Ekonomia

Serbia me sytë nga Durrësi, Vuçiç: Porti më i afërt për ne

Në Nish u mbajt forumi i biznesit Serbi- Shqipëri  me pjesëmarrjen e afro 300 sipërmarrësve shqiptaro dhe serbë, ku mbajtën fjalën dhe kryeministri i serbisë Aleksandër Vuçiç por dhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Kryeministri i Serbisë tha se duam raporte të mira mes Shqipërisë dhe Serbisë të cilat do t’i sjellë të vetëm të mira popullit serb.

Kryeministri Vuçiç deklaroi sot se Durrësi do të jetë porti më i afërt për Serbinë, pas ndërtimit të autostradës Nish – Prishtinë – Tiranë – Durrës.

” Kjo autostradë është e rëndësishme për të gjithë popullin e Serbisë. Në momentin që do të ndërtojmë autostradën do të na duhet 4 orë e gjysmë për të shkuar nga Beogradi në Tiranë dhe Durrës, prandaj ju pyes ju biznesmenë të çmuar serbë: Cili port do të jetë më afër, dhe pse të mos e përdorim atë dhe të bëjmë diçka për veten tonë dhe shtetin tonë” tha Vuçiç, citon Tanjug

“Është shumë me rëndësi që të sillemi në mënyrë racionale pa marrë parasysh për dallime të caktuara politike. Kemi arritur të ndërtojmë një lloj mirëbesimi, të besojmë se sinqerisht e duam  miqësinë mes popullit serb e shqiptarë dhe raportet e mira mes Serbisë dhe Shqipërisë.  Avancimi i raporteve me Shqipërinë, për republikën e Serbisë u sjell vetëm të mira popullatës sonë ”  vijoi Vuçiç

Qeveria serbe ka dyert e hapura per biznesin shqiptar- Vuçiç ftoi biznesmenët shqiptarë të investojnë në Serbi duke shtuar se qeveria do të ndihmote ato në biznesnin e tyre “Jeni të mirëpritur në Serbi. Dyert e qeverisë dhe të tregut serb janë të hapur për ju ”  tha ai duke nënvizuar se “përmirësimi i marrëdhënieve me Shqipërinë do të thotë të zhvillohet bashkëpunimi ekonomik, dhe një takim i sotëm vërteton se samiti i Berlinit ka më shumë kuptim” tha Vuçiç

Rama flet per eliminim te barrierave doganore-  Kryeministri Rama foli për një treg të gjerë rajonal

Edi Rama: “Nëse ne arrijmë që kush investon në Tiranë, Beograd, Prishtinë, Podgoricë e kështu me radhë, të mos investojë thjesht brenda kufijve të një tregu të vogël, por të investojë në një treg të gjerë rajonal, kemi garantuar një kapërcim historik për njerëzit, në funksion të zhvillimit të ekonomisë dhe mirëqenies së tyre. 

Në fund të ditës, qëllimi ynë është që kufijtë që na ndajnë, t’i kthejmë në ura që na bashkojnë dhe në këtë rrugë të përbashkët të integrimit europian, ne të integrojmë ekonomitë tona dhe t’i japim jetë sa më shpejt, një tregu të përbashkët që të jetë tërheqës për të gjithë sipërmarrësit tanë, por dhe për vetë investimet e huaja.

Eliminimi i tarifave doganore patjetër që kërkon harmonizim me politikat e mbështetjes së biznesit, përmirësimit të klimës së biznesit, të nxitjes, edhe politike, për të shtuar qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve, por lajmi i mirë është se këtë punë e kemi nisur mbarë dhe në Samitin e Parisit e kemi prezantuar sëbashku si një udhërrëfyes për zhvillimin ekonomik dhe tregtar rajonal.

Rama flet dhe per vullnet administrativ 

Për Ramën sfida më e madhe në këtë proces është të bëhet bashkë vullneti administrativ 

Edi Rama: Dëgjova një shprehje shumë të bukur, dje, nga dikush që më tha se në Serbi tre gjëra nga të cilat duhet të ruhesh; avionët e NATO-s, tanket e Rusisë  dhe administrata e Serbisë. Faktikisht, ju siguroj që problemi më i madh i yni është administrata dhe ne jemi të vetëdijshëm për ketë problem.

“Sfida më e madhe në këtë proces nuk është t’ju bëjmë juve bashkë, sepse ju bëheni bashkë me një lehtësi të jashtëzakonshme. Mjafton të shikosh të dhënat e shkëmbimeve tregtare dhe ato shkojnë në një mënyrë jashtëzakonisht nganjëherë të ndryshme nga rrjedhat e politikës. 

Por sfida jonë është si të bëjmë bashkë vullnetin administrativ dhe si ta përçojmë tek administrata, për të qenë në shërbimin tuaj, për të shpejtuar njohjen e ndërsjellë të dokumenteve doganorë, për të thjeshtuar procedurat e kalimeve nëpër kufi të mallrave, për të mos detyruar kompanitë që të kërkojnë dy palë letra, një palë nga njëra anë, një palë nga ana tjetër, nga gjithfarëlloj institucionesh dhe agjencish. Dhe për të bërë sot, mes nesh, sëbashku, atë që nesër do jemi të detyruar ta bëjmë brenda Bashkimit Europian, për t’u sjellë në këtë hapësirë me njëri-tjetrin, siç duam nesër të sillemi në hapësirën e Bashkimit Europian. Për këtë nuk na pengon as Brukseli dhe asnjë nga proceset e integrimit. Të fitojmë kohë dhe ta bëjmë këtë pa pritur që të shkojmë në BE, për t’u sjellë si europianë me njëri-tjetrin dhe për të pasur një marrëdhënie europiane në të gjitha nivelet mes shteteve tona.

Kembimi tregtar Shqiperi- Serbi

Këmbimi tregrar i Serbisë me Shqipërinë është 102 milionë euro në vit dhe kryeministri Rama ka vlerësuar se ekzistojnë kushte që ky këmbim të jetë edhe më i madh, por për këtë duhet eliminuar barrierat administrative dhe doganore, pasi vetëm për një ditë të pritjes në doganë, vlera e prodhimeve bujqësore zvogëlohet për 7%.

Oda e perbashket ekonomike- Ne forum Serbia dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen për themelimin e Odës së përbashkët Ekonomike, me seli në Tiranë. Marrëveshja u nënshkrua kryetarët e odave Ekonomike Marko Çadezh dhe Luan Bregasi.

Shifrat e kembimeve tregtare – Sipas shifrave zyrtare, të cituara nga Rel,  të dhëna nga Oda Ekonomike e Serbisë, në pjesën e parë të vitit 2016 shkëmbimi tregtar ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë ka qenë 77.8 milionë euro.

Shqipëria ka eksportuar në Serbi 17.3 milionë euro domate, cement, veshmbathje dhe derivate, ndërkohë që Serbia në Shqipëri ka eksportuar misër, miell, grurë, ujë dhe energji elektrike në një vlerë prej 60.5 milionë euro.

Në Shqipëri, sot operojnë 100 subjekte serbe, tregtare apo në aktivitet të drejtpërdrejtë.Kapitali i investuar përben vetëm 0,8 % të të gjithë stokut shqiptar të investimeve të huaja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button