Ekonomia

Së shpejti mbërrijnë “banka e hapur” dhe “pagesat e shpejta

Intervistë me Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e parë e Bankës së Shqipërisë

Përfshirja financiare e shqiptarëve në vitet e fundit po rritet me ritme të shpejta. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë, thotë në një intervistë për “Monitor” se Strategjia Kombëtare e Pagesave me Vlerë të Vogël ka sjellë rezultate të dukshme në rritjen e numrit të shqiptarëve që kanë llogari bankare dhe në rritjen e pagesave elektronike. Znj.Minxhozi thotë se megjithatë efektet e masave të ndërmarra do të jenë më të dukshme gjatë viteve në vazhdim. Banka e Shqipërisë po punon për të bërë të zbatueshëm në vitin 2024 “bankingun e hapur”, ndërsa së shpejti pritet të miratohet edhe ligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Projekt tjetër prioritar është ai i “pagesave të shpejta” (instant payment), i cili do të mundësojë kryerjen pagesave dhe transfertave në kohë reale.

Si i vlerësoni rezultatet e deritanishme të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023) dhe cilat janë, në këndvështrimin tuaj, arritjet kryesore të kësaj strategjie?

Strategjia Kombëtare e Pagesave me Vlerë të Vogël (SKPVV), në Shqipëri, bazohet në një vizion të qartë: të krijojë një treg bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe eficiente, si dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh të pagesave që përmbushin nevojat e përdoruesve të tyre, të aftë financiarisht, në të gjithë vendin.

Banka e Shqipërisë e sheh ndikimin e masave të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël si mjaft pozitiv. Ashtu si kemi komunikuar në vazhdimësi, objektivat sasiorë të strategjisë janë përmbushur në mënyrë të kënaqshme, si nga pikëpamja e përfshirjes financiare ashtu edhe në këndvështrimin e nxitjes së përdorimit të pagesave elektronike nga publiku i gjerë.

Bazuar në statistikat e disponueshme është evidentuar qartazi se në vitin 2021, qytetarët shqiptarë në moshë madhore kanë përdorur në përditshmërinë e tyre alternativat elektronike të pagesave mesatarisht 12.5 herë, duke tejkaluar kështu objektivin prej 10 pagesash për frymë në vit të vendosur në strategji.

Ndërkohë, në vitin 2022, ky tregues vlerësohet të rritet akoma më shumë në masën 16 pagesa për frymë, duke diktuar kështu qëndrueshmërinë e kësaj tendence.

Nga ana tjetër, edhe nga pikëpamja e përfshirjes financiare, zhvillimet janë mjaft pozitive. Bazuar në të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Llogarive, evidentohet se shqiptarët kanë një nivel relativisht të kënaqshëm të përfshirjes financiare, ku pothuajse 69% e popullsisë zotëron një llogari bankare.

Objektivi ynë fillimisht ishte arritja e një niveli të përfshirjes financiare të popullsisë në masën 70% deri në vitin 2023, por vlerësojmë se në periudhën afatshkurtër ky nivel do të tejkalohet, duke shënuar përafrim të ndjeshëm me vendet e Ballkanit dhe ato të Bashkimit Evropian.

Në lidhje me planin e veprimit të strategjisë duhet të theksojmë se masat e parashikuara janë arritur në një nivel të konsiderueshëm.

Më konkretisht, ligji “Për shërbimet e pagesave” dhe kuadri rregullativ në zbatim është tashmë në fuqi dhe efektet e tij pritet të materializohen plotësisht edhe me zhvillimin e bankës së hapur (open banking) në fillim të vitit 2024, duke nxitur kështu edhe më shumë tejkalimin e ndjeshëm të objektivave të synuar.

Hartimi i projektligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, krahas ndikimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, do të ndikojë në nxitjen e mëtejshme të përfshirjes financiare. Më konkretisht, krijimi i një produkti me kosto të ulët ose pa kosto, për kategori të caktuara të popullsisë, do të mundësojë që, përveç zotërimit të një llogarie bankare, të përfitohet edhe përdorimi i pagesave elektronike.

Këto produkte e shërbime financiare, të cilat nëpërmjet ligjit “Për shërbimet e pagesave” do të jenë të pranishme në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, do të nxitin ndjeshëm përfshirjen financiare dhe përdorimin e pagesave elektronike.

Masat e marra në lidhje me krijimin e skemës ndërbankare të debitimit direkt dhe mundësia e anëtarësimit të institucioneve financiare jobanka, të cilat ofrojnë pagesa në sistemin AECH, vlerësohet se do të ndikojnë ndjeshëm në efikasitetin e tregut, duke shtuar gamën e shërbimeve të ofruara dhe nxitjen e ndërveprimit ndërmjet aktorëve të ndryshëm.

Krahas këtyre zhvillimeve ligjore e rregullative, BSH-ja ka ndërmarrë edhe një sërë masash të tjera nga pikëpamja e zhvillimeve infrastrukturore, ndër të cilat një nga arritjet kryesore që mund të përmendim është krijimi dhe operimi i sistemit AIPS-EURO për pagesat ndërbankare në Euro, brenda vendit.

Tashmë shqiptarët, në përditshmërinë e tyre, po ndjejnë efektet e këtij sistemi, i cili ka bërë të mundur shmangien e radhëve të gjata nëpër sportelet e bankave për kryerjen e pagesave në Euro, nga njëra bankë në tjetrën, dhe uljen e komisioneve të larta të aplikuara nga transferimi nëpërmjet bankave korrespondente.

Nga muaji janar deri në fund tetorit të këtij viti, nëpërmjet sistemit AIPS EURO, janë procesuar rreth 120 mijë pagesa dhe rezulton se, për këtë periudhë, konsumatorëve dhe bizneseve shqiptare u janë kursyer afërsisht 10 milionë euro.

Në këtë këndvështrim, mund të thuhet se projekti ka efekte të drejtpërdrejta dhe të tërthorta në mirëqenien individuale të klientit, të bankës, si dhe të ekonomisë në tërësi.

Banka e Shqipërisë po punon gjithashtu lidhur me zhvillime infrastrukturore në drejtim të përmirësimit të sistemeve të pagesave për prezantimin e standardeve të reja të komunikimit dhe shërbimeve, të cilat ndihmojnë në adresimin e nevojave infrastrukturore për zbatimin e strategjisë.

Një projekt tjetër i rëndësishëm në këtë drejtim është dhe ai i pagesave të shpejta (instant payment), për zhvillimin e të cilit, Banka e Shqipërisë, në mbledhjen e fundit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP), ka prezantuar vizionin dhe opsionet më optimale për tregun shqiptar.

Me qëllim maksimizimin e efekteve të strategjisë, Banka e Shqipërisë po punon për nxitjen e edukimit financiar. Në këtë drejtim, në mbledhjen e tetë të KKSP-së u miratua edhe Strategjia Kombëtare e Edukimit dhe Përfshirjes Financiare.

Çfarë ndikimi prisni në tregun e pagesave nga hyrja e plotë në fuqi e ligjit “Për shërbimet e pagesave” dhe në veçanti nga zbatimi i dispozitave që lidhen me konceptin e open banking?

Banka e Shqipërisë, në mënyrë të vazhdueshme, ka theksuar se ligji “Për shërbimet e pagesave” është konsideruar si shtylla kryesore e modernizimit, inovacionit dhe nxitjes së konkurrencës në tregun e pagesave me vlerë të vogël.

Njëkohësisht, ligji krijon një ambient mjaft prudencial nga pikëpamja e mbrojtjes së konsumatorëve, si një komponent mjaft i rëndësishëm për tregun financiar shqiptar, në kushtet e një përfshirjeje në rritje dhe një edukimi financiar ende të brishtë.

Kështu, Ligji i Shërbimit të Pagesave me Vlerë të Vogël synon të ridimensionojë edhe aktivitetin e institucioneve financiare jobanka në fushën e pagesave, për të krijuar një ambient të balancuar veprimi në treg.

Ky është parakusht i nevojshëm për krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë aktorët, duke nxitur kështu konkurrencën dhe efikasitetin në treg, nëpërmjet përdorimit të pagesave elektronike dhe përfshirjes financiare.

Nga ana tjetër, ky ligj krijon mundësi për ofrimin edhe të një game të gjerë shërbimesh elektronike nëpërmjet krijimit dhe operimit të open banking, të tilla si: inicimi i pagesave dhe shërbimi e informimi mbi llogarinë.

Këto veprimtari mundësojnë zhvillimin e pagesave elektronike, si nëpërmjet alternativave në dyqane fizike ashtu edhe për tregtinë elektronike, duke mundësuar kryerjen e pagesave në distancë nëpërmjet aksesimit të fondeve në llogarinë bankare nga institucionet e inicimit të pagesës dhe transferimin e tyre pranë tregtarit, duke krijuar një alternativë të re krahas pagesave me kartë.

Nga ana tjetër, open banking, në raste të caktuara, mund të mundësojë edhe emetimin e kartave nga një ofrues shërbimesh pagese, pavarësisht nëse përdoruesi disponon një llogari në një ofrues të këtij lloj shërbimi, çka nënkupton se efektet e open banking nxisin konkurrencën edhe në këtë segment të tregut.

Së fundi, open banking, i krijuar për qëllime të shërbimeve të pagesave, konsiderohet edhe si një parakusht i nevojshëm për një sërë projektesh dhe zhvillimesh të tjera në të ardhmen, të tilla si instant payment dhe digjitalizimi i procesit të kredidhënies dhe investimeve.

Përtej ridimensionimit dhe reformimit të tregut, Ligji i Shërbimit të Pagesave është gjithashtu shumë i rëndësishëm edhe në përafrimin e praktikave të rregullimit të tregut vendas të shërbimeve të pagesave me tregun evropian të pagesave.

Vlerësohet se transpozimi i PSD 2 nëpërmjet këtij ligji përbën një hap themelor në lidhje me integrimin dhe zbatimin e rekomandimeve, në kuadër të lëvizjes së lirë të kapitalit dhe aderimin në Tregun e Vetëm të Pagesave në Euro (SEPA).Me gjithë përmirësimet e viteve të fundit, vlerësohet se ekonomia shqiptare ka një shkallë të lartë të përdorimit të parasë cash në transaksionet e pagesave. Përveç rolit të Bankës së Shqipërisë, si mund të kontribuojnë institucionet e tjera, kryesisht qeveria dhe institucionet e saj të varësisë, në nxitjen e kanaleve alternative (jo-cash) të pagesave?

Përdorimi i lartë i parasë fizike (parasë cash) në ekonominë shqiptare është një fenomen shumëdimensional, i shkaktuar nga një sërë zhvillimesh dhe rrethanash. Kështu që edhe masat për uljen e përdorimit të saj duhet të jenë të shumta dhe nga një gamë e gjerë aktorësh.

Kjo është edhe arsyeja që në Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël synim kryesor është bashkëpunimi i ngushtë dhe bashkërendimi i përpjekjeve jo vetëm me sistemin bankar e financiar.

Në këtë linjë, që prej vitit 2019, Banka e Shqipërisë ka bashkërenduar përpjekjet, me qëllim promovimin e pagesave elektronike dhe ligjit për fiskalizimin, të cilët, pavarësisht se rregullojnë fusha të ndryshme të veprimit, plotësojnë në vetvete mundësinë e digjitalizimit të plotë të procesit, duke filluar që nga gjenerimi dhe monitorimi i faturës deri në kryerjen e pagesës në mënyrë elektronike.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Banka e Shqipërisë, sistemi bankar dhe një sërë institucionesh të tjera financiare janë duke punuar për promovimin e tregtisë elektronike në nivel kombëtar.

Kjo nismë ndërthur dhe promovon në të njëjtën kohë edhe arritjen e objektivave të Bankës së Shqipërisë për nxitjen e përdorimit të pagesave elektronike, si dhe objektivat e përbashkët për formalizimin e ekonomisë dhe nxitjen e fiskalizimit të bizneseve.

Së fundmi, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Shoqata Shqiptare e Bankave dhe AKSHI kanë intensifikuar përpjekjet për promovimin e pagesave elektronike në shërbimet me pagesë të e–Albania-s.

Në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë, edukimi i publikut për të përdorur pagesat elektronike nëpërmjet pagesave për shërbimet publike dhe shtetërore është një nga mekanizmat më efikas dhe me ndikim më të lartë në publikun e gjerë që po ndodh aktualisht në tregun shqiptar.

Nga ana tjetër, edhe institucionet shtetërore qendrore e lokale gjithnjë e më shumë po marrin masa për promovimin e pagesave elektronike, ku mund të përmendim: pagesat e parkimit nëpërmjet celularit; krijimin rishtazi të kartës së studentit nga Bashkia e Tiranës, kartë e cila funksionon si kartë bankare; krijimin e projektit të kartës sociale, e cila do të shpërndahet pranë qytetarëve nëpërmjet Postës Shqiptare në rolin e institucionit financiar jobankë që ofron dhe shërbime të parasë elektronike prej gati dy vitesh.

Ne vlerësojmë se masat e përbashkëta në këtë drejtim nuk kanë munguar dhe do të vijojnë edhe në të ardhmen, por ndryshimi i sjelljes së aktorëve ekonomikë dhe publikut të gjerë është një proces që kërkon kohë dhe masa të vazhdueshme graduale, në mënyrë që të jenë efektive, të pranueshme dhe të zbatueshme gjerësisht.

Shpeshherë, rritja e shkallës së përdorimit të kanaleve bankare perceptohet nga publiku dhe sidomos nga bizneset e vogla si një kosto e shtuar. Megjithëse në përgjithësi tarifat dhe komisionet e sektorit bankar nuk janë subjekt i rregullimit ligjor, si mund të sigurohet një qasje e balancuar mes detyrimit të biznesit për të përdorur kanalet bankare dhe aplikimi i kostove të arsyeshme nga ana e bankave? 

Sa i përket kësaj çështjeje, dëshiroj të qartësoj se, pavarësisht se vendosja e komisioneve nga ana e operatorëve në treg bazohet në parimet e tregut të lirë, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe në tërësi të aktorëve ekonomikë, Banka e Shqipërisë ka marrë në vazhdimësi masa që lidhen me to.

Më konkretisht, ndër vite ne kemi ndërhyrë në komisionet e aplikuara nga bankat për pagesat e procesuara nëpërmjet sistemeve të pagesave të operuara nga vetë BSH-ja, duke vendosur vlera tavan për transfertat brenda vendit, në Lek dhe, së fundmi, edhe për ato në Euro.

Nga ana tjetër, ashtu si jemi shprehur edhe në Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël, qëllimi është që përmirësimet në tregun e pagesave me vlerë të vogël t’u japin qytetarëve më shumë zgjedhje e më shumë mundësi për kryerjen e transaksioneve të përditshme, në një mënyrë të përshtatshme dhe me kosto efektive; të gjitha këto përmirësime në mbështetje edhe të objektivit të përfshirjes më të gjerë financiare.

Ne vlerësojmë se materializimi i plotë i masave të strategjisë do të adresojë në mënyrë të qenësishme reduktimin e kostove në këtë drejtim dhe rritjen e efikasitetit të tregut.

Krahas këtyre masave, me qëllim mbrojtjen e bizneseve të vogla, të cilat, për shkak të aftësive të tyre të kufizuara negociuese dhe shkallës së ulët të edukimit financiar, mund të përballen me vështirësi, Banka e Shqipërisë ka përfshirë në regjimin prudencial të mbrojtjes së konsumatorit edhe këtë kategori biznesi.

Në këtë këndvështrim, ne vlerësojmë se trajtimi i njëjtë i bizneseve të vogla dhe konsumatorëve do të ndihmojë ndjeshëm që këto sipërmarrje apo grupe individësh, në të ardhmen, të përqafojnë përdorimin e pagesave elektronike.

Një nga shkaqet që frenojnë pranimin e pagesave elektronike (kryesisht me kartë) nga bizneset besohet se janë kostot e aplikuara nga bankat për shërbimin e pranimit të pagesave. Besoni se mekanizmi i një ‘national card switch’ mund të ndihmojë në reduktimin e këtyre kostove dhe a duhet inkurajuar një zgjidhje e tillë?

Banka e Shqipërisë prej vitesh ka theksuar nevojën për nxitjen e efikasitetit të tregut, ku një nga shqetësimet kryesore është reduktimi i kostove, përfshirë edhe segmentin e kartave.

Në lidhje me kostot e kartave, të cilat kryesisht mbarten nga ana e bizneseve, ne kemi kryer një sërë studimesh, analizash dhe diskutimesh me sistemin bankar, mbi nevojat për përmirësim, përfshirë edhe mundësinë e krijimit të një SWITCH-i kombëtar nga ana e tregut, nëse ata do ta vlerësonin të nevojshëm.

Më konkretisht, në vitin 2019, me mbështetjen e Bankës Botërore, Banka e Shqipërisë ka analizuar komisionet e aplikuara nga bankat për pagesat me karta. Gjetjet dhe rekomandimet e analizës janë diskutuar me aktorët e tregut dhe është theksuar nevoja e reduktimit të tyre kryesisht për sa i përket komisioneve të aplikuara nga bankat pranuese dhe ato emetuese – të ashtuquajturat tarifa të këmbimit (interchange fees).

Në vijim të miratimit dhe zbatimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave” dhe promovimit të open banking dhe instant payment, Banka e Shqipërisë vlerëson se krijimi i këtyre kanaleve alternative, si dhe shtimi i konkurrencës në treg, nga pikëpamja e emetimit dhe pranimit të instrumenteve të pagesave, do të ndikojnë ndjeshëm dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në reduktimin e komisioneve të aplikuara edhe në tregun e kartave.

Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë synon që në periudhën afatmesme të përafrojë rregulloren e Bashkimit Evropian 2015/751 mbi “Tarifat e Këmbimit” (interchange fee) për transaksionet e pagesave të bazuara në karta.

Sa i përket Switch-it Kombëtar, Banka e Shqipërisë mbështet çdo iniciativë të tregut, si dhe i vlerëson ato si të nevojshme për nxitjen e efikasitetit. Kështu, krahas projekteve dhe objektivave, prioritare janë vendosur edhe alternativat e open banking dhe instant payment.

Ligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike” është hedhur për konsultim prej më shumë se një viti nga Banka e Shqipërisë, por ende nuk kanë nisur procedurat për miratimin e tij. Kur prisni që ligji të miratohet dhe çfarë kontributi mendoni se do të japë ai në rritjen e përfshirjes financiare?

Në lidhje me projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike” dëshirojmë të shpjegojmë se, ashtu si për ligjin “Për shërbimet e pagesave” apo për ligje të tjera, Banka e Shqipërisë zhvillon një proces konsultimi, duke ndjekur disa etapa.

Në këtë drejtim, projektligji paraprakisht është konsultuar me sistemin bankar dhe në vijim të këtij konsultimi është dërguar pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për komente dhe sugjerime, për të vijuar më pas me konsultimin publik me të gjitha institucionet shtetërore dhe publikun e gjerë, sipas kërkesave ligjore.

Mund të themi se jemi në një fazë shumë të avancuar të procesit dhe, edhe në sajë të bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe interesit të shprehur edhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në lidhje me këtë projektligj, miratimi i tij vlerësohet se do të realizohet në një kohë të afërt.

Qëllimi i këtij projektligji, hartuar me asistencën e Bankës Botërore, është krijimi i kuadrit ligjor për të ofruar shërbimet e pagesave për të gjithë konsumatorët dhe veçanërisht për individët që nuk zotërojnë llogari bankare, pa kosto ose me kosto të përballueshme, duke mundësuar dhe garantuar të drejtën e çdo konsumatori, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit, historikut të aftësisë paguese, për të pasur akses në shërbimet bazë të llogarisë së pagesës.

Projektligji krijon kushte dhe rregulla për një sërë çështjes si:

a) mosdiskriminimin e konsumatorëve për hapjen e një llogarie pagese me shërbime bazike;

b) moslejimin e refuzimit nga ana e bankave të çeljes së një llogarie bazike, përveç rasteve specifike të tilla si cenimi i kërkesave të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;

c) mekanizmin e vendosjes së tarifave për llogarinë bazike, ku në përgjithësi parashikohet që tarifat për shërbimet e ofruara për këtë lloj llogarie të jenë më të ulëta se ato për llogaritë standarde të pagesave, ndërsa për disa kategori vulnerabël është parashikuar që tarifa e shërbimeve të jetë zero.

Objektivi i këtij projektligji është promovimi dhe rritja e përfshirjes financiare të popullsisë, duke krijuar lehtësira për kategori konsumatorësh të cilët e kanë të vështirë apo të pamundur hapjen dhe mbajtjen e një llogarie pagesash (rrjedhëse) në banka, për shkak të kostove që ajo mbart. Më konkretisht, ky projektligj vlerësohet se do të mbështesë edhe përmbushjen e objektivave të Strategjisë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël, në lidhje me përfshirjen financiare, dhe nxitjen e përdorimit të pagesave elektronike.

Cilat janë projektet e tjera të Bankës së Shqipërisë në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të sistemit të pagesave në vend?

Në mbledhjen e tetë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, u përcaktua se prioritet afatshkurtër dhe afatmesëm i Bankës së Shqipërisë mbetet krijimi dhe operacionalizimi i open banking nga aktorët e tregut, me qëllim materializimin e plotë të efekteve të pritshme të ligjit “Për shërbimet e pagesave”.

Nga ana tjetër, një projekt mjaft ambicioz në lidhje me zhvillimet infrastrukturore është edhe zhvillimi i projektit ‘instant payment’, i cili do të mundësojë që qytetarët dhe bizneset shqiptare të kryejnë pagesa dhe transferta në kohë reale, në çdo moment, nëpërmjet celularit të tyre. Krahas shpejtësisë, këto shërbime vlerësohet se do të kenë edhe kosto ndjeshëm më të ulëta se alternativat ekzistuese të tregut.

Me qëllim mbështetjen e zhvillimeve të tregut dhe projekteve të promovuara nga Strategjia Kombëtare e Pagesave me Vlerë të Vogël, Banka e Shqipërisë po punon gjithashtu edhe në drejtim të përmirësimit të sistemeve të pagesave për prezantimin e standardeve të reja të komunikimit dhe shërbimeve, të cilat ndihmojnë në adresimin e nevojave infrastrukturore për zbatimin e strategjisë.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, të gjitha këto projekte do të shoqërohen edhe me masa në kuadër të edukimit financiar, me qëllim maksimizimin e efekteve të synuara. Në këtë drejtim, në mbledhjen e fundit të KKSP-së, u miratua dhe Strategjia Kombëtare për Edukimin Financiar, e cila do të kërkojë vëmendje të shtuar dhe intensifikim të përpjekjeve në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

Strategjia aktuale e pagesave me vlerë të vogël ka si afat kohor vitin 2023. A parashikoni të hartoni një strategji të re për vitet në vazhdim dhe cilat mendoni se duhet të jenë objektivat dhe drejtimet kryesore ku do të synojë një strategji e ardhshme?

Në lidhje me pyetjen tuaj, do ta vlerësoja si një reagim të parakohshëm përcaktimin e qartë të një qëndrimi të Bankës së Shqipërisë në lidhje me krijimin ose jo të një strategjie me të njëjtin vizion, por mbase me objektiva të ndryshëm.

Për disa nga projektet e parashikuara në këtë strategji, pavarësisht se ato mund të jenë realizuar ose të jenë në proces, efektet e plota të tyre pritet të materializohen në treg në periudhën afatmesme. Për më tepër, ne do të synojmë të nxisim ndikimin e masave të marra edhe nëpërmjet edukimit financiar, çka nënkupton që përçimi i plotë i të gjitha masave në treg do të shtrihet përtej afateve të parashikuara në këtë strategji.

Ajo që ne synojmë të realizojmë në përfundim të strategjisë është analizimi dhe krahasimi i të dhënave të tregut dhe studimeve të kryera përpara hartimit të saj me të dhënat aktuale, me qëllim identifikimin e treguesve të matshëm të efekteve të strategjisë në segmente dhe rrafshe të ndryshme të tregut.

Në bazë të këtyre gjetjeve, së bashku me aktorët e tregut, do të vlerësohet nëse duhet të ketë masa shtesë në lidhje me përfshirjen financiare sa i përket segmentit të pagesave, apo përpjekjet në të ardhmen do duhet të përqendrohen në produkte më të sofistikuara si kredidhënia dhe investimet.

Më herët këtë vit, kryeministri ka shprehur rezerva lidhur me nivelin e dixhitalizimit të shërbimeve të sektorit bankar. Si do ta vlerësonit ju progresin e sektorit bankar në prizmin e mësipërm dhe a shihni sfida apo pengesa për një zgjerim të mëtejshëm të dixhitalizimit të ofrimit të shërbimeve dhe produkteve bankare?

Në lidhje me këtë çështje, Banka e Shqipërisë ka mbajtur qëndrime konkrete. Kontributi i sistemit bankar në zhvillimin e tregut financiar dhe ekonomisë në tërësi, si dhe në kuadër të promovimit të produkteve inovative, sigurisht është i qenësishëm.

Megjithatë, realiteti i degëve të bankave të mbushura plot me klientë është një fenomen që ndikohet edhe nga faktorë të tjerë përtej modernizimit dhe digjitalizimit të sistemit bankar. Kjo situatë mund të lidhet me faktorë kulturorë, historikë, të edukimit financiar të popullsisë, të zhvillimit ekonomik etj.

Zgjidhja është edukimi financiar, i cili do të ndikojë dukshëm në rritjen e përfshirjes financiare.

Qytetarët duhet të informohen sa më shumë nga institucionet financiare, banka dhe jobanka, për lehtësitë që ofron sistemi shqiptar i pagesave, i mbështetur në Direktivën Evropiane PSD2.

Pra, sfida e ardhshme e të gjitha institucioneve anëtare të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave është rritja e edukimit financiar dhe zgjerimi i përfshirjes financiare.

Çfarë do të synojë konkretisht Strategjia Kombëtare për Edukimin Financiar? Çfarë ndikimi pritet të ketë lidhur me përfshirjen financiare?

Strategjia Kombëtare e Edukimit dhe Përfshirjes Financiare perceptohet nga Banka e Shqipërisë si një domosdoshmëri prej shumë vitesh.

Në këtë kuadër, BSH-ja, në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe Bankën Botërore ka hartuar një projektstrategji, e cila përshkruan parimet e përgjithshme të edukimit dhe përfshirjes financiare.

Megjithëse ka edhe shumë institucione të tjera të interesuara dhe të angazhuara në ofrimin e programeve që synojnë rritjen e edukimit dhe përfshirjes financiare, ende mbetet nevoja për një koordinim mes tyre.

Ndaj, edhe synimi i strategjisë kombëtare është t’i sjellë të gjitha këto institucione brenda një strukture institucionale që ka një objektiv dhe program të koordinuar për rritjen e kulturës dhe përfshirjes financiare në fushat që ato mbulojnë.

Qëllimi parësor i strategjisë është t’u garantojë të gjithë individëve, familjeve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme në Shqipëri mundësinë të zhvillojnë njohuri e kapacitete të mjaftueshme financiare, të sakta e të aplikueshme, dhe të përvetësojnë sjellje dhe qëndrime që i bëjnë ata të ndërmarrin veprime ekonomike e financiare të mirinformuara.

Përmes kësaj strategjie, Banka e Shqipërisë synon të kontribuojë në përmirësimin e mirëqenies ekonomike e financiare individuale dhe më tej të shoqërisë shqiptare, nëpërmjet promovimit dhe rritjes së nivelit të kulturës dhe përfshirjes financiare në vend.

Vitet e fundit, edukimi financiar ka zënë një peshë gjithnjë e më të madhe në funksionet kryesore të BSH-së, pasi një nivel i mirë i kulturës financiare të publikut, vlerësohet si komponent komplementar për përmbushjen e këtyre funksioneve, në afat të gjatë.

Programet edukuese të Bankës së Shqipërisë kanë në fokus të tyre dy objektiva kryesorë: prezantimin e institucionit të bankës qendrore, rolit dhe funksioneve të saj tek publiku, si dhe; kultivimin dhe përforcimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare.

Banka e Shqipërisë ka punuar gjithashtu edhe në drejtim të matjes/vlerësimit të nivelit të kulturës financiare në vend (nëpërmjet Vrojtimeve për Matjen e Kulturës dhe Përfshirjes Financiare).

Nga analiza e këtyre të dhënave, kemi një panoramë më të qartë të gjendjes aktuale të njohurive, sjelljeve dhe qëndrimeve financiare të popullatës. Këto njohuri na kanë mundësuar dhe ndihmuar jo vetëm në identifikimin e objektivave prioritarë të strategjisë sipas grupeve të popullatës, por edhe në krijimin e programeve edukative dhe aktiviteteve, për të rritur nivelin e njohurive financiare të publikut.

Mund të them se strategjia, së bashku me programet dhe aktivitetet që e mbështesin atë, do të zhvillohen në dy drejtime kryesore.

Së pari, do të ketë një vëmendje dhe objektiv për rritjen e edukimit dhe kulturës financiare në përgjithësi, me fokus shpjegimin e koncepteve të përgjithshme ekonomike e monetare në kuadër dhe në funksion të kuptimit më të mirë e më të plotë të politikave monetare e financiare të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për miradministrimin e ekonomisë.

Rritja e kulturës financiare në këtë drejtim do ta ndihmojë publikun të bëjë zgjedhjet e duhura në lidhje me konsumin e kursimet, por njëkohësisht, do të rrisë saktësinë dhe masën e reagimit të publikut në përgjigje të vendimmarrjes së politikave monetare e financiare. Kjo do t’i bëjë politikat monetare e financiare më të efektshme, duke kontribuuar në miradministrimin e ekonomisë.

Së dyti, do të ketë një vëmendje të veçantë për rritjen e edukimit mbi instrumentet dhe shërbimet financiare, për shpjegimin dhe evidentimin e avantazheve që ofrojnë ato, përfshirë edhe rreziqet në rastet kur ka të tilla. Ky drejtim i dytë do të ndihmojë publikun të identifikojë institucionet dhe instrumentet e shërbimet financiare që i përshtaten më mirë kërkesave dhe gjendjes financiare të familjes apo ndërmarrjes në mënyrë specifike.

Përmes këtyre njohurive, publiku dhe ndërmarrjet do të njohin avantazhet e do të kuptojnë përfitimet nga përdorimi i instrumenteve e shërbimeve financiare për të ulur kostot e rritur përfitimet. Rritja e njohurive financiare në këtë drejtim të dytë do të forcojë edhe mbrojtjen e konsumatorit, duke i bërë më të kuptueshme instrumentet financiare dhe vendosur një raport më të drejtë ndërmjet përfitimeve dhe rreziqeve që mbart përdorimi i tyre. Në përfundim, të gjitha këto së bashku do të kenë një efekt pozitiv në rritjen e përfshirjes financiare të popullatës që përbën një objektiv tjetër të rëndësishëm të strategjisë kombëtare.

Në lidhje me sa u tha më lart, Banka e Shqipërisë, në përputhje me strukturën institucionale të strategjisë kombëtare të edukimit financiar, ka përcaktuar partnerët me të cilët do të koordinohet e do të bashkëpunojë për zbatimin e strategjisë, hartimin e programeve edukuese dhe realizimin e aktiviteteve.

Aktualisht, në bashkëpunim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë si Banka Botërore, jemi në fazën e përcaktimit, krijimit dhe bashkërendimit të programeve konkrete të edukimit dhe të metodologjive të raportimit dhe vlerësimit të ndikimit të këtyre programeve. Proceset e monitorimit dhe të vlerësimit të ndikimeve do të japin informacion të shpejtë dhe real për arritjen e objektivave dhe eficiencën e programeve të strategjisë.

Këto së bashku me vrojtime (metodologjikisht) të mirëstrukturuara periodike për edukimin dhe përfshirjen financiare përbëjnë jo vetëm metrin e suksesit të strategjisë, por edhe bazën e informimit të publikut mbi këtë çështje, të cilin, në kuadër të transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale, Banka e Shqipërisë synon ta kryejë përmes një materiali që do të publikohet në formën e një raporti periodik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button