Politika

Sejamini: Qeveria po menaxhon krizat; Spiropali: Shqipëria ka probleme, por 3 arritjet tona…

E gjendur përballë “sulmeve” të analistëve të ftuar në emisionin “Open” të Eni Vasilit mbi arritjet “zero” të qeverisë Rama, veçanërisht e shprehur nga Neritan Sejamini, sipas të cilit qeveria ka mbaruar së qeverisuri, por po menaxhon tashmë krizat, Spiropali është kundërpërgjigjur me 3 arritje të shumicës qeverisëse.

Deputetja socialiste pranoi se ka shumë familje studentësh që nuk kanë mundësi t’i çojnë fëmijët e tyre në shkollë, pasi nuk u mjaftojnë të ardhurat ekonomike. Duke theksuar se Shqipëria ka ende shumë probleme dhe shumë për të bërë, ajo këmbënguli se “nuk mund të flitet me shifra”.

“Në një vend të varfër është e vështirë të flasësh me shifra dhe me përqindje, sepse pesha reale e përpjekjeve të secilit është e madhe. Dua të listoj arritjet kryesore të qeverisë Rama 2. Reforma në drejtësi ishte bërë pengesë për investimet në vend. Ishte shtysa jonë e madhe për ta bërë. Opozitën e kemi pasur kundër. Vettingu që ishte thelbi u votua shumë vonë. Përtej asaj që thuhet për arsimin, unë me përgjegjësi e them se janë probleme 30-vjeçare, por përpjekjet që janë bërë do të shkojnë deri në fund, s’do të ketë forca që ta ndalojnë. Janë rritur edhe investimet në arsimin. Janë mbyllur universitetet që këta zotërinjtë i hapën për të ‘parkuar’ të rinjtë aty, për të thënë që vërtet jeni të papunë. Mbyllja e universiteteve nuk ishte e lehtë. Vendosja në binarë e financave gjithashtu është një fushë ku është bërë një punë e mirë, për të mos hyrë në detaje, si vendosja e paketave stimuluese për bujqësinë, apo ulja e tatimit për biznesin e vogël”, tha ndër të tjera Spiropali.

Më herët, Sejamini ishte shprehur se “problemi kryesor është që qeveria ka mbaruar së qeverisuri, thjesht po menaxhon krizat. Është e paralizuar nga skandalet. Të gjithë ministrat mund të ndryshohen, por asgjë nuk do të ndryshojë. Ekonomia e Shqipërisë është katastrofë. Për herë të parë s’ka asnjë investim të huaj. Lista është 0. Nuk ka asnjë investim të huaj në vend. Treguesit bazë të ekonomisë janë papunësia, s’ka asnjë lloj punësimi, në të gjitha raportet”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button