Sekseri i CEZ mori 7 mln euro, por nuk pagoi asnjë taksë në Shqipëri
Komisioni Hetimor ka zbuluar të tjera dokumente për sekserin e privatizimit të OSSH te CEZ, biznesmenin nga Prizreni Nuel Kalaj.
Sipas përgjigjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për Komisionin Hetimor të CEZ që drejtohet nga Taulant Balla, shtetasi Nuel Kalaj megjithëse pretendon se ka bërë konsulencë dhe është paguar 7 milionë euro, nuk ka paguar asnjë taksë në Shqipëri.
Drejtoria e Tatimeve në dokumentin drejtuar Komisionit shkruan se Nuel Kalaj u regjistrua si person fizik në dhjetor të vitit 2007 me aktivitet konsulent ekonomik.
Në shtator 2010 Nuel Kalaj ndërpreu deklarimet në Tatime, ndërsa nuk ka paguar asnjë taksë në shtetin shqiptar.
Në Tatime Nuel Kalaj rezulton i punësuar deri në Tetor të 2015 në subjektin HAM Group shpk nën administrimin e Drejtorisë Rajonale Tatimeve Kukës.
Emri i Nue ose Nuel Kalajt doli në skenë pas dëshmisë në komisionin hetimor të juristit të kompanisë OSHEE, Romeo Karajt.
Sipas tij, Nue ose Nuel Kalaj ka telefonuar mbi 100 herë brenda një muaji ish-kryeministrin Berisha, madje ka zhvilluar dhe takime në zyrën e këtij të fundit.
Nuel Kalaj është kërkuar nga Komisioni Hetimor që të sillet forcërisht për të dëshmuar për aferën, pasi e ka refuzuar dy herë komisionin.