Sejko në takimet e FMN e BB: Inflacioni i ulët do jetë i përkohshëm
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko ka pohuar gjatë takimeve në Uashngton me përfaqësues të FMN e Bankës Botërore se ecuria e inflacionit në vlerat aktuale është e përkohshme dhe shpejt ajo do të kthehet në nivelin e synuar. Z. Sejko theksoi edhe njëherë ndikimin e fortë që ka ushtruar koniunktura ndërkombëtare e çmimeve. Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme.
Sipas njoftimit zyrtar të Bankës, në datat 15-17 prill 2016, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington D.C., SHBA.Takimet e pranverës mbledhin së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare si dhe drejtuesit më të lartë të institucioneve ndërkombëtare financiare.
Ashtu siç pritej, çështja kryesore që mbizotëroi takimet ishte gjallërimi i mëtejshëm i ekonomisë botërore. Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar të FMN-së, evidentohet se “ekonomia globale vazhdon të zgjerohet në mënyrë modeste”. Në raport me vlerësimet e muajit tetor 2015, Fondi konstaton se “rreziqet në kahun rënës në perspektivën e ekonomisë botërore janë rritur”.Për këtë qëllim, Komiteti rekomandon që stimulimi i rritjes dhe garantimi i stabilitetit financiar të vendeve imponon nevojën për zbatimin e politikave fiskale të orientuara drejt rritjes ekonomike, për vazhdimin e politikave monetare akomoduese, për thellimin e reformave strukturore përfshirë dhe ato financiare si dhe për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit global.
Shqipëria u përfaqësua nëpërmjet një delegacioni të përbashkët të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhe Zëvendësministrit të Financave z. Erjon Luçi.Gjatë pjesëmarrjes në mbledhjet e Pranverës të FMN-BB, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare dhe përfaqësues të tjerë të lartë të këtyre institucioneve, ndër të cilat veçojmë: nga FMN-ja me z. Carlo Cottarelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Poul Thomsen Drejtor i Departamentit Evropian; nga grupi i BB-së me z. Cyril Muller, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, zj. Ellen Goldstein, Drejtore Rajonale për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.
Një takim i rëndësishëm ishte dhe takimi me Ministrat e Financave dhe të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Konstituencës ku bën pjesë Shqipëria, nën drejtimin e Ministrit të Ekonomisë dhe të Fianacave të Italisë, zotit Pier Carlo Padoan. Përveç Italisë dhe Shqipërisë, në këtë konstituencë bëjnë pjesë dhe Greqia, Malta,Portugalia, dhe San Marino.
Në gjithë takimet e sipërpërmendura, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur më tej në problemet dhe perspektivën e rritjes ekonomike, si dhe në zhvillimet e sektorit bankar.
Lidhur me sistemin bankar në vend, Guvernatori Sejko nënvizoi se çështja e kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore. Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në 18.2 %, në fund të vitit 2015.Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte dhe stimulimi i kreditimit dhe masat e marra mbështetur nga politika monetare stimuluese, e cila ka dhënë efektet e saj duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend.
Nga ana e tyre, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë vlerësuan punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Në këndvështrimin e tyre, Banka e Shqipërisë është një partner serioz dhe profesional në përmbushjen e detyrave të saj dhe ata shprehën gatishmërinë për të vazhduar më tej bashkëpunimin me institucionin tonë.
Gjithashtu, delegacioni i Bankës së Shqipërisë pati rastin të kryejë takime me përfaqësues të lartë të bankave të ndryshme qendrore, mes të cilave vlen të përmendet takimi me z. Jens Weidmann, President i Bankës së Gjermanisë. Gjatë këtij takimi u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me Bankën qendrore të Gjermanisë si një ndër ofrueset kryesore të asistencës teknike dhe ekspertizës për Bankën e Shqipërisë. Pjesë e diskutimeve ishte rritja e bashkëpunimit dypalësh me këtë bankë në formën e një projekti potencial binjakëzimi, për të cilin Presidenti Weidmann konfirmoi angazhimin e tij. Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë gjithashtu në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së si dhe në Forumin Ekzekutiv organizuar nga Banka Botërore për politikëbërësit dhe zyrtarët e lartë.