ishulln misterioz të Sazanit, përpara se ai të hapet tërësisht për turistët e huaj dhe vendas në muajin qershor. Në gjirin e Sazanit, që dikur shërbente si bazë ushtarake, mund të shohësh fare qartë shenjat e regjimit të dikurshëm, që nga bunkerët e shumtë deri tek anijet e ndryshkura, të cilat duket sikur të ftojnë në një udhëtim surreal, në një ishull që është harruar nga koha.
Aty mund të shohësh edhe pllaka me mbishkrim italisht, të cilat kanë mbetur aty prej forcave detare italiane të cilat u vendosën aty në vitin 1997 pasi asistonin Shqipërinë në luftën kundër trafiqeve të jashtëligjshme dhe ndihmën për ringritjen e kapaciteteve operative të forcave detare dhe policisë kufitare shqiptare.
Në krahun e djathtë të ishullit, ndodhen disa galeri të cilat shërbenin gjatë kohës së regjimit diktatorial si vende për riparimin e anijeve. Ndërsa në krahun e majtë të ishullit ku shtrihet kodra më e lart e ishullit, gjenden ndërtesat që dikur shërbenin si kazerma për ushtarakët që kryenin shërbimin aty.
Pamja surreale, gati – gati e pabesueshme që ofron ishulli i braktisur tashmë i Sazanit, ta bën të vështirë të besosh se dikur aty ka pasur një jetë normale, ku familjet e ushtarakëve që kryenin shërbimin për vite me radhë aty kishin ndërtuar jetët e tyre.
Në Sazan mund të shohësh shkollën 8-vjeçare të braktisur tashmë, “22 tetori”, maternitetin, postën e komandës, si dhe disa ndërtesa dy katëshe që shërbenin si banesa për ushtarakët dhe familjet e tyre.
Tashmë ky ishull i mbetur i shkretë do të shërbejë si një atraksion turistik për të gjithë ata që duan të shohin një dëshmi reale të asaj që ishte dikur një fortesë e regjimit të dikurshëm diktatorial në Shqipëri, dhe ku vetëm disa ushtarakë të zgjedhur mund të shkelnin.
Një historik për ishullin e Sazanit
Emri i ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Gjatë mesjetës ishulli kaloi në zotërimin Venecian. Në kohërat e reja së bashku me ishujt Joniane të Greqisë u pushtua nga Anglia. Gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë Luftës së Parë Botërore ishulli u pushtua nga Italia. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë. Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua nga Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar.
Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.
Një pjesë relikesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë arkeologjik në Durrës. Gjatë kohës së luftës së ftohtë ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasuluruese, artilieria bregdetare etj.Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë luftës së ftohtë ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për Ushtrinë Popullore ne rast lufte Për këtë arsyje njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe. Nga viti 1997 në ishull u vendosën disa motovedeta dhe anije të forcave detare Italiane të cilat asistonin ne luftën kundër trafiqeve të jashtëligjshme dhe ndihmën për ringritjen e kapaciteteve operative të forcave detare dhe policisë kufitare shqiptare.
Në vitin 2009 pas plot 12 vjet qëndrimi në ishull dhe një lufte të suksesshme kundër trafiqeve te jashtëligjshme forcat detare Italiane largohen nga ishulli, i cili në planet e Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare vazhdoi të sherbejë si bazë detare. Ndërsa tashmë falë angazhimit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, ishulli do të kthehet në një atraksion për turistët vendas dhe të huaj.