Senatori francez: Deputetët e Francës, pro hapjes së negociatave
Qëndrimi hezitues i Francës në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Europian nuk ka të bëjë me Shqipërinë.
Senatori francez Olivier Cadic, anëtar i Komitetiti për Punët e Jashtme, Mbrojtjen dhe Forcat e Armatosura në një intervistë ekskluzive për ATSH-në, flet për procesin e reformave në Shqipëri, progresin e arritur dhe mbështetjen që një grup parlamentarësh francezë do të japin për hapjen sa më të shpejtë të negociatave.
“Përshtypja e parë që kanë pasur vendet europiane sa i përket reformave, është ajo e reformës në Drejtësi, një reformë që kontribuoi dhe pati rolin e vet në vendimin që mori Komisioni Europian për hapjen e negociatave në vitin 2019. Presim edhe reforma të reja të cilat u përmendën edhe në vendimin e Këshillit të Çështjeve të përgjithshme të Komisionit Europian, reformën në fushën institucionale. Për këtë arsye, është caktuar edhe një takim në qershorin e vitit 2019 ku do diskutohet për hapjen e negociatave me Shqipërinë”, tha ai për ATSH-në.
Ky është turneu i parë dhe vizitat e para që senatori Cadic po bën në Ballkan. “Nga Tirana do shkoj në Shkup, në Beograd në Sarajevë, dhe do i përfundoj në Zagreb pasi unë bëj pjesë në grupin e atyre që mbështesin aderimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. E bëj këtë sepse vendi i Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Europë, janë pjesë e familjes europiane. Siç e dini dëshira e atyre që themeluan Bashkimin Europian ishte që jo vetëm të bashkonin shtetet, por të bashkonin edhe burrat dhe gratë e gjithë Europës në një komunitet të përbashkët. Ne jemi pjesë e së njëjtës familje dhe uroj që bashkim të ndodhë sa më shpejt”, thotë ai në intervistën për ATSH-në.
“Vizita ime në Shqipëri është e rëndësishme pasi unë erdha në Tiranë që t’u bëj të ditur personalisht edhe kryeministrit Edi Rama se është një grup i rëndësishëm parlamentarësh francezë të cilët mbështesin pozitivisht vizionin e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, thotë senatori Cadic.
Në lidhje me qëndrimin hezitues të Francës ndaj zgjerimit të BE-së senatori thotë se qëndrimi i Francës nuk është aspak negativ.
“Zoti president Macron ka thënë se Europa duhet së pari të funksionojnë siç duhet të gjitha institucionet europiane dhe pastaj të shihet për zgjerimin Bashkimit Europian. Kjo nuk do të thotë aspak që aderimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është shtyrë në një datë të pacaktuar. Përkundrazi, dhe më vjen mirë që tashmë është fiksuar një takim”, shprehet senatori në intervistën për ATSH-në.
I pyetur sesa gjasa ka që qëndrimi hezitues i Francës të ndryshojë në takimin e qershorit të ardhshëm, lidhur me zgjerimin e Bashkimit Europian, senatori Olivier Cadic tha se, edhe pse nuk mund të përgjigjet në emër të presidentit Macron, beson se duhet të bëjmë të mundur që në takimin e ardhshëm, negociatat të hapen sa më shpejt të jetë e mundur.
“Në qershorin e ardhshëm, Shqipëria duhet të paraqesë të gjithë progresin që është bërë. Ka shumë reforma institucionale që duhen miratuar e zbatuar, duhet një përgjegjësi politike e të gjitha krahëve dhe besoj se të gjitha krahët politikë janë të bindur në këtë përgjegjësi dhe në këto reforma institucionale të nevojshme. Pasi të kryehn këto reforma duhet të shkohet drejt Këshillit Europian për të treguar rezultatet”, tha ai për ATSH-në.
“Nëse ka shqiptarë që dëshirojnë që një ditë të bashkohen në Bashkimin Europian, ashtu ka edhe europianë që ëndërrojnë që një ditë edhe shqiptarët t’u bashkohen atyre. Kjo, pasi ne jemi një. Historia e Bashkimit Europian e ka provuara këtë gjë, është vendosur paqja më afatgjatë në Europë, 70 vjet, jemi bërë fuqia e parë ekonomike në botë dhe niveli i jetesës është përmirësuar jashtëzakonisht shumë për të gjithë qytetarët e BE-së. Të gjitha këto duhen ndarë me të gjithë qytetarët e Europës.
Aderimi i vendeve të Ballkanit perëndimor në BE nuk është çështje zgjerimi, por integrimi, sepse këto janë vende që bëjnë pjesë në Europë. Nëse flasim për zgjerim mund të flasim për zgjerim të BE-së me Turqinë.
Roli im është që të bind sa më shumë politikanë që aderimi i vendeve të Ballkanit është integrim dhe jo zgjerim”, thotë senatori Cadic në intervistën ekskluzive për ATSH-në.